E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet: Asnjë pistë konkrete për vrasjen e taksistit



Policia e Tiranës nuk ka ende asnjë pistë konkrete për ekzekutimin e taksistit 50-vjeçar, Ramazan Hyka, ndërkohë që janë shoqëruar rreth 20 persona, të cilët mund të kenë dijeni mbi këtë ngjarje të rëndë. Dy ditë më parë, afër liqenit të Farkës, u zbulua një makinë e djegur, brenda së cilës ndodhej edhe viktima.

Sipas burimeve nga policia e Tiranës, nuk ka ende një version të qartë mbi motivet e kësaj ngjarjeje dhe po hetohet në disa pista. Një prej tyre është ajo e hetimit të një vrasjeje për motive të dobëta. Por nuk përjashtohet as ndonjë sherr i çastit mes viktimës dhe agresorit, apo ndonjë konflikt i mundshëm. Familjarët e viktimës kanë deklaruar se viktima nuk kishte pasur asnjë konflikt apo problem me njeri, duke përjashtuar kështu pistën e hakmarrjes. Gjithashtu, po punohet për zbardhjen e tabulateve telefonike të telefonit celular të viktimës. Hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët dhe persona të tjerë, të cilët mund të japin informacione në lidhje me këtë ngjarje.

Viktima

Ekspertët kanë nxjerrë vetëm ditën e djeshme trupin nga makina e djegur. Hetuesit kanë marrë të dhënat e para nga vendi i ngjarjes. Kjo nuk u realizua mbrëmjen e një dite më parë, pasi ishte shumë vështirë që të merreshin provat. Kjo, pasi ishte errësirë dhe hetuesit arrinin që të shikonin vetëm me anë të dritave të dorës, si pasojë e terrenit shumë të vështirë, me shumë baltë dhe shi. Reshjet në mbrëmje kanë ndikuar edhe në hetim, pasi si pasojë e tij janë fshirë gjurmët dhe të dhëna të tjera në lidhje me autorët në vendngjarje. Nisur nga kjo, policia vendosi të ndërpriste hetimet, për t’i rifilluar sërish. U rrethua vendi i ngjarjes nga ana e agjentëve, si dhe u vu nën vëzhgim zona, për të nxjerrë trupin. Trupi i viktimës është transportuar për në morgun e qytetit, ku ai i është nënshtruar ekspertizës. Më pas, është arritur që të identifikohet trupi i viktimës.

Sipas njoftimit të policisë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe nga këqyrja e viktimës, u arrit nga ekspertët identifikimi i viktimës, i cili rezulton të jetë Ramazan Hyka, 50 vjeç. Gjithashtu, u arrit në përfundimin se automjeti i markës “Benz 190”, me targa TR 2321 J, ishte në pronësi të tij.

Ngjarja

Ramazan Hyka u gjet i vrarë me armë zjarri dhe i djegur në makinën e tij afër liqenit të Farkës. Trupi i 50 vjeçarit u gjet në mbrëmjen e ditës së enjte, ndërsa sipas burimeve nga policia, ngjarja mendohet se ka ndodhur një ditë më parë. Hyka u gjend në bagazhin e makinës së tij, në një rrugicë shumë pranë liqenit të Farkës. Burime nga policia shprehen se shkaqet e vrasjes janë të paqarta. Kanë qenë kalimtarë të rastit, të cilët kanë parë një makinë të djegur, që kishte përfunduar në liqen. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje. Punonjësit e policisë nuk e kanë dalluar fillimisht viktimën. Më pas, kur ata kanë hapur bagazhin e makinës, kanë parë një trup njeriu të djegur. Autori ose autorët e krimit e kanë lidhur dhe më pas e kanë futur në bagazh, ku i kanë vënë flakën makinës. Sipas burimeve nga policia, viktima Hyka kishte disa kohë që punonte si taksist në kryeqytet. Ai përdorte makinën e tij personale, tip “Mercedes-Benz” dhe ishte i palicencuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›