E Diel, 1 Nëntor 2026

E zbulon duke vjedhur, hajduti qëllon mbi dhëndrin e shtëpisë

Një 34-vjeçar nga Libofsha e rrethit të Fierit është vënë në pran
gat e policisë, pasi ka tentuar të vrasë me çifte një shtetas.
Sipas burimeve të policisë, 34-vjeçari i arrestuar, me personin që
donte të vriste kishte debatuar për shkak se ai e gjeti në banesën e
vjehrrit duke vjedhur. Po burimet zyrtare të policisë Fier bëjnë të
ditur për "Shqip" se autori i arrestuar e ka shkrehur armën e gjahut,
fishekët e së cilës, fatmirësisht kanë prekur automjetin dhe jo objektin
e piketuar. Ngjarja në fjalë është regjistruar në fshatin Petovë,
të Komunës Libofshë, rreth 10 kilometra larg qendrës së Fierit.
Burimet e policisë tregojnë për "Shqip" se Florant Drizaku, 34
vjeç, orët e para të mëngjesit të së shtunës, i është drejtuar banesës
së Pandeli Dokos për ta vjedhur. Ai ka hyrë brenda dhe ishte duke
kontrolluar raftet e një prej dhomave të gjumit. Ndërsa ishte në
mes të shtëpisë së Pandeli Dokos, është pikasur nga dhëndri i Pandeliut,
Aurel Grëmi. Ky i fundit mësohet të jetë përplasur me
vjedhësin, Florant Drizaku. Përleshja mes tyre ka zgjatur rreth 30
minuta dhe mësohet se 34-vjeçari Drizaku është larguar nga banesa
që ishte duke vjedhur me disa plagë si shkak i përleshjes fizike.
Por nuk ka mjaftuar me kaq kjo ngjarje, pasi autori i vjedhjes ka
shkuar në shtëpinë e tij dhe ka marrë prej andej një armë gjahu,
çifte me dy gryka. Me të në dorë, Florant Drizaku i është drejtuar
sërish banesës që do të vidhte. Aurrel Grëmi, i cili e kishte ndaluar
në këtë vjedhje dhe që ishte përleshur me të, kishte hipur në makinën
personale dhe ishte gati për të shkuar në Komisariatin e Policisë
Fier, për të denoncuar. Në drejtim të makinës së tij të tipit
"BMW" me targa të Fierit, 34-vjeçari Florant Drizaku ka shkrehur
të dy fishekët e çiftes. Fatmirësisht, Aurel Grëmi është mbrojtur
duke u ulur në sediljen e mjetit dhe fishekët e armës kanë prekur
vetëm makinën, duke i shkaktuar dëme materiale. Menjëherë,
autori 34-vjeçar është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka marrë
njoftimin dhe ka nisur qysh në orën 04:00 të mëngjesit për të
kërkuar autorin e denoncuar. Rreth orës 09:00 mësohet se Florant
Drizaku është arrestuar në një pyll pranë fshatit Petovë. Pas prangosjes,
ai ka treguar edhe armën e gjahut me të cilën tentoi të vriste
bashkëfshatarin e tij. Arma është sekuestruar në cilësinë e provës
materiale dhe gjatë marrjes në pyetje 34-vjeçari ka treguar të gjithë
ngjarjen e ndodhur pas mesnatës të së premtes. Sipas burimeve
zyrtare të policisë Fier, ndaj Florant Drizakut ka nisur procedimi
penal për veprat "tentativë vrasjeje me paramendim", si dhe për
"vjedhje e mbetur në tentativë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›