E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E vrava 7-vjeçarin për hakmarrje ndaj të dashurit”

Liljana Mulliri, 44-vjeçarja që masakroi me sëpatë 7-vjeçarin Albert Xhihani në Vidohovë të Korçës, i duhet të vuajë 25 vjet në qeli. 

Fatos Mahmutaj

 Pohon se kjo shifër, që është më e madhe se gjysma e jetës së saj të deritanishme e tremb, por më së shumti e mundon krimi i kryer ndaj një të mituri të pambrojtur, si dhe fakti që e vrau atë teksa po luante me djalin e saj të vogël Edelvanin. Tashmë pas plot pesë vitesh, ajo e ka të freskët në kujtesë ngjarjen e 4 shtatorit 2003, kur e nxehur nga tradhtia e të dashurit të saj masakroi nipin e tij. Teksa ngrys ditët në qeli, mes dhjetëra bashkëvuajtësve, pohon se ka kaluar vetëm një moment të gëzueshëm, atë të vizitës së tre djemve të saj në qelinë ku po vuan dënimin. Madje, i madhi, i kishte sjellë edhe nusen vetëm pak ditë pasi ishte martuar. Liljana Mulliri është një nga gratë e punësuara në burg. Punon vetëm për të përfituar uljen e dënimit, ndërsa shpreson në ndonjë amnisti totale apo të pjesshme që mund t’i ulë disa kohë nga ajo që do kalojë në burg.
Zonja Mulliri, ju ndodheni në qeli pasi keni kryer një krim, të cilin e keni pranuar edhe vetë, ndërkohë pretendoni se drejtësia nuk ka vepruar drejt në gjykimin dhe dënimin tuaj?
Krimin e kam pranuar që në momentin e parë që jam marrë në pyetje. Nuk e kam fshehur kurrë. Tani jam penduar, pasi jam edhe vetë nënë dhe e kuptoj se çdo të thotë të vrasësh një fëmijë. Por ajo që më bën të mendoj se nuk është vepruar drejt në dënimin tim, është vendimi me 25 vjet burg për mua dhe vetëm 6 muaj për Gentian Xhihanin, xhaxhain e viktimës, i cili më shtyu të kryeja atë krim. Po të analizoheshin mirë rrethanat e krimit, atëherë edhe ai duhet të ishte në qeli. Unë nuk e bëra krimin se humba të dashurin. Krimin e bëra se ai më përdhunoi në sy të djalit tim Edelvanit, atëherë 9-vjeçar.
I keni thënë në gjykatë këto?
Kur nisa t’i them, Gentiani që ndodhej në të njëjtin kafaz me mua, u çua dhe më qëlloi me grushte. U bë rrëmujë në proces, por edhe pas kësaj ndaj tij nuk u mor asnjë masë ndëshkuese. 
Si ndodhi që prishët marrëdhëniet me të dashurin tuaj, me të cilin sipas vendimit të gjykatës ju i keni mbajtur për pesë vjet?
Unë jetoja mirë ekonomikisht. Kisha edhe një familje të rregullt. Gentianin e kam pasur të dashur, pasi ai më kërcënonte. Jam penduar për këtë se shkatërrova familjen. Gentiani më kërkonte para për të blerë makinë. Nuk dija si t’ia bëja, ndërsa ai sillej gjithnjë e më ashpër me mua. Më kishte përdhunuar disa herë, këtë veprim ndoshta e bënte që të më merrte sa më parë paratë. Kishte disa kohë që nuk doja të shkoja me të, por pak ditë para krimit ai më përdhunoi para syve të djalit tim të vogël, veprim pas të cilit doja vetëm hakmarrje. Duke mos e menduar gjatë, bëra atë që bëra... jam e bindur që nuk ishte ajo zgjidhja. Në momentin që njeriu bën një krim të tillë, nuk duhet të llogaritet më mes njerëzve.
Tani si i keni marrëdhëniet me familjen tuaj?
Bashkëshorti im, 10 ditë pas arrestimit tim u martua me një grua tjetër. Me të flas shumë rrallë në telefon, vetëm për hir të tre djemve, pasi më duhet t’i jap ndonjë këshillë për ta. Tre djemtë Xhiljani, Taulanti dhe Edelvani më kanë vizituar para dy javësh në qeli. Madje, Xhiljani, tashmë 23 vjeç, më solli të takoja edhe nusen, ai është martuar në tetor të vitit të kaluar. Desh Zoti që u martua, që të kenë një femër në shtëpi për t’iu gatuar dhe larë, se nuk kishte kush të m’i mbante djemtë. Tashmë, pasi u kërkova falje të gjithëve, i lutem Zotit të më falë veprimin që bëra. 

