E Shtunë, 31 Tetor 2026

Supersfida dhuron emocione, por jo gola



Interi e Barcelona shfaqën një futboll “jashtë-planetar” në përballjen midis dy prej klubeve më të mëdha të Europës, në prani të 80 mijë shikuesve në “Sam Siro”, ku nuk mungoi stili i lojës, pasimet e sakta, mbulimet e forta dhe mundësitë për gol nga të dyja ekipet, por ai mungoi. Supersfida më e ndjekur e ndeshjeve të ditës së dytë të Ligës së Kampioneve përfundoi 0-0, ashtu si dhe ai shkurtit të vitit 2002, kur zikaltërit e katalanasit u përballën në “San Siro”, teksa ndeshja e parë në “Kamp Nou” kishte përfunduar me fitoren 3-0 për spanjollët. I pari që tregoi klasin e tij ishte Lione Mesi, i cili në minutën e katërt gjarpëroi midis kundërshtarëve, përfshirë edhe Lusion, teksa u desh ndërhyrja e portierit të Interit, Hulio Sezar për të shpëtuar portën. Dy minuta më pas u kundërpërgjigj Gabriele Milito për Interin , por pa sukses. Në minutën e 8-të, një shans i madh për gol për Barçën. Zlatan Ibrahimoviç mori një top të gjatë në afërsi të 16-metërshit, e stopoi me gjoks, duke rrezikuar seriozisht. Maikon goditi nga distanca në të 12’, por sfera kaloi gati gjysmë metër mbi portën e mbrojtur nga Viktor Valdes. Ibra ishte pranë golit në të 37’, por suedezi nuk mundi të mposhtë dot ish-shokun e skuadrës së tij te Interi, Sezarin.
Në minutën e 43-të, një pas i bukur me stil i Mesit për Ibrahimoviçin, por Julio Cesar ishte në gatishmëri. Pjesa e parë ishte më e mira për Barcelonën, ndërkohë që Interi më shumë u kujdes të mos pësonte gol apo të kapej në befasi nga kundërsulmi i katalanasve. Në fraksionin e dytë, Interi ishte më i qartë dhe më afër zonës kundërshtare. Një top i gjatë i Muntarit për Militon (58’) brenda 16-shes, por zikaltëri nuk e kontrolloi mirë topin duke humbur një mundësi të mirë. Dhjetë minuta më pas, një mundësi e shkëlqyer për mikpritësit. Milito fiton një duel me Abidal, topi shkon te Stankovic, serbi goditi fuqishëm por topi kaloi pak mbi portën e katalanasve. Në takimin tjetër të këtij grupi, Dinamo e Kievit mundi në shtëpi 3-1 kampionen e Rusisë, Rubin Kazan, duke marrë dhe kryesimin e përkohshëm. Domingues shënoi i pari për Rubin në pjesën e parë (25’), por ukrainasit shënuan tri herë brenda 15 minutash me anë të Jusuf (70’), Magrao (79’) dhe Gusev (85’).

Grupi E
Në grupin E, Liverpuli fitoi minimalisht 1-0 kundër kampionëve të Hungarisë, Debrecen. Golin për formacionin e Rafa Benitezit e shënoi holandezi Dirk Kajt në minutën e 45-të. Po me këtë rezultat fitoi edhe Lioni me Fiorentinën. Për francezët vendosi Pjaniç në minutën e 76-të.

Grupi G
Sevilja fitoi 2-0 me rumunët e Unirea Urziceni. Shtutgardi e Rejxhërs u ndanë në barazim 1-1.

Grupi H
Në grupin H, Olimpiakos fitoi 1-0 me AZ Alkmar. Golin për grekët e shënoi Torosidis (79’). Takimi tjetër, Standard Liezh-Arsenal u fitua nga “topçinjtë” londinezë me rezultatin 2-3. Belgët shënuan dy gola të shpejtë brnda pesë minutave të para: Mangala (3’) dhe Jovanoviç (5’, penallti), ndërkohë që për ekipin e Arsen Vengerit shënuan Bendtner (45’), Vermaelen (78’) dhe Eduardo (81’)

Laporta: “Mesi nuk ikën tek Interi”

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, hodhi poshtë mundësinë në lidhje me një transferim të Lionel Mesit te Interi i Milanos në Itali. I vlerësuar si një nga lojtarët më të mirë në botë, argjentinasi është kërkuar me ngulm nga presidenti zikaltër, Masimo Morati. “Unë e di se ëndrra e madhe e Moratit është të ketë Lionel Mesin te Interi, por ai është i informuar se Mesi shumë shpejt do të firmosë një kontratë të re. Është rritur te ne dhe është zhvilluar këtu, kështu që ai dëshiron të qëndrojë te Barcelona për një kohë të gjatë”, - tha bosi katalanas për “Il Corriere Dello Sport”. Gjithsesi, mediat ndërkombëtare e trajtuan lajmin më shumë në kuadrin e ndeshjes Inter-Barcelona, të vlefshme për Ligën e Kampioneve.

Moxhi: "Murinjo, më
i zoti për të folur”

“Murinjo është më i zoti në marrëdhëniet publike sesa si trajner. Është një njeri simpatik që thotë gjërat e tij për të mbrojtur skuadrën”. Ky është konkluzioni i eksperti të futbollit italian a atij ndërkombëtar, ish-drejtorit të Juventusit, Luciano Moxhi.

Tevez nuk hakmerret
dot ndaj “Djajve”

Karlos Tevez nuk mund të hakmerret dot ndaj ish-skuadrës së tij, Manchester United. Sulmuesi argjentinas i Manchester City është dëmtuar në gju dhe do të mungojë në derbin e madh midis dy Manchestërëve në “Old Trafford”.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›