E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, studentët e Juridikut do të futen në konkursin e Magjistraturës

Zgjidhet çështja e diplomave të 1500 studentëve të Fakultetit të Drejtësisë. Tafaj i dërgon shkresë zyrtare shkollës së Magjistraturës për t’i njohur diplomat

Jonida Tashi

Studentët e sapodiplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës do të futen në konkursin e Magjistraturës. Vetëm katër ditë para zhvillimit të provimit të Magjistraturës, që do të mbahet në datën 22 shtator, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule ka plotësuar kërkesën e 1500 studentëve të Juridikut, të cilët u penalizuan në mes të garës për të mos marrë pjesë në këtë konkurs. Lajmi për zgjidhjen e këtij problemi konfirmohet zyrtarisht nga vetë rektori i UT-së, Dhori Kule. “Çështja e diplomave të 1500 studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, tashmë është zgjidhur. Diplomat e tyre, do te regjistrohen, ndërkohë që i është dërguar shkresa zyrtare Shkollës së Magjistraturës, për t’i njohur diplomat e tyre, nga ministri i ri i Arsimit, Myqerem Tafaj”,- deklaron rektori Kule.
Përgatitja
Pas marrjes së lajmit të shumëpritur, 1500 kandidatët për të vijuar Magjistraturën duhet të intensifikojnë përgatitjet e tyre për konkursin e pranimit në këtë shkollë, i cili mësohet se do të jetë jo pak i lehtë. Duke qenë se studentët e Juridikut, që kishin përfunduar studimet me kohë të plotë me 4 vite akademike, nga të cilat kishin siguruar 240 kredite, u njoftuan nga Ministria e Arsimit se nuk kishin të drejtë të pranoheshin në konkursin e Magjistraturës, një pjesë e madhe e tyre i ndërprenë studimet. Udhëzimi i nxjerrë vetëm pak ditë para largimit nga posti i Ministrisë së Arsimit, nga ish-kreu i saj, Fatos Beja, vetëm sa u “prishi” punë studentëve për përgatitjen për konkurs, pasi vendimi i marrë nga pasuesi i tij në këtë dikaster, Myqerem Tafaj, ka hedhur poshtë atë të mëparshmin.
Vendimet
Duket se me vendimet e fundit që ka marrë ministri i sapoardhur në detyrë, që dy ditët e para të punës, do të ketë një klimë bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve publike, e cila ka qenë jo pak e trazuar gjatë kohës së qëndrimit të Bejës në këtë dikaster. Vetëm para dy ditësh, që përkonte edhe me ditën e parë të punës së tij si kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, sapo ka mbërritur në zyrën e tij, ka nxjerrë urdhrin se të 400 studentët e Vlorës që janë shpallur fitues, nga Agjencia e Pranimit në Universitete(APRIAL), do të regjistrohen në këtë universitetet pavarësisht mesatares. Madje, këtë urdhër ministri i ri i Arsimit, e ka përsëritur edhe mëngjesin e ditës së djeshme, duke deklaruar se ai është i pakontestueshëm, dhe do te zbatohet menjëherë nga rektorati i Universitetit të Vlorës, që studentët e rinj të regjistrohen. Nëse ky universitet nuk do ta pranojë këtë urdhër, ministri Tafaj është shprehur i vendosur se do të gjendet gjuha e përbashkët mes dy institucioneve, për të lejuar çdo studentet fitues të ulet në auditorët e universiteteve.

Dita e dytë e punës
Myqerem Tafaj bën publike reformat në arsim për 4 vitet e ardhshme

Ministri i ri i Arsimit, Myqerem Tafaj duket se e ka nisur më këmbë të “mbarë” punën në dikasterin që do të drejtojë për katër vitet e ardhshme. Pas dhënies së dy lajmeve pozitive, njërin për studentët e Juridikut që janë diplomuar në Tiranë dhe tjetrin për studentët e Vlorës, ai nuk ka nguruar të flas përpara mediave edhe për reformat që do të ndërmarrë në arsim. I pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare “Menaxhimi i Ndotjes së Mjedisit dhe Mbrojta e tij”, të organizuar nga Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave, Tafaj i është përgjigjur interesimit të mediave, jo vetëm për temën e konferencës, por edhe zhvillimet në fushën e arsimit në vend. Për vitin e ri shkollor, ministri Tafaj deklaroi se ai është i mbarë, duke mos mohuar as problemet e pranishme. Për sa i përket procesit të Maturës Shtetërore, ish këshilltari i kryeministrit për Arsimin, ka premtuar standardizimin me Evropën. “Matura Shtetërore do të konsolidohet drejt një Mature Shtetërore të standardeve evropiane, që gjimnazistët shqiptarë të hyjnë në çdo shkollë të Evropës dhe të botës pa asnjë provim plotësues. Sigurisht universitetet kanë të drejta të plota të vendosin kritere në bashkëpunim me MASH, për ta rritur nivelin e Maturës Shtetërore”,- pohoi kreu i Arsimit në vend. Një premtim edhe më të madh ka nxjerrë nga goja, Myqerem Tafaj vetëm në ditët e dytë të punës së tij si ministër Arsimi, përsa i përket pranimeve në universitete. Sipas tij, brenda katër viteve të ardhshme Shqipëria duhet të ketë 150 mijë studentë. Për të përballuar rritjen e numrit të studentëve drejt kësaj shifre, ministri Tafaj, i parapërgatitur mirë për postin e Ministrisë së Arsimit ka deklaruar se do të fillojë ndërtimi e kampuseve për universitetet publike të vendit.

19 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›