E Diel, 1 Nëntor 2026

EAGLE MOBILE DHURON 20 BURSA STUDIMI

Eagle Mobile ka ndërmarrë një hap tjetër drejt përgjegjësisë sociale. Kompania ka bërë të mundur dhënien e 20 bursave për fëmijët jetimë. Ceremonia e organizuar me këtë rast u mbajt në Hotel Sheraton Tirana, ku të pranishëm ishin personalitete të ndryshme nga institucione publike dhe private, organizata shoqërore.

"Eagle Mobile", kompania që filloi një projekt shumë domethënës dhe të rëndësishëm për fëmijët jetimë, kërkoi dhe mbështetjen e 24 bizneseve të tjera që operojnë në fusha të ndryshme në tregun shqiptar, duke demonstruar në opinionin publik rëndësinë e kësaj pjese të komunitetit. "Eagle Mobile", përveç mbështetjes për jetimët shqiptarë lidhur me mundësitë e punësimit, ka finalizuar një pjesë të rëndësishme të këtij projekti, që ka të bëjë me edukimin e 20 fëmijëve dhe të rinjve jetimë në shkolla të mesme dhe të larta. 10 prej këtyre fëmijëve do të studiojnë në kolegjet më të mira në vend, ndërsa 10 të rinj të tjerë do të ndjekin studimet e tyre në disa nga universitetet private më të njohura në Shqipëri.

"Këta fëmijë vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe mbajnë mbi supe histori të ndryshme të dhimbshme. Këta fëmijë që kanë një jetë të suksesshme shkollore, janë përzgjedhur nga Eagle Mobile në bashkëpunim me shoqatat më me zë dhe më serioze në vend, që veprojnë në fushën e përgjegjësisë sociale. Disa prej këtyre fëmijëve janë bijtë dhe bijat e oficerëve të policisë të vrarë në krye të detyrës dhe ‘Eagle Mobile‘ ka menduar se këta njerëz duhen përkrahur. Ata do të kenë mundësi të studiojnë në shkollat më të mira, përfaqësuesit e lartë të të cilëve janë të pranishëm në këtë ceremoni dhe unë gjej momentin për t‘i falënderuar ata për përkrahjen", është shprehur drejtori i Përgjithshëm i "Eagle Mobile", z. Ali Taskin.

"‘Eagle Mobile‘ do të mbulojë të gjitha shpenzimet, si akomodimin apo shpenzimet e tjera për veshjen. Këto bursa do të zgjasin për 3 ose 4 vjet, në varësi të institucioneve përkatëse arsimore dhe të suksesit të këtyre nxënësve", tha ai.

Z. Taskin shtoi: "Ky projekt nuk është as i pari e as i fundit për ‘Eagle Mobile‘. Rreth 100 jetimë patën mundësi të shijojnë momentet e paharrueshme më 20 Maj, në Ditën e Fëmijëve Jetimë, në kompleksin ‘Taivan‘ në Tiranë, ndërsa 10 fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës u dërguan në Stamboll më 1 Qershor. Ata u pritën nga z. Ahmet Çalik, Presidenti i ‘Çalik Group‘ në rezidencën e tij në Stamboll".

"Eagle Mobile" që nga ditët e para të daljes në tregun shqiptar, i ka kushtuar rëndësi dhe vëmendje të veçantë përgjegjësisë sociale. Ndaj dhe kompania "Eagle Mobile" e ka deklaruar vitin 2009 "Vitin e Fëmijëve Jetimë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›