Meta: Manifestimi i opozitës, i turpshëm dhe i dështuar - socialistët ndërprenë ëndrrën e Edi Ramës
Të turpshëm dhe të dështuar e ka quajtur ministri i Jashtëm dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, manifestimin e opozitës, fundjavën e kaluar në kryeqytet, me pretendime të çuditshme dhe aspak normale për një parti politike që renditet e dyta në vend.
Gjatë një prononcimi televiziv, Meta u shpreh se socialistët bojkotuan ëndrrën e Edi Ramës, për të çuar vendin në krizë për interesat e tij personale.
Meta e konsideroi atë një manifestim të turpshëm dhe tërësisht të dështuar, ku nuk ishin të pranishëm as 2 mijë veta.
“Një force politike që ka marrë 600 apo 700 mijë vota dhe nuk mbledh dot as 2 mijë njerëz, në një miting të organizuar me aq shumë bujë, kjo do të thotë që vërtetë të kesh ngelur peng i një dëshire që është jashtë realitetit. Ishte një manifestim i turpshëm ku dje u akuzuan mediat pse kanë filmuar nga lart dhe pse nuk jepnin vetëm pamjet e regjisë së kontrolluar”, tha Meta.
Meta vlerësoi se bojkoti i opozitës nuk ka krijuar krize parlamentare dhe se e vetmja krize është ajo e vetë lidershipit socialist Rama, i cili sipas tij është njeriu i fundit që duhet të kërkojë rinumërimin e votave.
“E vetmja forcë politike që nuk mund të kërkojë hapjen e kutive, janë PS dhe PD, sepse ato kanë pasur përfaqësimin e tyre njësoj të balancuar kudo ku është administruar vota, në çdo qendër votimi dhe në çdo qendër numërimi. Dhe jo vetëm kaq, në çdo qendër votimi votat kanë qenë të filmuara. Të thuash pse të mos hapen, kjo do të thotë njësoj pse të mos bëhen zgjedhje të reja meqenëse një palë ka ngelur e pakënaqur me këtë gjë, por vendi nuk mund të hyjë në precedent të tillë kaosi dhe destabiliteti”, vijoi Meta.
Ndërkohë, për sa i përket vendimeve të kryesisë së LSI-së, për largimin e disa ish-anëtarëve të kësaj force që dolën kundër vendimit për bashkëpunim me PD-në, kryetari i kësaj partie vlerësoi se ata ishin thjeshtë njerëz që ishin futur në parti për interesa personale duke iu referuar konkretisht Ndre Legisit.
“Ata që kanë ikur nuk janë disident, ata janë përfitues, njerëz që kanë ardhur në bazë të një lloj marrëveshje që do të ishin dhe deputet, për arsye sepse kur u krijua LSI-ja ne kishim nevojë për të pasur dhe një grup parlamentar, nuk është problemi se kanë pasur ideal, apo qellim fisnik. Sepse rasti i Legisit është një njeri që me 150 vota ka dalë deputet, pra, ka përfituar kur mandati i tij vlente 25 mijë vota dhe në momentin që e pa që nuk bëhej dot si atëherë zgjodhi atë rrugë dhe le të behet pjesë e estradës së Ballshit, nuk është përgjegjësia ime”, përfundoi Meta.
...