Ndërtimet pa leje, 3 zyrtarë të Bashkisë arrestohen për korrupsion
Tiranë- Tre zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe një qytetar kanë përfunduar në pranga, gjatë një operacioni antikorrupsion, që ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit. Të arrestuarit, dy prej të cilëve punonjës të Inspektoratit të Ndërtimit dhe një i tretë, polic bashkiak, akuzohen nga Policia e Tiranës për veprën penale të korrupsionit pasiv. Burime nga policia e kryeqytetit bënë me dije për “MAPO”-n se, hetimi ka filluar pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative mbi një person të quajtur Simon Braholli, i cili po ndërtonte një shtesë pa leje. Hetimet e mëtejshme të agjentëve të policisë zbuluan skemën e korrupsionit mbi lejet e ndërtimit, që implikonte tre punonjësit e Bashkisë së Tiranës. “Pas hetimeve të kryera u provua se Adem Cenmurataj, punonjës i Inspektoratit të Ndërtimit, kolegu i tij, Agustin Lekgegaj dhe punonjësi i Policisë Bashkiake, Ylli Bala, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merrnin para në këmbim të ndërhyrjes për leje ndërtimi. Këta punonjës u arrestuan me akuzën e korrupsionit pasiv”, - bënë me dije burime nga Policia e Tiranës. Në pranga ka përfunduar edhe Simon Braholli, qytetari që dyshohet se ka dhënë rryshfet, për të legalizuar ndërtimin e tij pa leje në Tiranë. Katër të arrestuarit janë dërguar në mjediset e Policisë së Tiranës, ku janë marrë në pyetje mbi akuzat që janë ngritur ndaj tyre, si funksionarë publikë. Edhe pse nuk dihet qëndrimi i tyre mbi akuzën, burimet policore i pohuan “MAPO”-s se është provuar akuza e korrupsionit, në rastin e legalizimit të shtesës së ndërtuar nga shtetasi Simon Braholli. “Hetimet e mëtejshme do të zbardhin gjithë skemën korruptive, pasi ne dyshojmë se zyrtarët e mësipërm evidentonin ndërtime pa leje gjatë inspektimeve të tyre dhe pas presioneve, ndërhynin për të siguruar leje ndërtimi, në këmbim të parave”, - bëjnë me dije burime të Policisë. Kreu i Policisë Bashkiake të Tiranës, Zyhdi Dajti nuk ka qenë në dijeni të këtij arrestimi. Në mesnatë, ai ka shkuar pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës, për të sqaruar arrestimin e vartësit të tij. Ndërkohë, hetimet mbi 4 të arrestuarit e mbrëmshëm vazhdojnë, në bashkëpunim edhe me zyrën e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, jo vetëm për të dokumentuar episodin e mësipërm, por edhe për të zbardhur raste të tjera të dyshuara korrupsioni.