E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta për rrenën e madhe politike të Kosovës

Disa spote dhe një debat televiziv, vërtetuan që koalicioni PDK-LDK, që qeveris me Kosovën, ka shumë rrenë në vete dhe asgjë të vërtetë. Apo, thënë më mirë: Rrena që ka koalicion të mirëfilltë PDK-LDK, është e vërteta e madhe politike, e cila do të dalë në shesh në javët e ardhshme, për të mbërri kulminacionin me 15 nëntor, në ditën e zgjedhjeve lokale. Gjithçka nisi me spotet e PDK-së, në para-fushatën e fushë-betejës kryesore politike të këtyre zgjedhjeve, atë për fitimin e qeverisjes në Prishtinë, në Kryeqytetin e Kosovës. Në përpjekje që, megjithatë, disi të ruhen raportet e PDK-së me LDK-në edhe gjatë garës së madhe për Prishtinën, porosia nismëtare e PDK-së së Kryeministrit Thaçi për Isa Mustafën, Kryetarin e Prishtinës, i cili përfaqëson LDK-në e Fatmir Sejdiut, Kryetarit të Kosovës, ishte kjo: Isa Mustafa është një Njeri i mirë, por Kryetar i keq. Në këtë mënyrë, PDK, e cila duket që ka pretendime të tejkalojë kohën dhe vendin tonë, për t’ia mësyer edhe Tej-Botës dhe Amshimit, ia dha certifikatën Isa Mustafës që si njeri i mirë, është i kualifikuar për Parajsë (lumi ky për vete, do të thoshin besimtarët), por si Kryetar i keq, nuk ka çfarë të kërkojë më në Prishtinë. Mustafa fiton shumë dhe humb pak po që se përqafon teorinë e PDK-së. Çfarë peshe ka Prishtina karshi Parajsës. Tekefundit.

Por, nuk vonoi dhe PDK, në një tjetër spot televiziv, kësaj radhe, në kuadër të anti-fushatës, porositi qytetarët e Prishtinës që Mustafa nuk ka jetësuar asnjë prej premtimeve të tij të shpallura në vjeshtën e vitit 2007, kur i fitoi zgjedhjet, prandaj ai ka dështuar. Njeriu që ka dështuar, sepse nuk ka sendërtuar premtimet e tij politike (apo, ciladoqofshin ato), përkthyer në gjuhën direkte, na del manipulues, mashtrues, gënjeshtar, i pabesë. Politikani që është manipulues, mashtrues, gënjeshtar, i pabesë, sa na është e njohur, klasifikohet jo vetëm si Kryetar i dështuar, por edhe si Njeri i keq. Isa Mustafa kështu për pak kohë mbeti pa Prishtinën e pastaj e humbi edhe Parajsën. Kjo është e vërteta e qëndrimit të PDK-së për Isa Mustafën. Asgjë befasuese për këdo që ka përcjellë se si është trajtuar Prishtina dhe Isa Mustafa prej Qeverisë së Kryeministrit Thaçi dhe të koalicionit PDK-LDK.

Debati i parë televiziv i katër kandidatëve – pretendentëve për postin Nr.3 për nga pesha në Kosovë (pas atij të Kryetarit dhe të Kryeministrit të vendit), i cili u mbajt në TV Klan Kosova, tregoi, midis tjerash, çfarë mendon sinqerisht Isa Mustafa për Qeverinë e Kosovës. Ai nuk fshehu faktin që është i vetëdijshëm që në garë kundër tij nuk është përfaqësuesi i PDK-së (Astrit Salihu), por Qeveria e Thaçit, për të cilën ai foli me gjuhën që është identike me atë të partive opozitare. Kështu doli që Mustafa nuk ka mundur të bëjë shumë punë në Prishtinë, për shkak të vetë karakterit organizativ joformal dhe para-zbulues (para-inteligjent) të pushtetit qendror në Kosovë. Dikush mund të thotë këtu që Mustafa kishte për cak të paraqitjes së vet votuesin tradicional të LDK-së, që ai e di që nuk mund dot t’i fitojë sërish zgjedhjet në Prishtinë pa u konfrontuar haptazi me PDK-në, për të mobilizuar kështu edhe votuesit e partive opozitare rreth vetes, por Mustafa foli për Qeverinë e Kosovës, e cila, nëse nuk na ka lënë kujtesa, përbëhet prej PDK-së dhe LDK-së, e jo për një parti kundërshtare apo konkurruese. Kjo është e vërteta e qëndrimit të Isa Mustafës dhe e shumëkujt në LDK, për Qeverinë e Kosovës të Kryeministrit Thaçi. As kjo e vërtetë nuk është befasuese për ata që janë njohës të rrethanave politike në Kosovë. Është ky një paradoks i paparë politik. Kryetari i Kryeqytetit të një shteti, vjen nga njëra prej dy partive që kanë krijuar Qeverinë në shkallë vendi, por ajo Qeveri edhe deri më tash, me të gjitha mjetet është munduar ta dëmtojë Njëshin e qytetit më të rëndësishëm në atë shtet. Kjo tregon që LDK është dekor e jo faktor në Qeverinë e Hashim Thaçit, dhe që njëkohësisht, LDK nuk ka bërë asnjë të vetmin hap për ta mbrojtur Kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafën. Kjo çfarë ndodhi ditëve të fundit me pano, me spote dhe me një debat televiziv, bëri që zyrtarët e LDK-së të provojnë të zgjohen nga gjumi. Përnjëherësh u ra ndërmend që Qeveria e Kosovës, në të cilën ata janë hisenikë, ka bllokuar për gjashtë muaj rresht dërgimin e Ligjit për Prishtinën në Kuvendin e Kosovës, miratimi i të cilit do ta bënte më të pasur buxhetin e Prishtinës, gjë që automatikisht do t’i shtonte gjasat e Mustafës për fitore. Zyrtarët e LDK-së madje nuk fshehën frustrimin e tyre që Qeveria e Kryeministrit Thaçi tani ka vendosur ta bëjë realitet vendimin e Qeverisë së mëparme të Kosovës, të vjeshtës së vitit 2007, që në Prizren të themelohet Universiteti Publik, në shtatorin e vitit 2010. Ndërsa në Prizren, LDK synon ta ri-kthejë pushtetin.

Dhe kështu me radhë. Është thënë disa herë kohëve të fundit, prej analistëve politikë vendorë, që beteja për Prishtinën, sipas të gjitha parashikimeve, do të jetë vendimtare për fatin politik të LDK-së. Fitorja e Mustafës ka peshë të jashtëzakonshme. Humbja, shënon dobësimin e madh të LDK-së. Por, si po duket, rezultati i garës së madhe për Prishtinën do të ketë po aq pasoja edhe për fatin e koalicionit të PDK-së dhe LDK-së. Shumëçka do të ndryshojë jo vetëm në Prishtinë, por edhe në shkallë të Kosovës, kah mesnata e 15 nëntorit. Shumëçka.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›