“Në gjurmët e Ilirisë së lashte”

Të Shtunën, datë 16 Janar 2010, u zhvillua në Torino konferenca arkeologjike “Alla scoperta dell’antica Illiria” (“Në gjurmët e Ilirisë së lashtë”) e organizuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra. Takimi ishte i konceptuar si një udhëtim i ilustruar arkeologjik nëpër tokën Shqiptare. Pjesëmarrësit patën rastin të njiheshin me qëndrat kryesore të zbuluara të Ilirisë, si edhe me pasuritë që ato përmbajnë.
I ftuari kryesor i konferencës ishte profesor Neritan Ceka. Në takim morën pjesë gjithashtu edhe Sandro Caranzano (arkeolog), Chiara de Filippis (historiane dhe profesore eUniversitetit të Torinos) dhe Benko Gjata (gazetar, korrespondent i akredituar iATSH-së në Itali). Veprimtaria u përshëndet edhe nga përfaqësues të rëndësishëm të pushtetit vendor si Gianni Oliva, asesor i kulturës në Rajonin e Piemontit, Marco Borgione, asesor i politikave sociale në Bashkinë e Torinos dhe Michele dell’Utri, asesor i marrdhënieve ndërkombëtare pranë këtij institucioni. Në takim ishin të pranishëm edhe miqtë e bashkësisë arbëreshe të Torinos, në emër të të cilëve përshëndeti profesor Vincenzo Cucci, kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbereshe të Piemontit.
Veprimtaria u zhvillua në kuadër të projektit “Festivali i Kulturës Shqiptare”. I
ideuar nga Shoqata Vatra dhe i realizuar me mbështetjen e Rajonit të Piemontit,
projekti parashikon zhvillimin e veprimtarive që synojnë promovimin dhe vlerësimin e pasurisë historike, artistike, kulturore dhe letrare të popullit Shqiptar.
Takimi u realizua me bashkëpunimin e F.I.A.P., Federata e Shoqatave Shqiptare,
Italo-Shqiptare dhe Arbereshe të Piemontit, dhe të Zyrës së Përfaqësimit të
Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino.
Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra
Vatra është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh
shqiptarë dhe italianë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e më të shpejtë të qytetarëve Shqiptarë në shoqërinë italiane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë.
Falë veprimtarisë së saj të dendur kulturore dhe institucionale, Torino është
shndërruar këto vitet e fundit në një nga qendrat më mikpritëse ndaj artit dhe
kulturës Shqiptare në Europë.