EKSKLUZIVE/ SAIMIR STRATI, drejt “Ginesit” të katërt me Majkëll Xheksonin prej 30 mijë penelash
Petrika GROSI
Rekordi i katërt “Gines” për artistin shqiptar Saimir Strati është afër dhe i sigurtë. Deri në muajin nëntor, Strati tregon në një intervistë ekskluzive të dhënë dje për gazetën “Albania” se, do të arrijë që ta përfundojë mozaikun e radhës. Një tjetër rast unikal në librin e rekordeve gines që i bën jehonë Shqipërisë. Kësaj here, vepra do të jetë një mozaik kushtuar “Mbretit të Popit”, të ndjerit Majkëll Xhekson, imazhi i të cilit do të ndërtohet sajë instalimit me mjeshtëri të 300 mijë penelave nga artisti. E veçanta tjetër është se puna do të bëhet duke udhëtuar përgjatë 35 ditëve nga një qytet në tjetrin, në Shqipëri dhe në Kosovë. Sipas Stratit, jo vetëm njerëzit e thjeshtë mund të ndihmojnë në realizimin e këtij projekti që kushton jo pak por 80 mijë euro; interesi është i madh edhe për bizneset e ndryshme, pushtetin lokal dhe Ministrinë e Turizmit e të Kulturës, të cilat mund ta mbështesin realizimin e mozaikut që do të shënojë një tjetër gines për shqiptarët, duke tërhequr vëmendjen e mediave vendëse, rajonale e më gjerë.
Saimir, kemi marrë vesh se po merreni me një punë të re, e cila pritet të sjellë edhe ginesin e katërt. Për çfarë bëhet fjalë?
Është një mozaik unikal, më i madhi në botë, i bërë me penela. Këtë vit kam zgjedhur mënyrën e veçantë të të punuarit duke udhëtuar. Në muajin tetor do të nis punën në Sarandë për të vijuar më tej në qytete të tjera si Gjirokastra, Vlora, Fieri, Berati, Korça, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Kukësi, Prizreni, Prishtina dhe Tirana. Sipas parashikimeve, mozaikun duhet ta përfundoj në muajin nëntor. Kjo gjetje është parë me shumë interes edhe nga Komiteti i Ginesit.
Më konkretisht, çfarë subjekti do të ketë kjo vepër?
Kam përzgjedhur Majkëll Xheksonin, duke bërë njëherësh edhe një homazh artistik për të. Ndërsa sa i përket teknikës, mendoj se sërish e gjitha kjo ka lidhje me Majkëll Xheksonin pasi ai ka qenë një performues i mrekullueshëm.
Po sa i takon teknikës që do të përdorësh për mozaikun e ri, ç’mund të zbulojmë?
I kam mbajtur të gjitha elementet dhe strukturën që është përdorur në Ilirinë e para 3 mijë vjetëve. Jam një pasardhës i ilirëve dhe si i tillë dua që ta çoj më tutje teknikën e tyre, kuptohet, duke e pasuruar me pjesën bashkëkohore. Është një pasardhje që ka një taban kulturor dhe pikërisht ky fakt, do të jetë shkaku që do të udhëtoj gjatë punës me mozaikun në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë dhe në Kosovë. Materiali që do të përdor në këtë rast janë penelat, të cilat piktorët i kanë përditë nëpër duar.
Si do të instalohen këto penela në mozaik dhe sa mendon se do të arrijë numri i tyre?
Për këtë punë do të më duhen rreth 300 mijë penela që do të instalohen në një platformë druri, mbi të cilën do të jetë një shtresë tape, e cila do t’i mbajë për momentin dhe më pas ato do të ngjiten. Kjo vepër do të jetë e shikueshme dhe e prekshme për shumë e shumë dekada.
Sa do të kushtojë ky projekt kaq ambicioz?
Vlera e përgjithshme shkon rreth 80 mijë euro. Është rasti që të bëj diçka tjetër për Shqipërinë dhe do të isha i motivuar nëse edhe shqiptarët do të më përkrahnin, ashtu siç unë po e regjistroj në emër të tyre këtë rekord të ri gines.
Në ç’kuptim kërkon përkrahjen e shqiptarëve?
Duke u nisur që nga njerëzit e thjeshtë, e deri te bizneset, të cilat mund ta gjejnë veten shumë mirë në këtë projekt, i cili do të përshkojë 2500 km në Shqipëri dhe në Kosovë; mbi bordin e një kamioni, mozaiku gjigand i Majkëll Xheksonit do të udhëtojë në qytetet që përmenda më parë, ndërkohë që unë do të punoj 16 orë në ditë, në mënyrë që ta realizoj veprën brenda 35 ditëve. Këto kohë ka nisur dhe fushata e sensibilizimit të shqiptarëve për të ndihmuar në vendosjen e këtij rekordi të ri. Numri im i llogarisë është: Raiffeisen Bank, 2102144079 ALL dhe 2100144079 Euro. Thirrja ime u drejtohet të gjithë atyre që e ndiejnë veten shqiptarë. Nëse çdo shqiptar, do të arrinte të më jepte pesë penela, e gjitha kjo do të realizohej pa asnjë problem.
Aktualisht je mbajtës i tre rekordeve gines, si të bën të ndihesh një fakt i tillë?
Jam krenar dhe këtë krenari e ndaj me të gjithë shqiptarët. Gjithë media botërore ka folur mbi rekordet e mia dhe së fundi, në faqen zyrtare të Këshillit Europian jam zgjedhur si përfaqësuesi i Shqipërisë për rekordin e fundit botëror me mozaikun tim.
A ke pasur përfitime nga këto rekorde që keni vendosur?
Në faqen zyrtare të Rekordeve Gines thuhet qartë se ata vetëm njohin atribute dhe certifikojnë me kompetencë të plotë fenomene që ndodhin rrallë në botë dhe nuk japin shpërblime financiare.
Në pjesën tjetër të botës ekziston një komunitet që i përkrah njerëzit e këtyre rekordeve, pasi ditën që certifikohet një rekord i ri, qyteti përkatës bën festë dhe kthehet në qendrën e vëmendjes mediatike ndërkombëtare.
Le të rikthehemi te tematika e kësaj radhe. Pse zgjodhe pikërisht Majkëll Xheksonin?
Besoj se jo vetëm artistët ose bashkëmoshatarët e mi e adhurojnë figurën e tij pasi të shumtë janë edhe të rinjtë, fansa të Xheksonit. Nuk jam pjesë e kritikës muzikore, por personalisht, do ta veçoja figurën e tij nga shumë intepretues të tjerë.
Do të vazhdosh gjatë të vendosësh rekorde të tjera përveç këtij të katërtit që të gjithë e presim?
Përgjithësisht, jam mësuar që shumë nga njerëzit që takoj, të më pyesin se cila do të jetë vepra ime në vijim. E them me krenari artistike si krijues, se të trija rekordet e mia nuk kanë mundur të thyen nga askush dhe nuk kanë për t’u thyer për një kohë të gjatë. Të treja veprat paraardhëse janë themeltare dhe unikale në historinë e rekordeve gines, qoftë nga kategoria, apo dhe nga dimensionet, ato nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër të botës.
Së fundi, sa rekorde gines mendon se do të vendosësh në jetën tënde?
Do të më pëlqente që në përgjigjen e kësaj pyetjeje të mos isha modest, pasi do të vazhdoj të vendos rekorde aq sa të mundem.
17 Shtator 2009