Spahiu, në SHBA për reformën e korrupsionin
TIRANE - Kreshnik Spahiu, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndodhet prej dy ditësh në SHBA, ku po zhvillon takime me zyrtarë të lartë amerikanë. Burime zyrtare të KLD-së pohojnë se Spahiu është pritur nga drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë dhe të sistemit gjyqësor amerikan. Ndërkohë, sipas tyre nuk kanë munguar takimet në Departamentin amerikan të Shtetit. "Bisedat me zyrtarët, prokurorët dhe gjyqtarët amerikanë janë zhvilluar mbi çështjet më të mprehta, të cilat ka sfidë sot Shqipëria, si: korrupsionin, krimin e organizuar, reformat, pavarësinë e institucioneve, sundimin e ligjit, imunitetin, procesin legjislativ në lidhje me projektet për pushtetin gjyqësor, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, administratën gjyqësore apo gjykatën administrative", thuhet në njoftimin e KLD-së. Një nga çështjet më të rëndësishme, që është trajtuar në bisedat e numrit dy të KLD-së me zyrtarët e lartë amerikanë, ka qenë plotësimi dhe zhvillimet e standardeve të institucioneve të drejtësisë dhe shtetit ligjor, si kërkesë e vendeve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë aleancë. Ndërkohë, drejtësia ka qenë në fokusin e bisedave të Kreshnik Spahiut me zyrtarët dhe juristët amerikanë. Sipas KLD-së, Spahiu pritet të ketë intervistë për mediat amerikane në lidhje me takimet dhe qëndrimet zyrtare, për sfidat e drejtësisë shqiptare të mbajtura në këto bisedime. Më tej KLD, njofton gjithashtu se zëvendëskryetari i këtij institucioni u prit gjatë ditës së djeshme, edhe nga drejtuesit e administratës gjyqësore amerikane, si dhe do të vazhdojë axhendën në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve. Në ditët në vijim, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të mbërrijë një delegacion prej gjashtë anëtarësh nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili do të drejtohet nga Kreshnik Spahiu dhe do të realizojë një sërë kontaktesh të tjera në drejtësinë amerikane, si në Dhomën amerikane të Avokatëve, Gjykatën e Lartë, Komisionin e Etikës, Gjykatën Federale, Universitetin e Harvardit, dhe institucione të tjera të ligjit dhe drejtësisë së SHBA-ve. fa.ma.