Lezhë, aksident në Lezhë, plagosen rëndë dy persona
Dy të plagosur rëndë është bilanci i një aksidenti që ndodhi dje në aksin Fushë Krujë-Lezhë. Policia bëri të ditur se aksidenti ndodhi mesditën e djeshme kur një motoçikletë që lëvizte nga Lezha në drejtim të Tiranës i ka prerë rrugën automjetit tip golf me targa LE 4698 A dhe për pasojë janë përplasur me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e mjeteve. Ded Preni 65-vjeç, drejtuesi i mjetit tip golf dhe drejtuesi i motoçikletës një 23-vjeçar nga Lezha janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak, ku iu nënshtruan ndërhyrjes mjekësore ndërsa mësohet se ndodhen në gjendje të rëndë. Hetuesit e aksidenteve po punojnë për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti.
Tiranë
Procedimi penal ndaj dy të dyshuarve për vjedhje
Forcat e Policisë së Tiranës kanë nisur procedim penal ndaj dy personave, të cilët dyshohen se kanë vjedhur pasqyrat e automjetit tip Benz 270 me targa Tr. 9800 L, vjedhje kjo e realizuar në rrugën e “Dibrës” në Tiranë. Sipas të dhënave policore për, specialistët e hetimit të krimit, pasi kryen të gjitha veprimet hetimore, konkluduan se autorë të kësaj vjedhje kanë qenë dy personat me iniciale A. E., 21-vjeç dhe A. G., 25 vjeç, me banim në Tiranë. Bëhet e ditur se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pasqyrat e vjedhura, si edhe mjeti i mësipërm. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Tiranës në ngarkim të dy personave të mësipërm, për veprën penale të “Vjedhjes” në bashkëpunim.
Devoll
Mësuesi fyen drejtorin e shkollës, ky e denoncon
Mësuesi i shkollës 9-vjeçare në fshatin Vishocicë të komunës Qendër të Devollit, 56-vjeçari Edmond Lame, banues i këtij fshati, ka hyrë në zyrën e drejtorit Pëllumb Pasholli, duke e fyer dhe duke i thënë se nuk e njihte për drejtor të kësaj shkolle. Nga ana e policisë u kryen veprimet e para hetimore për kundërvajtjen penale të “Fyerjes për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 239 i Kodit Penal dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme. Bëhet e ditur se Edmont Lame do të ndiqet në gjendje të lirë, ndërsa materialet do t’i kalojnë për veprime të mëtejshme prokurorisë së Korçës. Ky është një nga rastet e rralla kur një mësues denoncohet për fyerje nga eprori i tij dhe që policisë i është dashur ta marrë ne konsideratë denoncimin.
17 Shtator 2009