E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shkëmbi i Kavajës”, në pranga për abuzim me pronat ish deputeti demokrat

Flori Bajramaj është arrestuar dje sëbashku me Pasho Beqirin për abuzim me pronat. Beqiri dhe Bajramaj akuzohen se kanë lejuar ndërtimet private në troje publike

Pranga ish deputetit të PD-së Flori Bajramaj (2005-2009) dhe bashkëpunëtorit të tij Pasho Beqir për abuzime të rënda me lejet e ndërtimit në Durrës. Gjykata e Durrësit caktoi dje masën e arrestit me burg për të dy “VIP”-at pas hetimit të kryer nga ekipi i Task Forcës së Durrësit mbi disa leje ndërtimi abuzive të dhëna në terrenet publike në Golem. Vepra penale ka lidhje me veprimtarinë e disa viteve më parë të dy të arrestuarve, kur të dy ata kishin “çelësat e drejtimit” të KRRT-së së komunës Rashbull. Katër vite më parë Pasho Beqiri kryente detyrën e Kryetarit të Këshillit Teknik dhe Relatues në KRRT-në e Komunës Rashbull ,ndërsa ish deputeti Flori Bajramaj kryente detyrën e Anëtarit të Këshillit Teknik në Komunën Rashhbull.Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri -tjetrin kanë kaluar për shqyrtim dhe miratuar njëkohësisht në KRRT-n e kësaj komune disa kërkesa për sheshe e leje ndërtimi (në pronë publike,pa vërtetim pronësie )në kundërshtim me ligjin për Urbanistikën.
Hetimi
Hetimi i veprimtarisë të dy të arrestuarve të djeshëm ka nisur rreth dy vite më parë nga prokuroria e Durrësit, pas informacioneve të marra mbi shkeljet që ishin konstatuar në disa nga ndërtimet më luksoze në zonën e Golemit. Ekspertët e prokurorisë për dy vite me radhë kanë “tjerrë” dosjen në fjalë dhe jo më larg se dita e djeshme ata kanë dorëzuar të gjitha faktet dhe të dhënat në Gjykatën e Durrësit duke kërkuar dhe arrestimin e menjëhershëm të dy ish drejtuesve të KRRT-së së komunës së Rashbullit, të cilët ishin evidentuar si dy personat që kishin mbështetur në kundërshtim me ligjin ndërtimet në zonat publike. “Më datë 16.09.09 ora 19.00 shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës në bashkëpunim me Sektorin Operacional në Drejtorinë e Policisë Qarkut në kuadër të operacionit te Koduar ‘Shkëmbi i Kavajës’ bën të mundur kapjen dhe arrestimin e dy shtetasve: Flori Bajramaj i vitlindjes 1971 lindur dhe banues në Durrës,me arsim të lartë, i martuar dhe Pasho Beqiri i vitlindjes 1959 lindur dhe banues në Shkallnuer Durrës, i martuar. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës në Vendimet numër 548 dhe 549 të datës 16.09.09 ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në Burg’ pasi të dy shtetasit e lartpërmendur kanë konsumuar veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ parashikuar nga neni 248 i K. Penal”, njoftonte dje zyrtarisht policia e Durrësit
Bajramaj
Flori Bajramaj u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në vitin 2005 dhe në jetën e tij parlamentare ai nuk shënoi ndonjë protagonizëm të spikatur përveçse në disa raste kur emri i tij u lakua për “transferimin” e shpeshtë në disa grupe parlamentare, ndërsa për një periudhë të shkurtër kohore ai bënte pjesë në grupin e Partisë Agrare Ambientaliste të udhëhequr nga Lufter Xhuveli. Bajramaj është nipi i kreut aktual të komunës Rashbull, zotit Hysen Gashi dhe prej shumë vitesh ka qenë një nga aktivistët më të njohur të kësaj zone. Karriera e tij politike nën siglën e demokratëve nisi në vitin 2000, ku për herë të parë Bajramaj u zgjodh si përfaqësues vendor i kësaj partie në strukturat e komunës Rashbull.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›