E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, politika e jashtme dhe rreziku nga Rusia dhe Kina



Blerina Olldashi
Sfidat e Shteteve të Bashkuara në lidhje me politikën e jashtme janë katër shtete: Rusia, Kina, Irani dhe Koreja Veriore. Denis Bler, drejtori i Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara ka publikuar raportin më të ri, në të cilin theksohet këto vende, paraqesin sfidën më të madhe për interesat kombëtare. Komuniteti i inteligjencës të SHBA-ve, çdo katër vjet përpilon strategjinë kombëtare, mbi sfidat e jashtme ndaj interesave amerikane. Përfshirja e Iranit dhe e Koresë Veriore, nuk do të befasojë askënd, por vënia në këtë listë e Rusisë dhe e Kinës, është diçka e befasishme. Në raport thuhet se Moska dhe Uashingtoni kanë qëllime të përbashkëta në sigurimin e armtimit të tyre bërthamor, që ai të mos bjerë në duar të gabuara. Po ashtu theksohet se Rusia “mund të vazhdojë të synojë rrugë për rikthimin e forcës dhe të ndikimit për të komplikuar interesat e Shteteve të Bashkuara”. Përsa i përket Kinës, që me SHBA-të ka interesa të përbashkëta biznesi dhe i ka Amerikës një borxh prej disa miliardë dollarësh, në raport thuhet se Pekini po bën garë për të njëjtat burime, të cilat i duhen Amerikës dhe është në procesin e modernizimit të shpejtë të ushtrisë së saj. Analisti nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Antoni Kordesman, thotë se mbivlerësimi i këtyre sfidave do të ishte gabim, por Uashingtoni duhet ta mbajë shikimin në të dyja vendet. Sipas tij, Kina është forcë e rëndësishme ushtarake si në kuptimin e armatimit bërthamor ashtu edhe të atij konvencional. Kur kësaj i shtohet edhe synimi i saj për burime, që i duhen ekonomisë kineze për të shënuar rritje, atëherë bëhet e qartë se me çfarë sfide duhet garuar. ”Përderisa Kina po bëhet një nga ekonomitë më të mëdha botërore, ekzistojnë sfida reale se ku do t’i merrni mineralet e pamjaftueshme, pastaj eksportet energjetike në rritje dhe furnizime të tjera. Pra, duke e marrë Kinën seriozisht dhe duke e parë atë si një rrezik potencial është diçka që realisht duhet të bëhet. Kjo nuk e bën atë armik, kjo nuk e bën atë kërcënim, por ju nuk mund të paraqiteni si fuqi e madhe, pa u bërë subjekt i shqetësimit”,- thotë analisti Kordesman. Rusia, po ashtu, paraqet problem për Shtetet e Bashkuara, thotë ai.
Është ish-perandori, që ende duhet ta stabilizojë ekonominë e saj dhe të ndërtojë sistem stabil demokratik. Është po ashtu një fuqi e madhe atomike dhe lëviz nëpër Europën Qendrore dhe Lindore dhe në Azinë Qendrore, duke bërë që shtetet e tjera të mos jenë të qeta. Ai gjithashtu pajtohet me konkludimet e raportit për Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës se Irani është sfidë për politikën e Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por po ashtu, edhe në Afganistan, për shkak të programeve bërthamore dhe raketore dhe ndihmën që Teherani e jep për militantët, e që Uashingtoni i konsideron terroristë.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›