E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nën akuzë kryekomunarja e Ndroqit

 

TIRANE - Policia e Tiranës denoncoi dje në Zyrën Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e kryeqytetit, kryetaren e komunës Ndroq, Fatime Goga për akuzën e "shpërdorimit të detyrës". "Seksioni i Luftës Kundër Korrupsionit, përfundoi hetimet për veprën penale "shpërdorim detyre", ndaj Fatime Gogës, 51 vjeçe, lindur e banuese në Ndroq Tiranë, me detyrë kryetare e Komunës dhe Irena Trimi, 25 vjeçe, lindur dhe banuese Ndroq, me detyrë shefe personeli dhe sekretare në këtë komunë", tha policia. Sipas saj, nga hetimet e deritanishme, rezultoi se këto shtetase në bashkëpunim me njëra-tjetrën, duke qenë në këto detyra, dyshohet se nuk kryenin procedurat e regjistrimit dhe kërkesë-ankesat e banorëve të kësaj komune, të cilët kërkonin konfirmime mbi pronësinë e tokave. Sipas hetimeve të policisë mësohet se abuzimet e dyshuara kanë ndodhur përgjatë disa viteve kryesisht në 24 muajt e fundit. Burimet zyrtare thanë se materialet hetimore në ngarkim të dy të akuzuarave i kaluan Prokurorisë së Tiranës. Ato do të hetohen në gjendje të lirë, derisa Prokuroria të shqyrtojë kallëzimin e policisë së kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›