E vrava motrën dhe nënën se vinin vonë në shtëpi
ELBASAN- Gjykata e rrethit Gjyqësor në Elbasan ka dhënë dje masën e sigurisë së arrestit me burg, për vëllezërit Leonard Sokrat Leka, 28 vjeç, dhe Dritan Sokrat Leka, 26 vjeç, me banim në lagjen “11 nëntori” Elbasan, të cilët akuzohen se në bashkëpunim, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vranë në banesë nënën Donika Lengo, 62 vjeç, dhe motrën Leonora Gani Gjokola, 43 vjeç. Prokurori i çështjes, njëkohësisht zv.prokurori i Elbasanit, Ridvan Sukaj, deklaroi para trupit gjykues se nga provat e administruara, provat e marra në vendngjarje dhe nga dëshmitë e dhëna nga të ndaluarit, rëndon akuza e vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, si dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak. Pas fjalës së prokurorit, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Miranda Çekrezi, i ka kërkuar të pandehurit Leonard Leka të sqarojë rrethanat e ngjarjes. 28 vjeçari ka dëshmuar se vrasjen e ka kryer në rrethana të tronditjes së rëndë nervore, për motive të dobëta xhelozie, pasi sipas tij, në familje kishte pasur shpesh konflikte me nënën dhe motrën për çështje morali. “Pranoj se e kam kryer unë vrasjen. Ne grindeshim shpesh. Nëna dhe motra ktheheshin vonë në shtëpi. I pata qortuar disa herë, por ato më qenë përgjigjur se kishin jetën e tyre private dhe se nuk duhej të ndërhynim në punët e tyre. Atë natë erdhën vonë e unë u kërkova llogari. Por ato kundërshtuan dhe më fyen. Mendova më mirë t’i vras sesa të jetoja pa nder. I qëllova me një pushkë që mbanin në shtëpi. Jam thellësisht i penduar për atë që ngjau. Por unë isha ai që kreva vrasjen. Vëllai nuk ka gisht në këtë ngjarje. Unë e pranoj fajin dhe kërkoj drejtësi”.
I dyti ka ardhur në sallë Dritan Leka. Ai ka mohuar që të jetë përfshirë në këtë vepër penale dhe ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ngjarjen. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Sokrat (Shefqet Lekën) Lekën, babain e djemve të akuzuar për vrasje. Burime hetimore pohuan se ai do të merret në pyetje për krimin e kryer nga djemtë dhe se dyshohet se ka dijeni për ngjarjen. “Fakti që është larguar në drejtim të paditur hedh dyshime se ai ka dijeni për ngjarjen dhe nuk tregoi, duke ndihmuar në fshehjen e krimit”, u shpreh një burim policor. Megjithatë, gjithçka është marrë përsipër nga Leonard Leka, djali i madh i tij. Ish-bashkëshorti i parë i Donika Lengos është shprehur se kishte më shumë se 20 vjet që kishte humbur kontaktet me ish-gruan e tij. “Deri sa u rrit vajza, unë kam paguar rregullisht detyrimet ligjore ndaj saj. Pas kësaj, kam dashur të kujdesem për vajzën, por ajo refuzoi. Madje kam dashur ta martoj e të krijonte familjen e saj. Mirëpo hasa në kundërshtime. Që nga ajo kohë, i kam humbur kontaktet dhe nuk është e vërtetë që kohët e fundit kam takuar ish-bashkëshorten time. Unë do ta kujtoj gjithnjë vajzën time dhe do ta përjetësoj kujtimin tim në gurin e varrit të saj”. F.S.