Shtypi çek gjen recetën: Të ndalim Kristiano Ronaldon
Sipas gazetave në Çeki, nëse skuadra e Bilekut do të frenojë Kristiano Ronaldon, atëherë mund të kualifikohet për në gjysmëfinalet e Euro 2012
Gazetat e përditshme ceke kanë shkruar dje në lidhje me mundësitë e ndalimit të Kristiano Ronaldos ndërkohë që Çekia përgatitet të përballet me Portugalinë në çerekfinalen e parë të këtij Europiani, që luhet sot. “Lojtarët çekë nuk mund të përballen me një rrezik më të madh se ky.
Nëse duan të kenë sukses, duhet të gjejnë mënyrën të ndalin Kristiano Ronaldon, shkruan gazeta Lidove Noviny. “Ndeshjet pa gola janë të rralla në bilancet e Portugalisë. Ronaldo tregon shumë elasticitet në fushë dhe i ndëshkon pa mëshirë kundërshtarët për gabimet e tyre”, shton kjo gazetë.
Mesfushori 27-vjeçar i Realit të Madridit ka luajtur dy ndeshje në këtë turne pa shënuar gol kundër Gjermanisë dhe Danimarkës- por shënoi dy gola kundër Holandës në fitoren 2-1, duke i dhënë kualifikimin skuadrës së tij. “Nuk është e lehtë të lexosh lëvizjet e Ronaldos. Nuk e di kurrë se çfarë mund të bëjë ai”, vazhdon Lidove Noviny.
“Grabitqari sulmon. Çekët janë duke ndërtuar një mur kundër Ronaldos”, është titulli kryesor në një tjetër gazetë ceke, DNES, duke kujtuar se Ronaldo ishte motori i portugezëve në fitoren kundër çekëve në Euro 2008.
Ronaldo nuk është i vetmi golashënues, por edhe driblues dhe printer që mund të lërë pas mbrojtësit edhe me top në këmbë”, shkruan DNES, duke i këshilluar mbrojtësit që të mos e sulmojnë Ronaldon kur të jetë duke vallëzuar me top.
“Ata duhet ta shtyjnë me trup për tia vështirësuar gjuajtjen në portë. Kur ai merr top dhe del përballë portës, gjuan dhe gjuajtjet e tij janë si raketa të shkatërrimit në masë”, vazhdon DNES.
“Le ta ngacmojmë pak”, shkruan e përditshmja Sport, duke botuar edhe një foto të Ronaldos me flokë të shprishur. Turbo Ronaldo? Çekët nuk e kanë frikë” është titulli i një tjetër të përditshmeje, e cila kërkon hakmarrje për humbjen e 2008-ës.
Ronaldo do të përballet këtë herë me një skuadër tjetër ceke, që ka në gjirin e saj edhe Teo Gebre Selasie, një lojtar elastik me gjak etiopas. Por ai nuk do të thyhet, vazhdon Sport. Gebre Selasie, mbrojtësi i djathtë që luan për kampionët e Çekisë, Slovan Liberec, ka thënë se të luash kundër Ronaldos nuk është ndonjë sfidë e jashtëzakonshme.
“Të gjitha ndeshjet në këtë turne kanë qenë shumë të vështira dhe sfida mjaft të ashpra. Ronaldo është njëri ndër lojtarët më të mirë në botë, por nuk e kemi frikë, ka thënë ai për gazetën Sport.
Në krahun e majtë të mbrojtjes ceke, David Limberski do të ketë një arsye të veçantë për të pasur sukses kundër Ronaldos. “E dashura më ka thënë se do të bëhem futbollist i vërtetë kur të përballem me sukses me Ronaldon. Asaj i pëlqen shumë loja e tij, thotë ai për Lidove Noviny.
