E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nuk po i kupton investitorët e huaj

Pronarët e shumë prej tyre mund të jenë me prejardhje edhe nga Kosova, ose janë në ortakëri me vetë zviceranët. Një prej tyre është edhe Bekim Prelvukaj, një shqiptar nga Wintherturi i Cyrihut.

Prelvukaj është me origjinë nga Peja e Kosovë, ndërsa është shkolluar në Zvicër si ekonomist dhe ka arritur të punojë deri më tani në sektorin e kredive dhe sigurimeve po të njëjtin qytet. Ai ka vendosur të investojë në qytetin prej nga ka ardhur për të hapur firmën e quajtur “Mabeko”, e cila është specializuar për prodhimin e kanaleve të ventilimit me standarde evropiane.

Investitori nga diaspora ka në plan që të investojë mbi 1 milion euro në tri etapa duke punësuar nga 20 deri 35 bashkëvendës të Pejës në Kosovë.

Prelvukaj nuk e kishte lehtë për të depërtuar në tregun kosovar. Ende nuk e ka filluar prodhimin nga telashet që i ka sjellë legjislacioni në Kosovë.

“Mabeko” pretendon edhe tregun ndërkombëtar, por çuditërisht i duhet licenca për të siguruar vajin industrial që i nevojitet për të filluar punën, ngase investitori shqiptaro-zviceran zotohet në arritjen e standardeve evropiane të prodhimit.

Biznesmeni nga diaspora tregon në një intervistë për albinfo.ch për vështirësitë me të cilat po ballafaqohet me ngritjen e biznesit në vendin e origjinës. Sipas tij, janë disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen investitorët e huaj në Kosovë, e ato janë; infrastruktura, energjia elektrike, imazhi i keq i vendit dhe korrupsioni.

Prelvukaj tha se Kosova ka potencial për të thithur investimet e huaja, por i mungojnë ekspertët për t’i kuptuar mirë investitorët e huaj.

“Kosova duhet të orientohet më shumë në prodhim, sepse prodhimi në Kosovë është jetik për zhvillimin afatgjate stabil të vendit, pastaj potenciali i fuqisë së re punëtore është kapital që duhet të shfrytëzohet”, tha mes të tjerash Prekvukaj. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›