E Diel, 1 Nëntor 2026

E vërteta mbi mashtrimin

Në një konferencë për shtyp me temë “Integriteti i figurës së drejtuesit të Fakultetit të Muzikës” të organizuar nga një grup profesorësh të Fakultetit të Muzikës në datë 18 janar 2010 në mjediset e Akademisë së Arteve pati një Komunikim për Mediat (i bërë publik nga organizatorët me anë të e-mail-it dhe me anë të një dosjeje të përgatitur për të gjitha mediat e shkruara dhe ato televizive).
Kjo konferencë, si çdo komunikim normal me mediat, do të ishte zhvilluar sipas rendit të ditës të përcaktuar nga organizatorët, por, ndërkohë u vu re dhe një grup tjetër i përbërë prej 4-5 kolegësh, të lidhur ngushtë në interesat e tyre me zyrën e dekanit, të cilët kishin ardhur me qëllimin për të çorientuar objektivin kryesor të saj, objektiv ky që, në asnjë moment, nuk linte vend për ndonjë koment:
1- Dekani, i cili ka përvetësuar padrejtësisht gradën shkencore, Doktor i Shkencave, nuk mund të jetë më anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë MASH, e të vazhdojë të jetë pjesë e vendimeve për titujt dhe gradat e kolegëve të tjerë universitarë nga gjithë vendi, si dhe të qëndrojë përkrah të gjithë figurave dhe personaliteteve të nderuara të arsimit dhe shkencës, të cilët, me anë të VKM të 31.08.2006 janë emëruar nga Kryeministri i Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
2- Dekani, i cili për dy vjet me radhë dhe në mënyrë të përsëritur ka firmosur në mënyrë fiktive (me siglat Prof. Dr.) dokumentacionin bazë shtetëror (Diploma, Diploma Master, Vendime të Dekanatit, Këshillit të Fakultetit, letërkëmbime të brendshme dhe të jashtme të institucionit), nuk mund të japë garanci për zbatueshmërinë e ligjshmërisë në mbarëvajtjen e një zyre publike apo të një posti publik.
Aq i vërtetë është ky element, sa në fund të javës së shkuar, pas zbulimit të faktit të punësimit të dy muzikanteve ende të padiplomuara në fakultetin e muzikës, ndodhi pezullimi i menjëhershëm i tyre nga ana e Rektorit të Akademisë së Arteve.
Por edhe në kushtet e tentativës për të prishur dhe turbulluar një komunikim të lirë me mediat, në asnjë rast, “mbrojtësit” e linjës se “Dekani ka gabuar, por ka bërë reforma” nuk mundën të përligjnin faktin e pamoralitetit për të qëndruar në pozicionin e anëtarit të Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë MASH si dhe nuk mundën të përligjnin faktin e firmosjes në mënyrë fiktive të dokumentacionit shtetëror, objekt i punës së Dekanit të Fakultetit.
Efekti i ndonjë vendimi të Këshillit të Etikës së Akademisë së Arteve nuk mund të ketë fuqi vepruese për organe apo institucione jashtë Akademisë së Arteve, më saktë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, si dhe nuk mund të justifikojë veprime, të cilat në pikëpamje juridike përbëjnë vepra të dënueshme.
Reforma apo Procesi i Bolonjës, në të cilën, prej vitesh, arsimi shqiptar synon të jetë pjesë e integruar e zhvillimeve të rëndësishme evropiane, nuk ka ndonjë emër të përveçëm, që të mundësojë “të drejtën e autorit” vetëm Dekanit tonë.
Për më tepër, boshtet kryesore të kësaj reforme janë tronditur rëndë, nëse konsiderojmë atë të “Mirëqeverisjes së Institucioneve të Arsimit të Lartë” apo atë të garantimit të “Standardit të cilësisë” me elementët e përmendur më sipër.
Do të ishte naive të mendonim se punët apo reformat në një fakultet bëhen nga një individ i vetëm apo edhe një grup i ngushtë.
Fakulteti i Muzikës ka në përbërje përveç stafit të brendshëm edhe një numër shumë të madh artistësh të nderuar dhe të palodhur, të cilët të gjithë së bashku, përbëjnë pjesën më dinamike të proceseve reformuese të vetë institucionit.
Në asnjë rast, organizatorët nuk janë marrë në mënyrë personale me krijimtarinë apo aktivitetin muzikor e shkencor të dekanit të Fakultetit të Muzikës, por, parë nga pozitat e një posti publik, në të cilin përfaqësohet imazhi i strukturave shtetërore si dhe performanca e përditshme e tyre në zbatimin e një ligjshmërie të detyrueshme për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe integriteti të figurës së punonjësit të një institucioni universitar, ata kanë ndjekur hapat institucionalë për të kërkuar nga instancat përgjegjëse zbatimin e normave dhe ligjeve të shtetit.
Për grupin e profesorëve organizatorë të konferencës për shtyp, Prof. As. Pjetër Guralumi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›