E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga në Tiranë djalit të oficerit, i kërkuar për “tentative vrasjeje”

 

TIRANE- Arrestohet Erjon Llapushi, djali i një ish-oficeri policie, i kërkuar prej bluve të Pogradecit për një plagosje të kryer dy muaj më parë. Llapushi, 20 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë së Pogradecit, vetëm një javë pas daljes së tij nga burgu, ku vuante një dënim tjetër. Llapushi, i cili sipas burimeve të policisë njihet si person mjaft problematik dhe shqetësues për policinë e Korçës dhe Pogradecit, për shkak të konflikteve dhe përplasjeve të zakonshme të tij me persona të ndryshëm. Në disa raste ka plagosur me armë zjarri apo mjete të ndryshme persona me të cilët është konfliktuar. Llapushi, është arrestuar mesditën e djeshme nga Njësia e Operacioneve Speciale dhe e Vëzhgimit, në rrugën e Dibrës, ndërsa ai po udhëtonte me një automjet të markës "Mercedez Benz" 200 ngjyrë gri, me targa të Bolonjës. Llapushi, i cili kërkohej që prej 15 gushtit të këtij viti, për krimin e "vrasjes së mbetur në tentativë", të shokut të tij Mariglen Topuzi, në një lokal të Pogradecit. Ai dyshohet se prej 20 ditësh ishte transferuar për t'iu fshehur policisë në kryeqytet. Ai ishte strehuar në një banesë të marrë me qira në rrugën "Ali Demi", të cilën ia kishte gjetur një i njohur i tij. Llapushi, ka qenë duke udhëtuar në një rrugë të ndërmjetme nga rruga e Dibrës, për të dalë në sheshin "Avni Rustemi" në drejtim të rrugës "Tefta Tashko", në drejtim të rrugës "Ali Demi", ku edhe banonte. Një itinerar i tillë sipas burimeve të policisë është kryer disa herë nga Llapushi, ndërsa ai ndiqej nga agjentët e njësisë operacionale dhe vëzhgimit. Sipas burimeve të policisë, Llapushi, më 15 gusht në një lokal në qytetin e Pogradecit, ka plagosur Mariglen Topuzin, ndërsa qëndronte bashkë me të. Sipas burimeve të policisë Topuzi është qëlluar me shishe birre dhe me armë zjarri, duke marrë një plagë në kokë dhe një plagë në gjoks poshtë zemrës. Për fatin e tij të mirë, Topuzi ka shpëtuar pavarësisht plagës së vështirë që kishte marrë. Autori i krimit, ishte liruar nga burgu, pas një viti, ndërsa ishte i dënuar për një tjetër vrasje të mbetur në tentativë, e ndodhur më 1 maj të vitit 2007. Në muajin gusht të vitit të kaluar, Llapushi, është arrestuar nga policia kufitare e Korçës për krimin e vrasjes së mbetur në tentativë me armë zjarri të Andi Sukollarit.                                            d.b

Djali i oficerit vuajti edhe një dënim
TIRANE - 20-vjeçari Erjon Llapushi, i prangosuri i djeshëm është djali i një oficeri në Policinë e Shtetit. Por një fakt i tillë nuk e ka penguar aspak atë të regjistronte mjaft precedentë penalë për vepra të ndryshme, që fillimisht klasifikohen prej policisë si tentativa vrasje dhe plagosje. Pas kësaj, ai ka marrë dënimin me burgim dhe e ka vuajtur atë, ndërsa pas daljes nga burgu ishte strehuar në Tiranë. Ndërkohë policia e Pogradecit, kishte nisur çështjen penale në ngarkim të tij në mungesë. Kështu pak ditë më parë ai është zbuluar prej kolegëve së të atit, të cilët kanë nisur survejimin e tij, derisa dje në bazë të informacioneve të plota e kanë vënë në pranga dhe ia kanë dorëzuar kolegëve të tyre të Pogradecit për të vazhduar me tej procedurat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›