Gjilani ndez flakën

Kur kultura bie në qetësi totale atëherë 45 kilometra larg kryeqendrës të Kosovës, në Gjilan mbahet një festival. Është ky Festivali Mbarëkombëtar i Dramës Shqipe, i njohur me emrin “Talia e Flakës 2010”.
Data e sivjetme kur do të mbahet ky festival është 21 janari, ndërsa festivali do të zgjasë deri më 25 janar. “Talia...” do të nisë me teatrin nikoqir, atë të Gjilanit, me shfaqjen “Kënga e Aktorit”, e bazuar në motive të shkrimtarëve si Qosja, Kadare, Migjeni. “Kënga e Aktorit”, do të jetë në regji të Muharrem Sylejmani.
Ndërsa konkurrenca e vërtetë fillon me Teatri i Kombësive – Shkup dhe shfaqjen “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, Ismail Kadare, me regji të regjisorit të njohur boshnjak, Dino Mustafiç. Më datë 22 janar në “Flakën e Janarit” do të shfaqet Teatri i Qytetit – Ferizaj me shfaqjen “Nëntë Plagët e Gjergjezit”, në regji Fadil Hysaj. Duket se regjisori Hysaj është më i privilegjuar në këtë rreth, pasi më datë 23 janar vjen shfaqja “Bodrumi” që prezanton Teatrin Kombëtar të Kosovës.
“Politika e TKK është që të ketë shfaqje reprezentative dhe shfaqje shqiptare dhe kjo ka qenë shfaqja më reprezentative nga TKK”, tha Berisha. Ajo nuk e di se çfarë shfaqjeje ka zgjedhur Teatri i Ferizajit për ta reprezentuar atë në këtë festival.
Ndërsa pas “Bodrumit” vjen Teatri Metropol – Tiranë, me shfaqjen “Drejtë Lirisë”, Erand Sojli, me regji të Robert Budinës.
Në natën e fundit do të jepet shfaqja e Teatrit të Gjilanit “Teatri në Pazar”, në regji të Muharrem Sylejmani.
Juria e festivalit do të jetë në këtë përbërje: Enver Petrovci, Yllka Mujo, Kushtrim Bekteshi, Arian Krasniqi, Burim Baftiu. Juria do të ketë punë në zgjedhjen e Shfaqja më e mirë, Teksti më i mirë, Regjia më i mirë, Aktori më i mirë, Aktorja më e mirë, Roli Episodik më i realizuar si dhe çmimi special për arritje jetësore, të cilin e ndan Teatri i Gjilanit.