E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot, protesta e opozitës në sheshin para KryeministrisëNga TemaPS bashkë me aleatët e saj nis sot protestat kundër qeverisë Berisha-Meta në kërkim të hapjes së kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Protesta, zhvillohet sot pasdite në orën

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sot, protesta e opozitës në sheshin para KryeministrisëNga Tema

PS bashkë me aleatët e saj nis sot protestat kundër qeverisë Berisha-Meta në kërkim të hapjes së kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Protesta, zhvillohet sot pasdite në orën 5, me grumbullimin në sheshin qendror dhe marshimin deri para Kryeministrisë, ku dhe parashikohet të mbajnë fjalën e tyre para protestuesve krerët e pesë partive të koalicionit opozitar. Edi Rama i PS, Erion Veliaj i G99, Paskal Milo i PDS, Skënder Gjinushi i PSD dhe Vangjel Dule i PBDNJ pritet të flasin para turmës lidhur me kërkesën e partive opozitare për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në protestën e sotme pritet të flasin edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme, si shoqata e veteranëve apo ajo e minatorëve, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestën e socialistëve. Protestuesit do të mbajnë në duar parulla që kanë lidhje me kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit.

Për protestën e sotme deputetët socialistë të Tiranës iu drejtuan popullit të Tiranës duke i ftuar ata të marrin pjesë në të. “Ftojmë në protestë të shtunën, në orën 5 pasdite përpara Kryeministrisë të gjithë ata burra e gra, të rinj e të moshuar që më 28 qershor votuan për të ardhmen e tyre, por që sot gjenden të manipuluar e të gënjyer nga një qeveri e nga një kryeministër që demokracinë dhe shtetin ligjor e mban peng brenda kutive të votimit. Ftojmë në protestë të shtunën, në orën 5 pasdite përpara Kryeministrisë të gjithë qytetarët që si ne, e ndjejnë Shqipërinë vendin e tyre e jo të Sali Berishës, Ilir Metës e oborrtarëve të tyre, që demokracinë e shtetin ligjor e ndjejnë investimin themelor të një shoqërie të shëndoshë e jo perden pas të cilës fshihet manipulimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme nga një qeveri e korruptuar; që Shqipërinë evropiane dhe lëvizjen e lirë e pa viza e ndjejnë destinacionin e së ardhmes, të cilën nuk mund ta marrë peng askush”, - thanë dje deputet socialistë të qarkut të Tiranës.

Në protestën e sotme pritet të vijnë socialistë nga të gjitha rrethet e vendit. Për organizimin e protestave prej disa ditësh është ngritur një grup pune që koordinon mbledhjen e elektoratit socialist nga rrethet për të mbërritur në protestën e sotme në sheshin para Kryeministrisë.

Berisha: I japim komisionin opozitës, por kutitë nuk hapen më

Kryeministri, Sali Berisha, tha dje se ai ishte i gatshëm që t’i jepte shumicën Ramës në komisionin parlamentar që do hetojë zgjedhjet, por tha se ai nuk mund të kërkojë hapjen e kutive. Berisha tha se, nëse do hapen kutitë, ky do ishte cenim i ligjeve të vendit.

“Jam përcaktuar dhe përcaktohem të bëj, absolutisht, çdo lëshim që nuk cenon ligjet e vendit, por, në qoftë se bëjmë kompromise për t’i vënë kazmën shtetit ligjor, është gjëja më e rëndë që mund të bëj. Ajo çka unë kam ofruar dhe ofroj që për të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR në raport, ftoj opozitën të vijë në Kuvend, të ketë shumicë në komision dhe të përcaktojnë frymën dhe germën e tyre, në ligje. Unë kam qenë dhe jam gjithnjë i vendosur t’i njoh opozitës të drejtën e vendimmarrjes për problemet zgjedhore. Unë mendoj se, si pozita, ashtu edhe opozita duhet të kenë të qartë se me gjithë fuqinë e madhe të pushtetit që ato kanë, nuk kanë fuqi gjyqësore”, - tha Berisha.

Ai deklaroi se Rama duhet të shkojë në prokurori, nëse ka prova për manipulimet zgjedhore.

“Ajo për të cilën e ftoj zotin Rama është sa vijon: politika bën ligje për të reformuar pushtetin gjyqësor, por më tutje nuk shkon. Ai që shkon më tutje është vetë sistemi i drejtësisë. Ndaj, të shkojë në prokurori, t’i paraqesë të gjitha çështjet atje dhe prokuroria ka tagrin të marrë të gjitha vendimet e duhura. Të gjejë të gjitha argumentet, çështjet që t’i paraqesë prokurorisë dhe prokuroria, qoftë ajo e rretheve, qoftë ajo e përgjithshme, ka tagrin e plotë të urdhërimit, të hetimit, të shqyrtimit të çështjeve. Në qoftë se ne dalim jashtë sistemit gjyqësor, unë e garantoj zotin Rama se ky është interesi më i keq i çdo qytetari shqiptar, çdo force politike dhe i kujtdo. Ndërsa për çështjet e tjera, unë them se nuk është problem, ne jemi gati t’i japim shumicën, ia japim 10 herë shumicën, pasi nuk e kemi problem këtë”, - tha Berisha.

