E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Masat e arrestit të shtëpisë nuk kontrollohen dot nga policia”

SHKODËR- Në analizën vjetore të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu ka vënë theksin te masat e sigurisë arrest në shtëpi, masa këto të cilat sipas Spahiut janë skandaloze. Nënkryetari i KLD-së bëri këtë deklaratë pas zhdukjes së 44-vjeçarit turk, Abdulselam Turgut, i cili u liruar nga Gjykata e Apelit, pasi ishte në kërkim ndërkombëtar për drogë dhe ishte me masë sigurie arrest me burg. Sipas Spahiut, në 95% të rasteve, ato nuk kontrollohen dhe se ka një mungesë të theksuar të bashkëpunimit mes Gjykatës, Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore për këto çështje.

Masa

Spahiu u shpreh se për këtë duhet të bëhet një debat i gjerë me gjithë gjyqësorin, për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, për çështjen e masës së sigurisë arrest shtëpie. “Urgjentisht duhen bërë ndryshime të shpejta në Kodin e Procedurës Penale dhe mënyra e zbatimit të masave të sigurisë së arrestit në shtëpi, të mos lërë asnjë hapësirë e diskrecion, as për gjykatën dhe as për policinë gjyqësore, për të futur në antagonizëm për mënyrën si do realizohet kjo masë sigurie. Duhet një debat transparent i gjykatës dhe me organet e tjera, për mënyrën si do realizohet zbatimi i masës së sigurisë së arrestit në shtëpi, deri në ndryshimet e nevojshme që duan kohë dhe për shkaqe e rrethana të ndryshme. Masa e sigurisë arrest në shtëpi që jepet nga gjykata, është kthyer në një masë formale dhe aplikohet formalisht nga gjykata, duke pasur vlerë vetëm për llogaritjen e ditëve të barabarta me ditë burgu në fund të dënimit të tij. Masa e arrestit në shtëpi, në 95 % të rasteve nuk mbikëqyret dhe është pa kontroll. I burgosuri del nga dhoma e izolimit dhe largohet në shtëpi duke ecur i lirë. Është e pamundur që për çdo masë sigurie arrest në shtëpi, që jepet nga gjykatat shqiptare, të angazhohen nga 3 policë në tre turne për t’i ruajtur”, ka theksuar Spahiu.

Vrasjet për gjakmarrje

Lidhur me krimet që lidhen me gjakmarrjen e hakmarrjen, Spahiu ka folur për domosdoshmërinë e forcimit të dënimeve për këto krime. “Një politikë e ashpër dënimi duhet aplikuar në çdo rast për autorët e veprave penale, me motiv gjakmarrjen e hakmarrjen, në mënyrë që të pakësohen sado pak krimet e kësaj natyre”, ka thënë ai. Një tjetër problem i ngritur nga ai ka qenë ai diversiteti juridik, mes trupave të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në Shkodër, e cila ka çuar në një antagonizëm. “Gjatë shqyrtimit që Gjykata e Apelit në Shkodër u ka bërë vendimeve të asaj të Shkallës së Parë në këtë rreth, janë 70 % vendime penale të lëna në fuqi, 30 % të cenuara, nga të cilat 7% janë prishur. Në çështjet civile të apeluara, janë 60 % e vendimeve nga Shkalla e Parë në Shkodër, që janë lënë në fuqi dhe 40 % janë cenuar. Pa dashur të bëj gjyqtarin e Gjykatës së Apelit në Shkodër, pasi vendimet e kësaj gjykate i kontrollon Gjykata e Lartë, mendoj se me pak kujdes do kishte më pak çështje të cenuara. Diversiteti i debatit juridik, mes Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër dhe asaj të Apelit, po bëhet antagonist dhe besoj se ka vend për diskutime e debate”, ka theksuar Spahiu. Ai ka kërkuar nga gjykatësit e Shkodrës, rritjen e standardit të gjykimit, rritjen e profesionalizmit, respektimin e solemnitetit të gjykimit në gjykatë dhe shmangien e gjykimeve në zyrat e gjykatësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›