Zgjidhen këshilltarët, Këshilli Bashkiak i Tiranës shtyn prezantimin e planit rregullues
Shtyhet prezantimi i planit rregullues të kryeqytetit në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Prezantimi i këtij plani përpara anëtarëve të Këshillit Bashkiak ka dështuar, pasi këshilltarët kanë refuzuar të njiheshin me këtë plan nëpërmjet videos që kishin sjellë përfaqësues të kompanisë zvicerane, hartues të këtij plani. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj tha se në bazë të ligjeve, plani rregullues i kryeqytetit prezantohet në këtë institucion jo nëpërmjet dokumentarëve, por nga një përfaqësues i lartë i Bashkisë. Sipas tij, anëtarët e Këshillit Bashkiak duhet të njihen me planin dhe ta diskutonin atë me një ekspertë të Bashkisë së Tiranës, pasi një vendimmarrje e tillë konsiderohet tepër e rëndësishme për të gjithë banorët e kryeqytetit. Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës ka deklaruar se përfaqësuesit i kompanisë zvicerane ishte i pranishëm ditën e mërkurë, datë në të cilën duhej të zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak, por që për mungesë të këshilltarëve që u bënë deputetë u shty. Objektivi kryesor e planit rregullues është përcaktimi i normave dhe rregullave për të lehtësuar dhe qartësuar marrëdhëniet investitorë pronarë trualli. Nëpërmjet këtij plani synohet të qartësohet dhe roli i pushtetit lokal si moderator i këtyre marrëdhënieve dhe jo thjesht spektator inert i tyre. Hartimi i planit rregullues është bazuar në marrjen në konsideratë të mendimeve dhe sugjerimeve të grupeve të interesit. I vetmi zhvillim i mbledhjes së djeshme të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit ka qenë zëvendësimi i 10 anëtarëve që kaluan në Parlament pas zgjedhjeve të 28 qershorit, 5 prej të cilëve i përkasin PD-së dhe 5 PS-së. Pas zgjedhjeve parlamentare, raporti i votave në këshillat bashkiakë ka ndryshuar, pasi PS-ja humbi maxhorancën për shkak të aleancës qeveritare PD-LSI.
19 Shtator 2009