E Shtunë, 31 Tetor 2026

Që të mos trembim edhe vetë krizën!



Qeveria ka garantuar se “Shqipëria nuk është prekur nga kriza financiare globale”, ndërkohë që “rritja e rrogave dhe ulja e taksave” janë deklaruar nga Kryeministri Berisha si “shtyllat kryesore të strategjisë së qeverisë për të përballuar efektet e mundshme të krizës ekonomike globale në ekonominë shqiptare”. Sa i vërtetë është konstatimi i qeverisë dhe si i shikoni masat antikrizë të shpallura nga qeveria?

Kemi brenda pyetjes suaj dy shembuj shumë domethënës për mënyrën se si qeveria komunikon me shtetasit e vet, në vende si Shqipëria. I keni shtruar vërtet shumë mirë. E para ka të bëjë me mënyrën se si qeveria raporton mbi një situatë të caktuar që kalon vendi, me metodën që ajo përdor për vlerësimin e gjendjes, treguesit që përdor dhe bazueshmërinë e për rrjedhojë besueshmërinë që u jep raportimeve të saj. Ilustrimin ja ku e kemi: vetë Kryeministri del, merr mikrofonin dhe na njofton thjesht ne të gjithëve qytetarëve, bizneseve, nëpunësve, të papunëve e shtëpijakëve të këtij vendi, që nuk jemi prekur nga kriza! Çka do të thotë që edhe nëse dikush po e ndjen ndryshe këtë punë, mbi lëkurën e vet, mbi portofolin e vet apo thjesht në astarin e xhepit të vet, këtej e tutje duhet të ndërrojë mendje. Duhet të qetësohet sepse ... Shqipëria nuk është në krizë(!). Bukuri. Një lajm i tillë nuk mund të sjellë veçse lumturi.

E dyta, ka të bëjë me mënyrën si shpallen të ashtuquajturat “prioritete” nga ky stil qeverisës që administron vendin. Shembull fantastik. Pa asnjë referencë në buxhetin që ka miratuar parlamenti pak javë më parë, as në Strategjinë e Financave Publike të Republikës së Shqipërisë deri në 2013, as në dokumentin “Kuadri Makroekonomik e Fiskal për Periudhën 2009-2011”, madje as në kryestrategjinë e vendit: Strategjinë për Zhvillim dhe Integrim 2007-2009, nuk i gjen këto superprioritete që shpallen këtu. Në këtë strategjinë e madhe madje, vetë Kryeministri me emrin dhe firmën e vet, në parathënien e vet, shpall se jo rritja e rrogave, jo ulja e taksave, por “...vazhdimësia e procesit të përmirësimit të shpejtë të infrastrukturës në Shqipëri, do të jetë prioriteti ynë kryesor!”. Duket, ai që ia ka shkruar shefit këtë parathënie, a shefi vetë e ka pasur mendjen po në një vend: tek fondet gjigande të rrugës Durrës-Kukës. Sidoqoftë, paga e rritje pagash as që lexojmë gjëkund. Po kështu tek Kuadri Makro e ai Fiskal lexojmë tekstualisht: “shpenzimet për personelin e administratës publike do të qëndrojnë konstante në vitet në vijim në raport me PBB (6.3%), që do të thotë një indeksim i plotë në nivelin e inflacionit dhe rritje reale e diferencuar për sektorët prioritarë (këtë ec e mere vesh ç’do të thotë –shen. im), në përputhje me objektivat e reformës në administratën publike”. Pra ajo që sot shpallet si politikë e rritjes së shpejtë të pagave, “zyrtarisht” nuk është gjë tjetër veçse një angazhim i qeverisë për t’i indeksuar pagat me inflacionin, ose e thënë shkurt: për të mos lejuar që me pagën e re (pak më të rritur) të blihen më pak mallra e shërbime.

