E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikë me të 20-ët:Të 20-ët e vëzhguar!

“Onufri” i 16-të mbaroi, duke vëzhguar 20 artistë me pretendimin e ndikimit të tyre në sistemin e arteve pamore shqiptare. Ndërsa duke respektuar një strukturë midis të vjetërve dhe të rinjve juria - që kryesohej nga një kritik i njohur i artit në Itali dhe Francë, Francesco Poli, vendosi si fitues të parë në kategorinë e të vjetërve, piktorin Hasan Nallbani. Zyrtarisht ky çmim quhet i parë, për veprën “Kompozim”, vaj në kanavacë, duke i shkuar motivacioni “Për cilësinë dhe origjinalitetin që karakterizon pikturën e tij në këtë fazë të fundit. Për një liri kompozimi, i cili karakterizohet nga një tension vital shprehës. Këto cilësi që janë shumë aktuale për ditën e sotme”. Për çmimet e dyta marrëveshja e jurisë ishte për dy të rinj me referime të ndryshme të linjave të tyre artistike dhe për “merita të barabarta”.
Aldi Zgjanit iu dha vlerësimi për veprën “Sit still seeking!”, distik, akrilik në kanavacë, me motivacionin “Për një krijimtari të menduar konceptualisht, të përpunuar mirë, plot finesë dhe delikatesë”.
I riu tjetër me të cilën ndau çmimin e dytë Zgjani, ishte Enkelejd Zonja, për veprën “Përrallë nga ‘97”, vaj në kanavacë, me motivacionin “Për një teknikë të lartë piktorike, me të cilën ka ndërtuar një kompozim kompleks, narrativ, me simbole sociale dhe metaforike”.
Piktori i ri, Zgjani, e ka parë këtë përvojë si një mbarim të eksperiencës studimore. Tabloja e tij komentohet si përvojë loje, duke vënë në të njëjtën epruvetë vëzhguesin, si një strukturë brenda hapësirës.
Ndërsa piktori tjetër, Enkelejd Zonja rrëfen një portret të njohur të përrallave në pikturën e tij, një kohë të shkuar të errët - ku teknika e tij nuk është dalluar as nga juria që e ka vlerësuar. Mbi foto, Zonja ka ndërtuar pikturën, teknikë e njohur kjo kur realiteti dyzohet me ngjyrën dhe stilin krijues të piktorit. Ndoshta tek ky Onufër kjo nuk është puna e parë, apo e vetme që i nënshtrohet kësaj teknike.
Anëtarja e jurisë, Suzana Varvarica, për secilin pjesëmarrës të Onufrit tha se ky edicion dha individualite, me drejtime të ndryshme artistike, duke i shpëtuar rutinës kuratoriale. Në këtë edicion prurja e artistëve është dalluar dukshëm nga piktura, përveç faktit apo qëllimit politik që ka pasur kuratori për ta publikuar punën e artistëve shqiptarë, për ta njohur hartën krijuese të tyre në këtë nivel ku ndodhen.
E njëjta gjë çfarë ka parasysh edhe Varvarica, se për këta piktorë jepet niveli, por jo situata, sepse të tjerë artistë janë jashtë këtij sistemi që u ballafaqua tek Onufri. Atëherë lind pyetja se çfarë është vlerësuar më shumë në këtë ekspozitë? Anëtarja e jurisë, Varvarica, thotë se më shumë tek ky edicion i Onufrit kemi vlerësimin e idesë, në vëzhgimin çfarë ndodh tek këta 20 artistë pjesëmarrës, si të ishin futur në një epruvetë eksperimenti, gjithsesi jo krahasuese me atë që ndodh jashtë, me artistë të tjerë shqiptarë. “Ky është zhvillimi ynë i arteve pamore në këta 20 artistë”, - thotë Varvarica, pa pretenduar se kemi parë nivelin më të lartë të pikturës. Pse të gjithë u ndalën tek piktura, duket se e ka një shpjegim nevoja për të parë çfarë bëhet në studiot e piktorëve shqiptarë. Edhe pjesëmarrës të Onufrit, ashtu sikurse dhe vetë kuratori Parid Teferiçi, duket se kanë interferuar në një pikë; si kohë për ta vëzhguar në një hartë më të gjerë jetën e brendshme të zhvillimit të arteve pamore. Struktura e këtij edicioni ka qenë qartësisht politike në këtë drejtim, ashtu sikurse mëshimi i ideve në vlerësimin e Onufrit të sivjetshëm. Kjo të çon në debatin tjetër për artet pamore shqiptare; nëse ka ardhur koha për një konkurrim kombëtar, dhe kush do të jetë nismëtari që do ta vendosë politikisht. Sepse “Onufri” ka 16 vjet që bën ciklin e markës ndërkombëtare. Ky edicion ka dëshmuar dhe rrëfyer nevojat e piktorëve, të cilët kanë shprehur qartë domosdoshmërinë e ngritjes së një strukture kombëtare për të mësuar se ç’bëhet me artet pamore në Shqipëri. Mos këta 20 artistë u vëzhguan për këtë qëllim, apo ky problem del krejt rastësisht, tani, në Onufrin e ’09-ës?! Kjo mbetet faturë e Galerisë Kombëtare të Arteve, si një çështje politike për t’u zgjidhur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›