Duke folur në lidhje me protestat, Berisha tha se opozita nuk ka zgjedhur rrugën e duhur. Ai tha se opozita duhet të kontribuojë që vendi të përfitojë nga liberalizimi i vizave.

“Unë besoj se nuk ka zgjedhur rrugën, por unë nuk jam udhëheqësi i opozitës, është ky i fundit që e ka përcaktuar këtë, por të paraqitësh kushte, të cilat dihet se janë të pazbatueshme dhe dëmtojnë thellë vendin. Unë gjykoj se interesi i opozitës, në mendimin tim më të mirë, është që të japë kontributin e vet në këto kohëra, për proceset e mëdha që janë para shqiptarëve, veçanërisht ai për lëvizjen e lirë. Duhet të mendojë shumë, shumë mirë se shansi është shans dhe ai është historik, nuk të jepet dy herë mundësia për të kontribuar për lëvizjen e lirë. Kjo mundësi të jepet një herë dhe duhet të jesh aty”, - tha Berisha.

Rama: Komisioni hetimor nuk është shkallë tjetër gjykimi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu përgjigj qëndrimeve të kryeministrit, Sali Berisha, për hapjen e kutive, duke thënë se ato ishin provokime të ulëta dhe të papranueshme dhe një arsye më shumë për të dalë në protestën e sotme.

Rama tha se shumicën parlamentare e kërkon për të hapur kutitë e jo për të bërë një komision të dështuar hetimor.

“Sali Berisha i trembet hapjes së kutive si djalli temjanit, sepse e di mirë që në ato kuti fshihet krimi i tij elektoral, fshihet humbja e tij më 28 qershor, fshihen manipulimet e tij me kartat, pasaportat, listat dhe me vetë votat e shqiptarëve. Fshihet projekti i tij për ta kthyer demokracinë në një skemë të mbyllur, ku fiton gjithnjë pushteti, pavarësisht si voton populli.

Sali Berisha thotë se nuk mund të na lejohet të dalim mbi drejtësinë, ndërkohë që pushteti i tij abuziv, korruptues, pushteti i tij pa legjitimitet ka dalë mbi drejtësinë, duke i mohuar opozitës një të drejtë ligjore, të drejtën për të hapur kutitë me dy anëtarë të KQZ dhe duke e vulosur këtë padrejtësi përmes një kolegji elektoral të gjunjëzuar përpara presioneve.

Ne nuk duam të dalim mbi drejtësinë dhe as të zëvendësojmë prokurorinë, por duam të bëjmë detyrën tonë, duke rivendosur drejtësinë përmes ushtrimit të së drejtës për të nxjerrë në dritën e diellit atë që Sali Berisha mban peng në terrin e kutive të mbyllura, që nuk pranon të hapen”, - tha Rama.

Ai deklaroi se nuk ka mbivendosje apo ndërhyrje te drejtësia, në rast se hapen kutitë.

“Komisioni hetimor parlamentar nuk është një shkallë tjetër gjykimi. Pra, nuk ka të bëjë fare me asnjë mbivendosje në sistemin e hierarkisë të drejtësisë. Komisioni parlamentar hetimor është një trupë që e ka themelin e vet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe që deputetët e ngrenë për një çështje të caktuar, për të hedhur dritë mbi zullumet, dhe për këtë zullum të zullumeve dhe pastaj për të dalë me propozime konkrete për përmirësime ligjore, me referenca konkrete për organin e akuzës dhe për t’i dhënë një pamje të qartë publikut lidhur me çka hetojmë”, - tha Rama.

Kryetari i PS i dha përgjigje dhe qëndrimeve të Berishës se opozita po pengon liberalizimin e vizave.

“Më lejoni ta mbyll, duke thënë se Sali Berisha duhet të japë llogari pse nuk ua dha vizat shqiptarëve, siç gënjeu në 2005, dhe i stërgënjeu edhe në fushatën e 28 qershorit, duke na akuzuar ne që thoshim të vërtetën, se nuk ka asnjë shans t’ua jap vizat, si njerëz që shpifnin, pasi vizat do të vinin menjëherë pas zgjedhjeve. Ku janë vizat? Ndërkohë që serbët, malazezët, maqedonasit do t’i marrin ato më 1 janar, duke marrë një herë e mirë të drejtën për të lëvizur lirisht pa viza, ndërsa ne jemi jo më të hapur, por edhe më të izoluar për shkak të Sali Berishës”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›