***

Dikush këtu mund ta humbasë durimin e të na thotë, se po flasim për gjëra krejt të ndryshme. Se kjo shpallje e fundit e Kryeministrit nuk ka të bëjë me strategjitë afatmesme të shkruara më parë e që rendita më lart, por me diçka krejt tjetër, me Strategjinë Antikrizë. Mirëpo as ky shpjegim shtesë nuk e mbyll dot këtë polemikë, madje na jep të drejtë të themi kështu qeveria po ngatërrohet edhe më keq. E para sepse (siç përmendni ju në pjesën e parë të pyetjes suaj) vetë qeveria sapo na siguroi se “Shqipëria nuk është prekur nga kriza”. Pra s’kemi krizë. E tha vetë Kryeministri. Bukuri, por nëse s’kemi krizë, ç’është atëherë ky muhabet mbi një strategji të posaçme antikrizë? Për më tepër mbi një strategji, e cila na përmbyska të gjitha strategjitë e deritanishme të miratuara po nga e njëjta qeveri, disa vetëm pak muaj më parë? Si mund t’u shpallkan kështu prioritete origjinale, thjesht ... me rastin e Vitit të Ri? Si mund të anashkalohen kështu synimet e tjera të shkruara në strategjitë e studiuara e të konsultuara me aq kujdes më parë? Madje edhe të miratuara me akte ligjore. Këto sigurisht janë disa pyetje logjike që s’ka se si të mos e duan një shpjegim. Unë për vete jam munduar ta jap një shpjegim timin, nëpërmjet shkrimesh të mëparshme si fjala vjen ai me titull: “Kjo xhungël prioritetesh!”. Thelbi këtu është jo aq paaftësia për të studiuar prioritetet e vërteta të zhvillimit apo pazotësia për t’i qëndruar prioriteteve nga pikëpamja e kapaciteteve zbatuese. Janë edhe këto, padyshim e nuk mund të mos jenë, në një administratë që çahet si bilat e bilardos sa herë që vjen një kabinet i ri, dhe “riformatohet” gjithë vitin pasonjës. Po kryesorja është se kjo “platformë rrëshqitëse” prioritetesh, është një politikë e ndërgjegjshme, një taktikë e zgjedhur e liderit të mazhorancës së sotme. Jo prioritetet shumëvjeçare, por ato disamujore, mujore e mundësisht javore janë ato që preferon ai. Duke kërcyer lirshëm nga një prioritet tek tjetri, ai realizon njëkohësisht disa gjëra. Bën pamjen e reformatorit të palodhur (uauuuu sa shumë nisma e reforma lëshohen përditë –bërtasin tuhafët). E dyta, huton e “zhurmon” monitorimin e zbatimit të reformave. E si mund të ndjekësh e matësh zbatimin e një reforme kur java e re na gjen me një tjetër prioritet reformues? E treta, shastis publikun. Sepse prioritetet e pambajtura zëvendësohen shpejt me emra të reja prioritetesh të shpallura. Në këtë kuptim kriza globale bëhet një aleat i kësaj taktike. Ajo sjell një justifikim më shumë për prioritetet e ndryshuara.

***

Kjo paqëndrueshmëri në qëndrime e prioritete por sidomos ajo kontradikta që thamë më lart (nuk kemi krizë por ndërkohë bëjmë një lançim masash anti-krizë) na jep arsye të mos i besojmë deklaratave për politika serioze. Një arsye më shumë për këtë na jep skena më e fundit e përplasjes mes dy kompetentëve të së njëjtës qeveri –Kryeministrit nga njëra anë e ministrit të Financave nga ana tjetër, e përse? Për shifrën bazë makroekonomike: rritjen e PBB-së. Vetëm ajo skenë – siç më tha sot një diplomat i huaj - mjafton për t’i zhvlerësuar përpjekjet tona disavjeçare në nxitje të investimeve të huaja. Ishte jo serioze – tha ai, me një mimikë që dukej qartë se donte të thoshte: e turpshme.

