ÇEKI PORTUGALI Portugezët duan revanshin, Çekia për mrekullinë
16 vjet në parë, çekët fituan ndaj Portugalisë në Europianin e zhvilluar në Angli. Këtë herë, talentet e drejtuara nga Bilekut do të përballen me Kristiano Ronaldon dhe shokët e tij
Kapiteni i Çekisë, Tomas Roziçki mbetet në dyshim për të luajtur në çerekfinalen e sotme, si pasojë e një problemi me tendinën e Akilit. Ai nuk është stërvitur dje dhe nëse nuk riaftësohet në kohë vendin e tij do ta marrë Daniel Kolar.
Edhe dy futbollistë të Portugalisë, Bruno Alvesh dhe Raul Meireles kanë pësuar goditje në ndeshjen e fundit në grup, të fituar ndaj Holandës, por ka të ngjarë të jenë rregullisht në fushën e lojës, teksa trajneri Paulo Bento do të hedhë në fushë atë që ai konsideron si formacioni më i mirë.
16 vjet më parë, Çekia mposhti Portugalinë në çerekfinalen e Europianit të zhvilluar në Angli, me rezultatin 1-0, në saj të golit të shënuar nga Karel Poborski, i cili pak orë pas këtij goli firmosi një kontratë me Mançester Junajtid.
Vladimir Smiçer ka qenë në fushën e lojës atë ditë, por aktualisht luan rolin e menaxherit të përgjithshëm te kombëtarja e drejtuar nga Mihal Bilek. Shtypi çek ka shkruar se ka qenë pikërisht Smiçer ai që ka formuluar listën me 32 futbollistë, nga të cilët Bilek ka vendosur të zgjedhë 23 lojtarët që marrin pjesë në Euro 2012.
Skuadra e Çekisë nuk mendon vetëm për të tashmen, por edhe për vazhdimësinë, duke qenë se plot dhjetë futbollistë në përbërjen e saj janë më të rinj se 26-vjeç.
Për shembull, dy mesfushorët Petr Jariçek dhe Vaclav Pilar, nuk kanë luajtur më shumë se 15 ndeshje me kombëtaren, por deri tani kanë shkëlqyer në veprimtarinë e zhvilluar në Poloni dhe Ukrainë, duke shënuar nga dy gola secili.
Çekia e humbi eliminatoren e parë të luajtur ndaj Lituanisë, por arriti të kualifikohet për në Euro 2012. Edhe në këtë veprimtari, e humbi ndeshjen e parë të grupit ndaj Rusisë, por i fitoi të dy ndeshjet e tjera dhe e mbylli Grupin A në vendin e parë me gjashtë pikë.
Edhe kundërshtari që do të ketë përballë, Portugalia, humbi ndeshjen e parë ndaj Gjermanisë, por u kualifikua bindshëm me dy fitoret ndaj Danimarkës dhe Holandës, në atë që konsiderohej si grupi i hekurt.
Portugezët shënuan pesë gola në këto ndeshje, duke larguar frikën e përjetuar gjatë ndeshjeve të fundit miqësore, ku në katër sfida ekipi i Bentos kishte shënuar vetëm një gol. Krahët janë arma më e fortë e portugezëve, që bazohen te Kristiano Ronaldo, Luis Nani dhe Fabio Koentrao, lojtarë që vënë në vështirësi çdo mbrojtje me krosimet dhe depërtimet e tyre.
Përballjet direkte:
- Që pas ndarjes nga Sllovakia, Republika Çeke, ka luajtur dy herë ndaj Portugalisë dhe në të dyja raste kanë qenë ndeshje për fazën finale të kampionatin europian. Në vitin 1996, Çekia fitoi në çerekfinale me rezultatin 1-0, ndërsa në Euro 2008, Portugalia i mundi çekët 3-1 gjatë fazës me grupe.
- Në total, duke përfshirë edhe kohën kur ishte Çekosllovaki, kanë luajtur 12 ndeshje mes kësaj kombëtareje dhe Portugalisë. Bilanci është krejtësisht i barabartë. Secili prej skuadra ka nga katër fitore ndërsa katër ndeshje janë mbyllur në barazim.
Çekia
- Çekia është skuadra e dytë në historinë e kampionateve europianë, që e fiton grupin me pesë gola të pësuar. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe Spanja një Euro 2000.
- Edhe në vitin 1996, kur Çekia shkoi deri në finalen e kampionatit europian, kjo skuadër e kaloi grupin duke pasur një golaverazh negativ me më shumë gola të pësuar sesa të shënuar.
- Çekia e nisi Euro 2012-n me humbjen 4-1 ndaj Rusisë. Vetëm Holanda në vitin 1988 e ka fituar trofeun, pavarësisht se e ka nisur veprimtarinë me humbje.
Portugalia
- Pasi shënoi vetëm një gol në katër ndeshjet e para të luajtura në vitin 2012, Portugalia ka shënuar plot pesë gola në dy ndeshjet e fundit.
- Kristiano Ronaldo bëhet lojtari i parë në historinë e Portugalisë që shënon në pesë veprimtari madhore. Përpara se të shënonte ndaj Holandës, CR7 e kishte gjetur golin edhe në Euro 2004 e 2008, si dhe në botërorët e viteve 2006 dhe 2010.
- Portugalia është i vetmi ekip pjesëmarrës në Euro 2012, që ka pasur formacion të njëjtë në tri ndeshjet e luajtura deri tani në këtë veprimtari.
Çekia: Të luajmë si në dy ndeshjet e fundit
Trajneri i Çekisë, Mihel Bilek, përpara çerekfinales së sotme ndaj Portugalisë, analizoi kundërshtarin që do të kenë përballë të besuarit e tij: Ata kanë luajtur shumë mirë kundër Holandës. Kanë lojtarë cilësorë dhe kërkojnë të shfrytëzojnë hapësirat dhe lojtarë si Nani dhe Kristiano Ronaldo.
Bëhet fjalët për futbollistë me famë botërore, kështu që jemi përgatitur për një ndeshje shumë të vështirë, por interesante. Duhet të mundohemi të mbajmë nën kontroll lojtarët e tyre më të rëndësishëm, si Ronaldo.
Ai ka një goditje shumë të fuqishme dhe të saktë. Kërkon të shënojë vazhdimisht, për këtë arsye është një nga golashënuesit më të mirë në botë. Duhet të luajmë në të njëjtën mënyrë që kemi bërë në ndeshjet e fundit.
Bento: Mendoj për ekipin, jo për Ronaldon…!
Paoulo Bento ka dalë në konferencë për shtyp përpara çerekfinales së sotme ndaj Portugalisë dhe ka vënë theksin te fakti që ai po punon për të marrë maksimumin nga e gjithë skuadra e tij, jo vetëm nga Kristiano Ronaldo.
Paraqitja individuale e lojtarëve nuk është e rëndësishme. Për mua vlen loja e gjithë ekipit dhe mendoj për skuadrën jo vetëm për Ronaldon. Dy golat e shënuar prej tij ndaj Holandës janë një ogur i mirë, por Kristiano nuk mund ti fitojë ndeshjet i vetë. Nuk jam dakord që ne jemi favoritë ndaj Çekisë.
Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë ndaj një kundërshtari që ia vështirëson jetë kujtdo që ka përballë. Ndoshta mund të shkojmë në gjysmëfinale, por jo pa vuajtur. Eshtë e qartë se nëse luajmë si në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Holandës do të shkojmë larg.
