“E lajmërova Prel Pjetrushin se do ia vrisja vëllezërit”
SHKODËR- Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër ka bëre verifikimin e masës paraprake të sigurisë ndaj Admir Tafilit, masë sigurie kjo e dhënë në mungesë më 4 tetor 2010, kohën kur u arratis gjatë lejes ditore të dhënë nga burgu Shën Koll. Për largim nga vendi i vuajtjes së dënimit, Admir Tafilit i është komunikuar masa e sigurisë arrest me burg.
Deklarata
Seanca e verifikimit të masës së sigurisë është bërë me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur vetëm 40 minuta. Gjykatësja Irida Kacerja ka marrë të dhënat mbi identitetin e të arrestuarit, i cili është përfaqësuar nga një avokat mbrojtës i gatshëm, i caktuar nga dhoma e avokatëve Shkodër. Në lidhje me arratisjen, Admir Tafili ka deklaruar se “është larguar me qëllim hakmarrjen për vrasjen e babait të tij, Bahri Tafili, 10 vite më parë, teksa ka shtuar që shteti e ka detyruar të kryejë këtë akt, duke e shtyrë në krim për mosvënien e drejtësisë”. Në lidhje me vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Pjetrushi, nuk është bërë deklarim, pasi nuk ishte pjesë e procesit. Por mësohet se vetë Admir Tafili ka theksuar se “pas arratisjes nga burgu, kishte komunikuar në SHBA me Prel Pjetrushin, duke i kërkuar që ai të vinte se kishte hesape me të, ndryshe do i sulej vëllezërve të tij”. Të dielën, në Gjykatën e Tiranës, 35-vjeçarit ju komunikua një tjetër masë arresti, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje, ndërkohë që për akuzën e vrasjes së Nik dhe Gjovalin Pjetrushit, do të zhvillohet një tjetër seancë gjyqësore, ku do caktohet masa e sigurisë. Nuk jepen të dhëna se cila gjykatë do ta vendosë këtë masë sigurie.
Shoqërimi në gjykatë
Sjellja e Admir Tafilit në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, në mëngjesin e së hënës, është shoqëruar nga masa sigurie tepër të larta dhe të papara ndonjëherë në këtë gjykatë. Para Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër ka pasur një prani tepër të madhe të uniformave blu, ku përveç forcave të policisë së komisariatit Shkodër dhe drejtuesve më të lartë të policisë së qarkut, të pranishëm kanë qenë dhe forca RENEA dhe të ndërhyrjes së shpejtë të Shkodrës dhe Tiranës, të cilat kanë sjellë nga burgu 313 në kryeqytet, në sallën e gjyqit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, 35-vjeçarin Admir Tafili. Dhjetëra forca policie kanë nisur pastrimin e zonës që mbrëmjen e së dielës, ndërsa janë larguar të gjitha automjetet nga rruga e Gjykatës së rrethit Gjyqësor Shkodër. Mëngjesin e së hënës, kur pritej edhe ardhja e 35-vjeçarit Tafili, për t’u bërë verifikimi i tij nga gjykata, në hyrje dhe dalje të rrugës janë vendosur postoblloqe të forcave të policisë. Kanë qenë efektivët e forcave speciale Renea, që janë kujdesur për Admir Tafilin, ndërsa të tjerë efektivë, të armatosur dhe me maska, kanë kontrolluar rreptësisht çdo lëvizje rreth e rrotull gjykatës, duke sjellë dhe një situatë të pazakontë te kalimtarët. Mësohet se herët në mëngjes, përpara se Admir Tafili të sillej në gjykatë, forcat anti-eksploziv dhe kundër akteve terroriste, për disa orë kanë kryer kontrolle të hollësishme përballë ndërtesës, ndërsa në pikat më të larta përreth Gjykatës së Shkodrës janë vendosur policë. Zyrtarisht nuk bëhet e ditur se përse janë shtuar masat e sigurisë në këtë proces, por bëhet e ditur se shtimi i numrit të efektivave të policisë është bërë për të parandaluar ndonjë ngjarje, që mund të rrezikonte jetën e Tafilit, por edhe duke ditur rrezikshmërinë e tij.
Vrasja
Vëllezërit Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, me banim në fshatin Grudë e Re, të Shkodrës, janë ekzekutuar me armë zjarri teksa po shkonin për në punë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e fshatit Grudë e Re të komunës Rrethina, rreth orës 07:10 të së premtes. Sipas burimeve të policisë mendohet se autorët i kanë ngritur pritë dy vëllezërve Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, përkatësisht 42 vjeç dhe 25 vjeç, të cilët prej vitesh jetonin bashkë me familjet e tyre në këtë fshat. Dy viktimat janë vëllezërit e ish-oficerit të policisë Prel Pjetrushi, i cili në fillim vitet 2000 ka pasur poste drejtuese në Policinë e Shkodrës e Malësisë së Madhe dhe që më 21.12.2001 ishte plagosur rëndë në një pritë, jo larg banesës së tij. Ngjarja e së premtes ka ndodhur te kthesa e një prej rrugëve të brendshme të fshatit Grudë e Re, që të nxjerr në rrugën kryesore, që kalon ngjitur me ish-fushën e aviacionit. Dy vëllezërit e Prel Pjetrushit, i cili së bashku me familjen jeton prej vitesh në SHBA, kanë qenë duke lëvizur me një mjet personal tip Audi, pasi sipas deklarimeve të të njohurve shkonin në punë në Shkodër.