E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu dhe Hyseni, vizitë në SHBA



Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Nju Jork pas 20 shtatorit. Takime të rëndësishme janë programuar me liderë dhe zyrtarë të shumë vendeve, takime këto të aranzhuara dhe të ndërmjetësuara, ashtu si edhe vjet, nga Misioni Amerikan dhe nga Misioni i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Sesioni i 64-ë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do t’i zhvillojë punimet në debatin e përgjithshëm nga 23 deri më 30 shtator në një sesion ku pritet të marrin pjesë mbi 100 krerë shtetesh, mbretër, dhe kryeministra si dhe dhjetëra ministra të jashtëm të të gjitha vendeve anëtare dhe nga të gjitha kontinentet, ku përvec sigurisë botërore dhe paqes, folësit do të debatojnë dhe diskutojnë reformën e Kombeve të Bashkuara dhe për ndryshimet klimatike. Sejdiu dhe Hyseni nuk do t’i drejtohen Asamblesë së Përgjithshme për arsye se Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Piter Feith: “Pas zgjedhjeve, në Kosovë edhe 4 komuna të reja”

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Piter Feith thotë se tre komuna të reja, dhe një komunë e zgjeruar do të jenë funksionale pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Feith thotë se përgatitjet kanë përfunduar në komunat e reja të Gracanicës, Klokot Vrbovaç, Ranilug, si dhe në komunën e zgjeruar Novo Brdo, dhe se presidenti kosovar Fatmir Sejdiu është informuar për këtë çështje. “Themelimi i këtyre komunave të reja është një hap i rëndësishëm në realizimin e të drejtave për komunitetin serb të Kosovës dhe integrimin e tyre në një sistem të vetëm të qeverisjes lokale në Kosovë”,- tha Feith. Këto komuna do të kenë kompetenca të njëjta si të gjitha komunat e tjera në Kosovë dhe do të marrin përsipër disa kompetenca të zgjeruara përfshi mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore, si dhe emërimin e komandantëve lokale të policisë.

JAponi
Jukio Hatojama zgjidhet kryeministër
Parlamenti i Japonisë zgjodhi ish-udhëheqësin e opozitës, Jukio Hatojama si kryeministër të vendit. Muajin e kaluar, Partia Demokratike e zotit Hatojama siguroi një fitore të thellë, 308 nga 480 vendet në Dhomën e Ulët të Parlamentit, duke i dhënë fund më tepër se 50 vjet sundimi të Partisë konservatore Liberal Demokrate. Dje, Dhoma e Ulët e Parlamentit japonez mbajti një sesion të posaçëm për zgjedhjen zyrtarisht të zotit Hatojama, i cili është zotuar t’i pakësojë shpenzimet e panevojshme qeveritare dhe ta fuqizojë ekonominë e dytë më të madhe të botës.

Bosnje
Protestë kundër lirimit të ish-presidentes
Rreth 200 myslimanë të Bosnjës, të afërm të viktimave të luftës, protestuan dje kundër vendimit të Tribunalit të Hagës për lirimin e parakohshëm të ish-presidentes Biljana Plavshiç. Tribunali i Hagës vendosi, që të lirojë Plavshiçin, ish-presidenten e serbëve të Bosnjes, pasi vuajti dy të tretat e dënimit 11 vjeçar për përndjekjen e myslimanëve gjatë luftës. Plavshiç, që ishte e afërt me ish-liderin e Bosnjes, Radovan Karaxhiç, u shpall fajtore për përndjekjen mbi baza politike, racore dhe religjioze.
Mendohet se lirimi i saj do të krijojë tension të njerëzit.

Turqi
Arrestohen 6 persona për sulmet e 2003-s
Policia turke tha se janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar në përfshirjen e sulmeve vetëvrasëse të Al Kaidës, që vranë dhjetëra persona në Stamboll në vitin 2003. Policia tha se arrestimet u bënë në Stamboll. Në vitin 2003, kamionët që bartnin lëndë shpërthyese u përplasën në dy sinagoga në Stamboll, duke lënë të vrarë dhjetëra persona. Një shpërthim tjetër në degën e bankës Hong Kong Saving Bank, në qendër të qytetit janë vrarë 30 persona tjerë. Shtatë militantë tashmë janë dënuar me burg të përjetshëm në lidhje më këto shpërthime.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›