Vdekja e djalit 2-vjeçar, nis hetimi për nënën e tij
Pogradec Vdes në rrethana misterioze 2-vjeçari, policia nën hetim nënën e fëmijës. Valbona Xhukellari është shumë e njohur për policinë e Pogradecit, pasi afro një muaj më parë ajo braktisi foshnjën e saj vetëm njëjavëshe, duke e lënë në një bunker, me një gur mbi gjoksin e fëmijës. Por teksa bebja për fat të mirë ka shpëtuar falë një dëshmitareje që e ka gjetur atë në kohë të gjallë dhe ka parë dhe gruan të largohej, ka përfunduar në gjendje të mirë në Shtëpinë e Lindjes në Pogradec. Por gruaja e re, e cila ka sjellë dy fëmijë në jetë në mënyrë ilegale, ka çuar të vdekur dhe fëmijën e saj të madh. Teksa më të voglin e ka marrë në kujdes shteti, duke e mbajtur ende në Maternitet, fëmija-2 vjeçar ka shkuar i vdekur. Gjatë të dielës policia e Pogradecit e ka shoqëruar sërish gruan, duke e marrë në pyetje, teksa dyshohet që ajo ta ketë çuar atë drejt fundit tragjik. Ndonëse kanë kaluar më shumë se 48 orë, është i veshur me mister të plotë shkaku i vdekjes së 2-vjeçarit Besjano Xhukellari, nga fshati Vërdovë në Pogradec. Ndonëse gjatë natës së të premtes, kur fëmija ka shkuar i vdekur në spital, është bërë autopsia, mjekët nuk arritën të përcaktojnë shkakun real të vdekjes së vogëlushit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur për gazetën se nëna e fëmijës, Valbona Xhukellari, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje ditën e parë të ngjarjes, se djali i saj kishte gëlltitur aksidentalisht një kokërr kumbull duke pësuar asfiksi. Pas autopsisë së vogëlushit, mjeku ligjor Hasan Laho u shpreh se mbi fëmijën nuk kishte shenja dhune, por ka dyshime për ndonjë helmim të mundshëm të tij. Sipas Lahos, vetëm pas mbërritjes së përgjigjes së analizave nga Tirana, do të bëhet i mundur zbulimi i shkakut që çoi drejt vdekjes fëmijën e pafat. Por teksa gruaja është lënë e lirë, gjatë të dielës është shoqëruar sërish në polici si e dyshuar lidhur me vdekjen e fëmijës së saj. Valbona Xhukellari ka sjellë në jetë dy fëmijë nga një lidhje jashtë martesore, teksa jeton në një çati me vëllanë e saj dhe familjarët e tjerë, duke u sjellë më shumë vështirësi ekonomike familjes së saj. Teksa ajo sillte fëmijët në jetë, nuk pranonte që të lidhte martesë me të dashurin e saj. Një muaj më parë gruaja ka tentuar të vrasë një bebe vetëm njëjavëshe, por për fat të mirë ai ka shpëtuar. Ndërsa bebja është në duart e shtetit, fëmija tjetër, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, është çuar i vdekur në spital nga gruaja e cila ka patur pretendime se ka konsumuar një kumbull. Teksa priten përgjigjet e analizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, gruaja është shoqëruar për herë të dytë, dhe pritet të kalojë në gjendje arresti.
Irena Vreto