E Diel, 1 Nëntor 2026

E masakrojnë me levë dhe i vjedhin paratë, kapen dy autorët



Tiranë – Një sherr për motive të dobëta për pak i ka kushtuar jetën një 55-vjeçari, i cili u masakrua nga dy persona, që më pas i shkatërruan makinën dhe i vodhën edhe paratë. Ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë, ku Behar Aliaj, 50 vjeç dhe Sqarim Hysi, 57 vjeç, dyshohet se kanë goditur me mjete të forta 55-vjeçarin Fatmir Çaushaj dhe më pas i kanë marrë edhe paratë në makinë. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbardhur autorët dhe shkaqet e plagosjes, ndërsa 55-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia thanë se Aliaj dhe Hysa kanë nisur një sherr me 55-vjeçarin Çaushaj, ku pas fjalëve të ndërsjella janë përdorur sendet e forta. Dy personat dyshohet e kanë goditur me grushte dhe me sende të forta në kokë dhe në pjesë të trupit Fatmir Çaushajn, i cili ka rënë në tokë për shkak të goditjeve. Autorët duket se nuk janë mjaftuar me plagosjen e 55-vjeçarit, por i kanë thyer edhe xhamin e automjetit tip furgon në pronësi të tij, duke i vjedhur shumën e parave prej 38 000 lekësh. Sipas policisë, u arrestua Behar Aliaj, ndërsa Sqarim Hysi do të ndiqet në gjendje të lirë. Ata akuzohen për veprat penale të “vjedhjes”, “shkatërrimit të pronës” dhe “dëmtimeve të tjera me dashje” në bashkëpunim.

Depresioni, një i ri u gjet i vetëvarur me litar në një ndërtesë të pabanuar

Sarandë – Një 20-vjeçar është gjetur dje i varur me litar në një ndërtesë të papërfunduar në qytetin e Sarandës. Punëtorët e ndërtesës kanë konstatuar trupin e pajetë të një djali, që sipas policisë, i përket 20-vjeçarit Flaton Shehaj. Forcat e Komisariatit të Policisë së Sarandës mbërritën menjëherë pranë ndërtesës për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se i riu është vetëvarur. Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa policia ka marrë në pyetje familjarët e të ndjerit për të zbardhur rrethanat e këtij vetëflijimi. Burime nga policia thanë se paraprakisht dyshohet se Shehaj vuante nga depresioni, gjë që e ka çuar atë në vetëflijim. Megjithatë, të njëjtat burime shtuan se po vazhdojnë hetimet për të zbardhur me saktësi shkakun që e ka detyruar të riun t’i japë fund jetës në një vend të fshehtë.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›