E vërteta e vonë e Alfred Pezës
“Zoti Edi Rama është modeli i dhunuesit të medias. Unë e akuzoj publikisht zotin Rama për dhunë verbale ndaj medias, për një dhunë sistematike verbale. Kush i di sadopak raportet që ka lideri i PS-së dhe i opozitës me median, duhet të kuptojë se, duke qenë në opozitë, ai kërkon patjetër dhe me çdo kusht që të diktojë të vërtetat e tij, që ne të ftojmë atë që do ai dhe të mos ftojmë ata që kritikojnë atë, të mos bëjmë emisione pa marrë leje më parë te zoti Rama se kë do të ftojmë dhe kë nuk do të ftojmë”. Kjo ishte një nga frazat-lajm të javës që sapo u mbyll, e thënë nga gazetarët më të njohur në vend, Alfred Peza, në një “talk show”. Dhe për fatin e mirë të atyre që njihen prej kohësh me Edi Ramën në rolin e gazetarit, ky denoncim nuk vjen nga një gazetar i rreshtuar djathtas, pasi Peza ka drejtuar mjaft redaksi të njohura, duke mos pasur raporte epror-vartës me Ramën apo ndonjë politikan tjetër. Për këtë arsye Peza është i besueshëm në atë që thotë, pasi formati i tij si gazetar dhe profesionist i lirë të çon natyrshëm në këtë përfundim.
Ky është tipari pozitiv i deklaratës së Alfred Pezës, por në anën tjetër ky është edhe një lajm i keq, pasi shumë kolegë të tjerë nuk e kanë thënë më parë këtë gjë publikisht. Edhe pse janë frustuar vazhdimisht nga presioni i Ramës në mënyra nga më të ndryshmet, deri tek fyerjet e tij të drejtpërdrejta në SMS, telefonata apo edhe takime ballë për ballë. Sepse ky është stili i të punuarit të Ramës. Kontrolli i faqeve të para të gazetave, titrave të edicioneve të lajmeve në televizione, dhe deri tek listat e të ftuarve në debate. Por historia e Ramës me imponimin mediatik nuk është kaq e thjeshtë. Ajo nuk është as historia e një drejtuesi opozite e as një çështje thjesht mediatike. Kjo sjellje e kryetarit të PS-së me mediat është një sjellje që reflekton mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të një njeriu që ka kryqëzuar shumë interesa në pozicionin e tij, jo si drejtues i opozitës, por së pari si kryetari i Bashkisë së Tiranës.
I tërë përkushtimi i Ramës ndaj medias në rolin e “kuratorit të saj”, nuk është çështje pasioni për lajmin por një instrument për të akumuluar pushtet. Një pushtet që plotëson dhe vjen si pasojë e fuqisë si kryetar bashkie, i cili përdor prokurimet publike dhe lejet e ndërtimit në qytetin më të madh të vendit. Dhe fati i raportit të tij me mediat në atë që Peza e quan “dhunë”, është një fat i parashkruar nga tendencat e tij jodemokratike. Kjo tendencë bashkon tek një person i vetëm pushtetin politik, ekonomik dhe atë mediatik, duke fshirë nga harta e demokracisë diversitetin që ofrojnë biznesi dhe media si instrumente kontrolli ndaj vetë pushtetit politik. Duke qenë se këto dy segmente të shoqërisë vihen nën presion e një personi me pushtet politik, zëri i lirë mbytet për pasojë nga vullneti unicentrik i një njeriu.
Historia e imponimit të Ramës ndaj medias është një histori e vjetër, pavarësisht se deklarata që e hodhi në treg është e re. Kjo çështje e sjelljes së Ramës me median zgjat prej vitesh, por askush nga pjesa “gri” e gazetarisë nuk e ka denoncuar publikisht përpara Alfred Pezës dhe Fatos Lubonjës. Ndaj është një deklaratë që sjellë një vlerë në debatin publik, pasi rrezikshmëria që paralajmëron kjo e vërtetë raporton tërë artikulim fals të kreut të PS-së. Një artikulim që “linçon” politikën e vjetër në emër të politikës së re, që ofron një kryetar partie që njëkohësisht “punon” edhe si “kryeredaktor i përgjithshëm” i mediave që drejton nëpërmjet interesave financiare. Dhe kjo ndodh duke qenë kryetar opozite. Po nëse vjen në pushtet zoti Rama, ç’do të ndodhë? Ku do të flasë opozita dhe gazetarë jovartës të Ramës? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i dinë mjaft gazetarë dhe drejtues të marrëdhënieve me publikun që kanë punuar në PD kur ishte në opozitë. Këto dy kategori profesionistësh e dinë se ç’kanë hequr për t’iu përgjigjur pyetjeve në debate televizive, ku moderatori lexonte pyetjet e gatshme që i vini në celular nga i njëjti numër telefoni ku shkruhej Edi Rama. Apo më keq kur mbas një konference shtypi, politikanët e djathtë ose e gjenin veten në fundin e edicionit të lajmeve, ose shihnin një deklaratë që nuk e kishin dhënë kurrë. Sa për gazetat e së nesërmes, të gjithë e dinin se e vetmja hapësirë ishte ndonjë kuadrat i vogël në fund të faqes 9.
Për të gjitha arsyet e mësipërme, deklarata e Alfred Pezës është një e vërtetë paralajmëruese për atë pjesë të shoqërisë që priret ta shohë Ramën si një politikan të paprovuar në pushtet. Megjithëse disi e vonuar, kjo deklaratë është një dëshmi se si edhe me pushtetin e reduktuar që i jep Bashkia e Tiranës, drejtuesi i PS-së ka arritur të provojë së një nga tiparet dalluese të tij është dëshira për të mbytur lirinë e medias.