Policia ndalon dy turq të firmës “Kurum“, abuzuan me detyrën
Elbasan – Dy shtetas turq, punonjës të firmës turke të prodhimit të çelikut “Kurum Internacional” në Elbasan, janë ndaluar mbrëmjen e së enjtes nga policia pasi akuzohen për “falsifikim dokumentesh”, për “mashtrim” dhe “korrupsion pasiv”. Policia e Elbasanit bëri të ditur sot se operacioni për kapjen e dy shtetasve turq, Murat Gunderdi, 31 vjeç dhe Mustafa Turgul, 45 vjeç, është organizuar nga oficerët e seksionit të Antikrimit Ekonomik. Burime nga policia thanë se Mustafa Turgul, me detyrë inxhinier pranë firmës turke “Kurum Internacional” dhe Murat Gunderdi janë denoncuar nga administratori i kësaj kompanie. Ky i fundit ka deklaruar në polici se dy punonjësit e firmës kanë paraqitur dokumente të falsifikuara rreth situatës së punës së “Kurum”-it përpara drejtuesve të kësaj firme, duke përfituar në këtë mënyrë një shumë prej rreth 150 000 eurosh. Policia bëri të ditur se dyshohet që veprat penale të dy shtetasve turq të jetë konsumuar nga muaji maj i vitit 2008 dhe në vazhdim. Fill pas denoncimit të administratorit të firmës turke të prodhimit të çelikut, policia e Elbasanit nisi hetimet, në bazë të të cilave siguroi prova për ndalimin e dy turqve.
25 Prill 2009