Dhe pikërisht këtu, në këtë mungesë qëndrueshmërie, evazivitet, interpretim, të gjitha të motivuara vetëm nga një objektiv: mënjanimi i presionit legjitim ndaj pushtetit e politikëbërjes, pikërisht këtu e ka bazën edhe shqetësimi ynë për largimin e FMN-së, pa përtëritur një marrëveshje të përafërt mbikëqyrëse me qeverinë shqiptare. E gjitha sa më sipër ka qenë arsyeja bazë se përse siç jemi shprehur gati çdo javë në këta tre muaj, ne vëzhguesit e jetës ekonomike, kemi plot arsye të shqetësohemi nga ky lajm. Nga fakti pra që FMN sot e tutje, ndërpret rolin e saj të “mbikëqyrjes së afërt” dhe “asistencës së ashpër” mbi administratën qendrore shqiptare, duke i lënë asaj dorë të lirë të vetëvendosë, e vetëvulosë, të kullosë e të qullosë, ndoshta edhe që të na fundosë. Na shqetëson sidomos gëzimi e hareja me të cilin qeveria e priti këtë përfundim marrëveshjeje deri në minutat e nënshkrimit të mbylljes, dy ditë më parë.

Ndërkohë që plot faktorë të rinj e përforconin edhe më shumë se deri më tani nevojën e ftesës së FMN për të qëndruar mbi kokë vendimmarrjes financiare shqiptare. Së paku edhe për 2 vjetët e ardhshëm. Këta faktorë shtesë gjenden pikërisht tek kriza e përbotshme që na rrethon dhe pa diskutim po na ndikon direkt prej shumë muajsh. E si nuk na paska “zënë” kriza? Kur transfertat private pa shpërblim për 9-mujorin 2008 ranë në 656 milionë euro, nga 723.4 milionë (9-mujori 2007), Investimet direkte për atë periudhë u rriten vetëm 2.6% (nga 370.5 mln euro në vetëm 380 mln nga të cilat gati gjysmën e përbën shitja e Albpetrolit). Kur bilanci i llogarisë korente gjatë nëntë muajve të parë të vitit ka regjistruar një deficit prej rreth 840 milionë eurosh, ose një rritje vjetore prej 60%. Kur deficiti tregtar është rritur mbi 16 % ndërsa edhe bilanci pozitiv i shërbimeve dhe transfertave bashkë është ngushtuar? Kur rreth 95% e shpenzimeve korente të kësaj periudhe ka shkuar për blerje mallrash dhe shërbimesh, ndërkohë që të ardhurat e asaj llogarie vetëm në 64% sigurohen nga eksport mallrash e shërbimesh, ndërsa 27 % ende arrihet të mbulohen nga dërgesat e emigrantëve, të cilat duke qenë në rënie e rrezikojnë seriozisht qëndrueshmërinë e sistemit.

***

ǒmund të ndodhë më tutje nga kjo mungesë e FMN-së? Shumë gjëra mund të ndodhin që na prekin të gjithëve. Thuhet se një marrëveshje me të mund të rilidhet, pasi të zgjidhet qeveria e re, pra nga vjeshta. Po tamam deri atëherë i duhet edhe pushtetit aktual kjo liri absolute. Sepse kjo periudhë mjafton e tepron që administrimi ekonomik të përmbytet nga ajo që FMN-ja e ka paralajmëruar që në shtator-tetorin e kaluar: populizmin. Edhe një qeverisje normale, kur ndodhet hëm në fushatë elektorale dhe e hëm e pambikëqyrur nga afër, ka shumë mundësi të bënte aventura. Të lëshohej në shpenzime e në kredi tregtare pa hesap. Pa u kujdesur fare për faturën e pasojat që le mbrapa. Të cilat në rast rotacioni le t’i mbeten tjetrit. Ndërsa në rast fitoreje do të arshivohen. Pa çarë kokën që ai që e mban në fund të fundit barrën e borxhit të rritur do të jetë vetëm qytetari. Ndoshta edhe brez pas brezi.

Qysh sot me FMN tek porta, shefi ynë nuk ja përton të deklarojë se jemi rritur 10%, kundrejt një realiteti krejt tjetër. Po nesër kur të mos ja prishë kush qefin?

Pikërisht këto dy gjëra pra: paralajmërimi i FMN mbi rrezikun që mund të sjellë sjellja populiste e Kryeministrit tonë sidomos gjatë fushatës elektorale, dhe e dyta këmbëngulja e saj për të mos lejuar lojëra politike me shifrat (GDP-ja dyshifrore etj.) janë edhe shkaku i humorit të mirë me të cilin u përcoll FMN-ja drejt aeroportit këto ditë.

