“E vrava djalin e xhaxhait, por nuk jam penduar”
Pas arrestimit merret në pyetje 63-vjeçari Hazis Pashnjari, i cili nuk ka shfaqur pendesë për ekzekutimin e të kushëririt
DIBËR “E vrava djalin e xhaxhait, sepse më ofendoi rëndë”. Kjo ka qenë dëshmia që ka bërë pas krimit, 63-vjeçari Hazis Pashnjari, pasi është marrë në pyetje nga policia e Dibrës, pas vrasjes së kushëririt të tij Sefedin Pashnjari. Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se në momentin e marrjes në pyetje i pandehuri nuk ka shfaqur shenja pendese, madje nuk është shprehur se i ka ardhur keq për atë që i kishte ndodhur. Në këto kushte duke pasur parasysh se dyja familjet kanë lidhje gjaku dhe banesat e tyre janë pranë, policia ka vendosur që të mbahen nën mbikëqyrje, pasi ka mundësi të ketë ndonjë hakmarrje mes tyre. Të shtunën në mesditë fshati Sinë e Epërme në rrethin e Dibrës u trondit nga një vrasje e ndodhur mes dy kushërinjve për motive pronësie. Hazis Pashnjari, 63 vjeç, ekzekutoi me pistoletë djalin e xhaxhait të tij, Sefedin Pashnjari, 47 vjeç, banues të fshatit Sinë e Epërme. Konflikti mes kushërinjve kishte nisur shumë vite më parë, por pardje ai arriti kulmin. Zënkat dhe përplasjet fizike mes tyre, kanë bërë që 63-vjeçari të rrëmbejë armën që mbante të fshehur dhe të qëllojë mbi kushëririn e tij Sefedin Pashnajri. E ka goditur atë me dy plumba pistolete, duke e lënë të vdekur në vend. Gjatë ditës së djeshme autori kryesor i dyshuar për vrasjen është marrë në pyetje nga efektivat e policisë dhe prokurorët e Dibrës. Që në fillim ai ka pranuar se është autori i krimit, duke u shprehur se atë e kishte kryer për motive pronësie dhe se Sefedini e kishte fyer rëndë. Në një farë mënyre, autori i krimit të rëndë nuk ka treguar shenja pendese për atë çfarë ai kishte bërë.
Ngjarja
Dy kushërinjtë Pashnjari janë konfliktuar prej disa kohësh lidhur me çështjen e pronësisë së një toke. Dy ditë më parë njëri prej tyre kishte shkuar në arë, pasi pretendonte se ishte e tija, ndërsa pas disa minutash është shfaqur kushëriri tjetër, duke filluar grindjen lidhur me kufirin ndarës të tokës. 63-vjeçari Haziz Pashnjari vrau kushëririn e tij për një gardh të tokës. Kjo ngjarje është shënuar ditën e djeshme në orët e para të mëngjesit në fshatin Sinë e Epërme, në Dibër. Ora shënonte 10:30, në një arë ku ndodheshin dy kushërinjtë, të cilët kanë ngritur zërat lidhur me tokën. Viktima, i cili është qëlluar dy herë me armë zjarri pretendonte se kjo tokë ishte në pronësi të tij, madje kushëriri i tij s’kishte absolutisht të drejta pronësie. Pasi ka dëgjuar disa fjalë, 63-vjeçari ka shkuar dhe ka marrë një armë zjarri tip pistoletë, duke e qëlluar kushëririn e tij në trup. Pasi kreu vrasjen, autori ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por disa prej banorëve që kanë dëgjuar krismat kanë njoftuar menjëherë forcat e policisë. Policia tha se Pashnjari do të akuzohet për vrasje me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.