E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Rama nis shpalljen e programit

 

Aristir Lumezi

Kreu socialist Edi Rama pritet sot të nisë prezantimin e programit elektoral të PS-së. Programi elektoral i socialistëve, një material voluminoz i hartuar tashmë dhe me ekspertë të huaj, italianë e gjermanë, nga partitë e majta, do të nisë të bëhet publik dhe të detajohet në të gjithë vendin përmes një turi të ri që kreu socialist do të zhvillojë në të gjithë vendin. Takimi i parë, me tematikë programin e ri elektoral të PS-së, do të zhvillohet në qarkun e Lezhës ditën e martë. Startin e këtij prezantimi do ta bëjë sot kreu socialist Edi Rama, i cili do të japë tiparet kryesore të këtij programi përmes një komunikimi me gazetarët në ambientet e selisë rozë. I pyetur nga “Panorama”, për tiparet e programit elektoral, nënsekretari socialist për programin, Ilir Beqja tha se programi elektoral do të jetë i bazuar në tre kolona bazë. “Do të jetë zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe qeverisja, shteti i së drejtës, kolona që do të detajohen në të gjitha takimet që do të zhvillohen në të gjitha qarqet e vendit, në bashki dhe komuna”, tha Beqja. Programi socialist që tashmë do të njihet gjerësisht dhe në detaj nga të gjithë ka kaluar përmes qindra seancash dëgjimore të zhvilluara në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit, sipas profesioneve dhe sektorëve të ekonomisë. Problematika dhe sugjerimet që janë marrë nga këto takime, kanë qenë dhe lënda e parë mbi të cilin kanë punuar ekspertët e PS-së dhe ata të huaj në hartimin e një programi, i cili do t’i japë zgjidhje shumë problemeve që ndeshen sot në ekonominë dhe jetën e shqiptarëve. Mësohet se ky program do të rrëzojë të gjitha ato praktika dhe ligjshmëri që do të pengojnë zbatimin e programit qeverisës të PS-së pas 28 qershorit. Mësohet se nga çështjet e rëndësishme që pritet të japë zgjidhje programi i ri i socialistëve është reforma mbi tokën dhe pronën, por dhe reforma në shëndetësi, në arsim. Një rëndësi të veçantë në programin elektoral të PS-së do të zërë dhe reforma legjislative dhe ajo institucionale, të cilat do të bëhen të njohura në ditët në vazhdim. Burime brenda selisë rozë pohojnë se programi elektoral i socialistëve korrigjon të gjitha ato çështje, për të cilat është kritikuar qeverisja aktuale, duke dhënë dhe zgjidhjet konkrete bazuar në një ekspertizë të kualifikuar dhe në përvojat më të mira të vendeve evropiane.

Rama në Has: Berisha pas 28 qershorit në pension

Kryetari socialist vazhdoi turin e tij të veriut me Vullnetarët e bashkimit për ndryshim edhe në rrethin e Hasit. Duke pasur në qendër të fjalës së tij ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, Rama tha se do të jenë socialistët ata që do ta përfundojnë me standarde dhe parametra bashkëkohorë këtë rrugë. “Sali Berisha, ditën e inaugurimit të rrugës do të jetë në pension, do e ftojmë dhe do i japim mundësinë të presë një pjesë të shiritit të saj. Interesat tona patriotike, strategjia jonë e zhvillimit ekonomik, këto të lidhura me rrugën Durrës-Kukës nuk mundet të përdoren dhe të abuzohet për të fshehur një grabitje me përmasa të mëdha”, tha Rama. Sipas tij, me fondet e grabitura nga rruga Durrës-Kukës mund të ishte rindërtuar i gjithë rrjeti rrugor i Qarkut të Kukësit dhe përtej Qarkut të Kukësit. “Opozita votohet për të qenë roja e qeverisë dhe për të ruajtur popullin nga abuzimet e qeverisë. Duke ngritur shqetësimin e madh për abuzimet me rrugën Durrës-Kukës, ne kemi bërë detyrën tonë”, u shpreh Rama në Has.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›