OSSH: Mbingarkesa në rrjet shkakton black-out në gjithë vendin
Mbingarkesa në rrjetin kombëtar të shpërndarjes së energjisë ka shkaktuar ndërprerjen totale të furnizimit të energjisë për një periudhë disaminutëshe. Burimet zyrtare të OSSH-së bëjnë të ditur se ditën e premte, “në orën 5:53 të mëngjesit, për shkak të një defekti të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, është shkaktuar një black-out prej 15 minutash në të gjithë territorin e vendit”. Sipas tyre, “gjatë procesit të riparimit të problemit në një nga nënstacionet e Tiranës, për shkak të niveleve më të larta të ardhjes së rrymës dolën jashtë pune 8 linja kabllore të tensionit 20 kilovolt”. Kjo ka shkaktuar që të mbetet pa energji elektrike një pjesë e zonës lindore të qytetit të Tiranës. “OSSH-ja ka marrë masa menjëherë që një pjesë e zonës të mbulohet me energji nga linja kabllore të tjera, ndërkohë po punohet me intensitet të lartë për të kthyer në punë të gjitha linjat e tjera”, - thonë burime zyrtare të Departamentit të Komunikimit dhe Marketingut pranë kompanisë “CEZ”. Sipas tyre, “shumë shpejt, OSSH-ja do të bëjë testimin e riparimit të dëmtimit dhe rikthimin e energjisë elektrike në të gjitha pjesët e qytetit të Tiranës”.
Berisha, delegacionit të FMN-së: Bashkëpunim vetëm sipas Artikullit 4
Një delegacioni i FMN-së, që po zhvillon takime me krerët e institucioneve shqiptare në lidhje me pasojat e krizës, ka marrë përgjigje nga kreu i qeverisë, zoti Berisha, se marrëdhëniet do të jenë vetëm sipas Artikullit 4. Burimet zyrtare të Këshillit të Ministrave bëjnë të ditur se kryeministri ka pritur në takim zotërinjtë, Adam Bennett dhe Gerwin Bell. “Duke përshkruar situatën ekonomike të Europës dhe vendeve fqinje, zoti Bennet u shpreh se FMN-ja mbetet e gatshme për asistencë dhe ndihmë për të gjitha ekonomitë që kanë nevojë për të”, - thonë burimet qeveritare. Sipas tyre, kryeministri Berisha shprehu falënderimin për kontributin e dhënë nga Fondi gjatë gjithë këtyre viteve dhe theksoi, ndër të tjera, se “qeveria shqiptare është e hapur të vazhdojë bashkëpunimin me FMN-në sipas Artikullit 4”.
Në takim me përfaqësuesit e këtij institucioni, zoti Berisha është shprehur se programi i ri qeverisës për këtë 4-vjeçar është edhe më ambicioz se i pari dhe në qendër të tij qëndron ulja e deficitit deri në 50%, mbajtja e inflacionit me tavan deri në 3%, si dhe ruajtja e një ritmi të lartë rritjeje ekonomike. FMN-ja është treguar e gatshme që të ofrojë ndihmë për Shqipërinë në këtë periudhë krize, duke ofruar mundësinë për një marrëveshje të re me Tiranën zyrtare. Por, qeveria ka artikuluar qartë qëndrimin e saj përmes vetë kryeministrit, por edhe ministrit të Financave, se nuk flitet më për një raport të tillë me Fondin, duke mbyllur një kapitull disavjeçar të marrëdhënieve mes tyre.
19 Shtator 2009