E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vrava Bitanin në gjaknxehtësi e sipër, jam penduar

10/12/2008  Rrëfen Afrim Rraboshta në polici. Motivi i ngjarjes, një borxh prej 5 milionë lekësh

SHKODER- Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Afrim Rraboshta i akuzuar si autori i vrasjes së shtetasit Arben Bitani, ngjarje kjo e ndodhur një natë më parë në fshatin Barbullush të Shkodrës. Njëkohësisht të njëjtat burime sqarojnë se kanë arritur dhe të zbardhin shkaqet e kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve policore, vrasja ka ndodhur pas një konflikti të gjatë mes shtetasit Rraboshta me shtetasin Bitani, pasi ky i fundit i kishte një borxh prej 5 milionë lekësh të vjetra, të cilat nuk ia kishte shlyer. Kapja e autorit Rraboshta u realizua në një terren të pyllëzuar pranë vendit të ngjarjes, si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga forcat e komisariatit Shkodër në bashkëpunim me efektivat e Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së qarkut Shkodër. Sipas burimeve policore, në seancat e marrjes në pyetje autori i vrasjes, shtetasi 37-vjeçar Afrim Rraboshta ka deponuar se shkaku i ngjarjes ishte bërë një borxh që viktima i kishte prej kohësh. Shtetasi Bitani i kishte marrë 5 milionë lekë të vjetra borxh shtetasit Rraboshta dhe kishte për t’ia dorëzuar para një jave. Lidhur me këtë shumë kishin debatuar dhe herë të tjera, por këtë radhë situata kishte precipituar në sharje dhe fyerje tepër të rënda, çka kishte shkaktuar humbjen e qetësisë dhe logjikës së shtetasit Rraboshta, i cili kishte nxjerrë pistoletën dhe e kishte qëlluar për vdekje shtetasin Bitani. Burimet shprehen se gjatë marrjes në pyetje autori Rraboshta ishte penduar për veprën e kryer dhe kishte theksuar se vrasjen e kishte kryer në kushtet e një gjaknxehtësie që nuk i kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Njëkohësisht autori Rraboshta ka nënvizuar faktin se në kushte të tjera nuk do të kishte qëlluar kurrë për para ndaj një personi. Biznesmeni Bitani u gjend të hënën i vrarë me dy plumba pistolete në kokë në mjetin e tij luksoz në një rrugë të Shkodrës. Ai u gjet nga disa kalimtarë të rastit, ndërsa policia menjëherë pas këtij njoftimi identifikoi si të dyshuar një tjetër biznesmen, Afrim Rraboshtën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›