Të tjerë vlerësues, nën hetim
Prokuroria e Tiranës ka ndarë çështjen e vlerësuesve të objekteve që janë prekur nga tragjedia e Gërdecit në muajin mars të vitit të kaluar. Nga verifikimet e deritanishme është konstatuar se janë edhe disa objekte të tjera nën hetim, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm monetar të konsiderueshëm. Në këmbim të një vlerësimi më të lartë, ekspertët e ALUIZNI-t dhe Bashkisë së Vorës, sipas Prokurorisë së Tiranës, përfitonin ryshfete të majme. Metodat speciale të hetimit kanë mundësuar evidentimin e dhjetëra rasteve, ku nëpunësit e dyshuar për korrupsion bënin "pazare" me biznesmenët dhe banorët e shtëpive për një vlerësim më të madh sesa vlera reale e dëmeve që u shkaktuan nga tragjedia e Gërdecit. Por, në disa raste, në momentin që privatët nuk jepnin ryshfet, vlerësimi bëhej më i ulët.