Vrasjet e 21 Janarit, 25 deputetë të PS-së kallëzojnë Bashën, Burgajn e Muçajn
Tiranë- Dy muaj pas demonstratës së 21 Janarit, Partia Socialiste i kërkon kryeprokurores Ina Rama të hetojë ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha; kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj; dhe atë të policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj. Kallëzimi penal, i firmosur nga 25 deputetë socialistë, është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës nga deputeti Taulant Balla, i cili pohoi për mediat se ka dorëzuar një dosje të plotë me fakte për ngjarjet e 21 Janarit. "Sot dy muaj nga masakra e 21 Janarit, në emër të grupit parlamentar socialist, depozitova kallëzimin penal në ngarkim të shtetasit Lulëzim Basha, me detyrë ministër i Brendshëm, si urdhëruesi kryesor i masakrës së 21 Janarit. Gjithashtu, pjesë e këtij kallëzimi janë edhe dy drejtuesit e Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë ngjarje: Hysni Burgaj dhe Sajmir Muçaj”, - tha Balla në të dalë të Prokurorisë, duke shtuar se bashkëngjitur kallëzimit kishte dorëzuar edhe një dosje të plotë me prova dhe dëshmi mbi demonstratën e ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku humbën jetën 4 protestues. Kallëzimi i 25 deputetëve socialistë ka vënë në qendër të akuzave ministrin e Brendshëm, duke e cilësuar atë përgjegjës për urdhrin e goditjes me armë. “Kallëzojmë si urdhërues të krimit ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, epror i drejtpërdrejtë i Gardës, pa urdhrin e të cilit, në kushtet kur nuk paraqitej asnjë rrezik për jetët e tyre, gardistët nuk kishin si të qëllonin’, - thuhet në kallëzimin e PS-së, ku aludohet se punonjësit e Gardës janë urdhëruar të hapin zjarr ndaj turmës. Një tjetër element i servirur si fakt në Prokurori është edhe deklarata publike e ministrit Basha, i cili ka pohuar për mediat se ndodhej në Kryeministri në momentin e demonstratës. Sipas PS-së, afërsia fizike me drejtuesit e Gardës e komprometon Bashën në këtë ngjarje. Ndryshe nga ministri i Brendshëm, vartësi i tij Hysni Burgaj akuzohet nga Partia Socialiste si përkrahës i autorit të krimit. Për këtë akuzë, Partia Socialiste ka argumentuar mosekzekutimin e 6 urdhër-arresteve për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës. “Urdhër-ndalimet i kanë shkuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe, sipas neni 302 të Kodit Penal, mosekzekutimi i tyre përbën përkrahje të autorit të krimit. Burgaj duhet të përgjigjet për mosekzekutimin e urdhër-ndalimeve”, - thuhet në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori nga Partia Socialiste. Sa i përket drejtorit të Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, ai akuzohet nga PS-ja për ngjarjet që pasuan demonstratën e 21 Janarit. Për të kërkuar hetimin e tij, PS-ja ka mbledhur dëshmitë e një pjese të mirë të protestuesve të ndaluar nga policia pas demonstratës, të cilët kanë pretenduar se ndaj tyre është ushtruar dhunë. “Ndalimet dhe arrestimet janë bërë me makina private, nga punonjës civilë, që prezantoheshin si punonjës policie dhe në kundërshtim me ligjin. Nuk janë lejuar kontaktet me avokatët apo me organizatat joqeveritare, që kanë kërkuar të kontaktojnë të ndaluarit. Të arrestuarit janë mbajtur në kushte izolimi, në një dhomë me shumë lagështirë, nga 8 deri në 10 ditë. Atyre u janë mohuar vizitat mjekësore”, - thuhet në kallëzimin e Partisë Socialiste, ku citohen edhe emrat e disa prej të ndaluarve pas demonstratës së 21 Janarit.