***

Së fundi, çështja nëse dhe sa me vend është që “rritja e pagave dhe ulja e taksave” të cilësohen “dy shtyllat e strategjisë antikrizë” të qeverisë shqiptare, kërkon debatin e vet. Ajo që mund të thuhet me siguri është karakteri tejet populist i kësaj shpalljeje. Sa populiste aq edhe naive. Çfarë duan njerëzit? Po ja, rroga të larta dhe taksa sa më të ulëta. Vetëm kaq? Vetëm kaq. Po mirë t’ua japim! Ndërsa për t’i gjykuar efektet reale si politika ekonomike të ofruara, ne na mungon faqja tjetër e kandarit: ajo e burimeve. Na duhet një shpjegim minimal se si në kohë krize, kur dërgesat e emigrantëve bien dhe deficiti tregtar thellohet, kur investimet e huaja stepen dhe biznesi dridhet, ne do të paguajmë më shumë e do mbledhim më pak.

Jo se nuk e dimë që qeveri të mëdha në kohë krizash e kanë përdorur këtë politikë tipike “keinsianiste”. Gjallërimin e kërkesës. Por ajo është bërë me sukses nga shtetet më të fuqishme të botës. Që kanë ç’ofrojnë për ditë të tilla. Dhe dinë si ta konvertojnë pagesën e sotme në të ardhura shumëfishe nesër.

Vizita e Presidentit Topi në Kosovë ka hapur debatin politik e mediatik të raporteve mes dy shteteve shqiptare. Opozita ka akuzuar qeverinë se nuk ka bërë aq sa duhet për të mbështetur shtetin e ri të Kosovës, ndërkohë që qeveria pretendon të kundërtën. (S)a mendoni se ka më shumë mundësi Shqipëria të ndihmojë Kosovën? Ku është e mundshme dhe ku duhet përqendruar kjo ndihmë?

Mendoj se e kemi rrahur gjatë këtë temë në një sesion të shkuar. E kam zor të përsëris veten. Ajo që them se ja vlen të përsëritet jo njëherë, por dhjetëra herë është teza që shërbimi më i mirë që ne shqiptarët e republikës së Presidentit Topi mund t’i bënim Kosovës së Presidentit Sejdiu është e para, që ne të shkëlqenim me shembullin tonë këtu në Shqipëri. Me shembullin për të, shtet ligjor e transparent, institucione të kualifikuara, me status të qartë e me integritet, me aftësinë tonë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, për të ngritur e ruajtur e kualifikuar një administratë publike të qëndrueshme e të pastër, për të respektuar institucionet e pavarura dhe forcuar mbi këtë bazë komunikimin dhe sinergjinë ndërinstitucionale në dobi të progresit të vendit e të shoqërisë etj.

E dyta dhe vetëm si derivat i së parës, me aksione konkrete për të ndihmuar ngritjen e shtetit dhe institucioneve bazë të shtetit të Kosovës. Ndihmë në ngritje agjencish, hartim ligjesh e rregullash, trajnim administrate publike etj.

Dhe e treta, me vepra e nisma ekonomike të përbashkëta. Të gjithë e kemi vlerësuar për nga efekti ekonomik, njerëzor e kombëtar rrugën Durrës-Morinë. Por nga ballafaqimi i pardjeshëm i dy kryeministrave doli që as ajo rrugë nuk është një projekt i koordinuar mbarëkombëtar siç ju pëlqen ca liderëve të rinj ta shesin. Kryeministri Thaçi e rreshtoi atë si projektin e katërt rrugor për nga radha. ǒmund të themi pastaj për projekte energjetike të përbashkëta, projekte turistike, deri edhe klastera biznesesh të përbashkëta. Asgjë s’pipëtin në këto drejtime. Dhe kjo duhet të zinte pak më tepër vend në axhendën patriotike dhe honorifike të zotit Topi. Ndërsa disa teknicitete të protokollit e mirëpritjes së zotit Topi në Kosovë,dhuratave, nderimeve etj., nuk dua ta fsheh se më kanë lënë një shije të çuditshme. Të ngjashme me atë që të le një ushqim i mbajtur gjatë në frigorifer.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›