Krimi makabër ndaj 7-vjeçarit

Vrasja makabre e 7-vjeçarit Alberto Xhihani, ndodhi më 4 shtator të vitit 2003 në fshatin Vidodohë të Korçës, kur Liljana Mulliri, atëherë 39 vjeçe, e zhgënjyer nga lidhja intime me xhaxhain e viktimës, u hakmor duke vrarë të miturin. Pasi e qëlloi fillimisht me një garuzhde pas koke, pak çaste më vonë ajo e ka copëtuar të miturin me sëpatë dhe pasi e ka ndarë trupin në disa copa, e ka futur në qese dhe e ka hedhur fillimisht në pusin e fqinjit. Pas kësaj një pjesë të copave pas disa ditësh i nxori për t’i varrosur diku pranë banesës, ku dhe u gjetën dy vjet më vonë. Gjetja e eshtrave dhe disa copave të rrobave të fëmijës bëri që të rihapeshin hetimet, pas të cilit u vu në pranga Liljana Mulliri për krimin, ndërsa i dashuri i saj, Gentian Xhihani, xhaxhai i fëmijës, u prangos për moskallëzim krimi.

Dita e Liljanës, jeta mes qelisë e oborrit të burgut

TIRANE - Liljana Mulliri, korçarja 44-vjeçare gjendet çdo ditë në oborrin e brendshëm të Burgut 325. Aty nisin dhe mbarojnë ditët e saj prej pesë vitesh. Mes grave të tjera të dënuara për vepra të ndryshme, asaj i duhet të punojë disa orë punë të ndryshme, për të plotësuar normën e përditshme dhe pastaj të ketë pak kohë për të kaluar me bashkëvuajtëset. Që nga biblioteka e burgut, na tregon qelinë e saj që ndodhet aty pranë. Ajo dhomë katër me katër, tashmë është shtëpia e saj. Por ndryshe nga një familje ku do çohen në mëngjes dhe do përgatiste burrin për në punë, kjo është fshirë përgjithmonë nga jeta e saj. E trembur nga koha, e krisur nga shikimi, Liljana Mulliri ngrys ditët, muajt e vitet me bashkëvuajtëset në burg. Deri tani duke llogaritur të gjitha lehtësitë, ka vuajtur rreth pesë vjet. I kanë mbetur edhe 20 të tjera, për të cilat shprehet pesimiste. Flet për bashkëvuajtëset, thotë se ka marrëdhënie të mira me të gjitha. “Nuk ka mënyrë tjetër për të vrarë kohën në burg, veçse të mbash muhabetin mirë me të gjithë dhe të sillesh mirë. Fundja erdhëm këtu dhe do përballojmë atë çfarë vendosi drejtësia”, thotë Mulliri. Duke folur për gazetën, Mulliri nuk harron të tregojë për marrëdhëniet e mira që gratë e dënuara kanë me administratën e burgut, gardianet që qëndrojnë gjatë gjithë 24-orëshit në territorin e qelive me to. Tashmë që Mullirit i janë bërë disa vite në qeli, pohon se pak nga pak është ambientuar dhe se gjen mënyra për të menaxhuar kohën më së miri, edhe pse është e bindur se koha është ajo që ecën më ngadalë kur ndodhesh në qeli. “Pasi përfundojmë punët e qelisë, ku pastrojmë, rregullojmë, lahemi dhe ushqehemi, nisim ditën e përditshme. Ato gra që janë të punësuara në vendet e tyre dhe pasi plotësojnë oraret mblidhemi të gjitha në oborr, ku bëhet apeli dhe pastaj merremi me punë dore apo lexojmë në bibliotekë”, përfundon Mulliri.                fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›