E Diel, 1 Nëntor 2026

Henri Xhons: Si i sheh administrata “Obama” Shqipërinë dhe shqiptarët

Flet eksperti i çështjeve të Ballkanit dhe një nga më të njohurit në fushën e lobimit në Uashington. Raportet mes SHBA-ve dhe BE-së, interesat e Rusisë dhe roli i shqiptarëve në rajon

Bisedoi Adelina Marku

“Shqiptarët meritojnë më shumë, më mirë”. Kështu e përfundon intervistën e tij Henri Xhons (Hanry Jones), lobuesi i njohur në Uashington, por njohësi i mirë e çështjeve rajonale dhe raporteve mes Ballkanit dhe SHBA-ve. Hartues dhe bashkëpjesëmarrës në disa strategji fushatash zgjedhore kudo nëpër Europë, përfshirë edhe atë të BG&R në vitin 2005, ai është kritik për frymën dhe konceptin e ngushtë të shumë udhëheqësve politikë shqiptarë. Sipas z. Xhons, politika në Shqipëri dhe trevat shqiptare kanë nevojë për mendje të hapura. Ai komenton edhe rolin e Uashingtonit zyrtar në zhvillimet problematike në rajon dhe koordinimin e punës me BE-në. Henri Xhons konstaton se Shqipëria mund të jetë një partnere e fuqishme në interesa me SHBA-të vetëm nëse vendos standarde dhe përcakton qartë objektivat e saj.

Presidentin Obama e shoh si trashëgimtar i të ashtuquajturit “idealizëm uillsonian” ndaj zhvillimeve në botë. Sa kam të drejtë kur jap një gjykim të këtillë?

Amerikanët, zakonisht, nuk flasin e mendojnë përmes një terminologjie të tillë jashtë rretheve akademike. Unë nuk besoj se politika e jashtme e presidentit Obama është aq e fokusuar ndaj marrëdhënieve me jashtë; Përkundrazi, them se është mjaft e fokusuar në ndikimin e saj në politikën e brendshme në SHBA. Presidenti Obama është internacionalist dhe duket se është shumë pak i interesuar në ofrimin e një lidershipi moralist te komuniteti ndërkombëtar. Duket se prioritet më të madh për të paraqet përshtatshmëria e politikës amerikane ndaj asaj që administrata e tij e konsideron si normë ndërkombëtare. Obama beson se kjo do të funksionojë derisa të arrihet ripërtëritja e fuqisë së butë amerikane (soft power) dhe kredibiliteti diplomatik amerikan në botë. Kjo, domosdoshmërish, nënkupton se kjo administratë do të japë më pak mbështetje ose vëmendje “pse”-ve rrugës drejt vetëvendosjes së shteteve dhe mendoj se do të bëjë më shumë shtytje që lëvizje të tilla të zgjidhen nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare, siç është BE-ja.

Në anën tjetër, z. Oli Ren duket se ndan të njëjtin vizion si të Obamës për shumë çështje të politikës ndërkombëtare: Ai, njësoj, tregon brengë apo shqetësim nga i ashtuquajturi “kapitalizëm autoritar”, model ky të cilit i mungojnë elemente të demokracisë liberale, të vendimmarrjes politike, sundimit të ligjit, përgjegjësisë e dhënies llogari votuesit dhe rolit të rëndësishëm të lirisë së të shprehurit, mediave dhe shoqërisë civile. Një model të këtillë e shohim aktual në Maqedoni, Rusi, përse jo dhe në Kosovë e gjetiu.

Nënkuptohet se, si amerikan, arrij t’i ndjek më pak qëndrimet e z. Oli Ren krahasuar me qëndrimet e presidentit tim. Megjithatë, besoj se që të dy ndajnë qasje të njëjtë tek dëshirojnë të orientojnë lëvizjet e vetëvendosjes; për shembull, ato në Maqedoni dhe në Republika Srpska, si çështje preokupuese të BE-së, ku, teorikisht, lëvizjet e tilla arrijnë realizimin nëpërmjet një rruge (mënyre) të qetë dhe, mbi të gjitha, përgjithësisht, të kuptueshme e të pranueshme për t’u bërë qytetar i një koncepti gjeografik më të madh sesa vetë shteti ku jetojnë, por gjithmonë duke ruajtur përkatësinë nacionale dhe identitetin. Ndërsa modeli autoritar është rezultat i mosguximit të lidershpit të tanishëm për të menduar me mendje të kthjellët dhe të hapur. Mendjet e izoluara janë egoiste, por janë dhe çuditërisht servile e të ngadalshme; janë mendje të trembura dhe pa vetëbesim. Mentaliteti autoritar është mbi të gjitha mentalitet egoist dhe egoizmi te disa politikanë të Ballkanit, veçanërisht, reflekton me përbuzje ndaj tjetrit (për shembull modeli i Millosheviçit). I njoh nga afër shumë nga liderët e shteteve të Ballkanit, por dhe bashkëpunëtorët e tyre, dhe kam bindjen se përderisa mendje të tilla egoiste flasin në emër të popullit, realiteti do të transformohet si i panevojshëm, madje, edhe për t’u ndryshuar. Kjo “ndryshe” quhet edhe diktaturë, apo jo?! Unë do të preferoja te këta liderë të shoh njerëz me zemër të madhe e që kanë prirje të vlerësojnë argumentet fituese, dhe jo ato që ofrojnë një zgjidhje të vetme. Politika është art dhe arti është më i pranueshëm kur bëhet nga njerëz të bukur, e jo nga të shëmtuarit e egoistët. E them këtë në kuptimin e bukurisë së filozofisë së Senekës, jo në kuptimin fizik gjithmonë. Fundi i fundit, një elektorat cinik është elektorat egoist dhe në këtë rast roli i “disidentëve”, - po i quaj të tillë, - është më shpëtimtar se roli i liderit që del nga një elektorat i tillë. Ja përse është i domosdoshëm edhe koncepti i lirisë së të shprehurit në këtë rajon tranzicioni. Siç duket, Ballkani është në ethet e pubertetit; ndonjëherë, në pubertet, atë që e dashurojmë fort nuk dimë si ta bëjmë për vete, prandaj më shumë e refuzojmë, sesa e pranojmë vlerën; në këtë rast, vlerën që buron demokracinë e vërtetë.

Të marrim shembull Serbinë. Në të kaluarën, atje, ishim dëshmitarë të një dileme që e çonte ose drejt së ardhmes, në BE, ose drejt kthimit të nacionalizmit. Megjithatë, unë e shoh si shenjë të mirë aktin e nënshkrimit të MSA-së me BE-në. Sikur Serbia dëshiron t’i kthehet Perëndimit...

Përsa i përket Amerikës dhe BE-së, për ta është shumë më mirë që Serbia të jetën në të njëjtën çati, me qëllim që problemet të mbeten jashtë çatisë. Në një rast të kundërt, edhe Europa, edhe SHBA-të do të kishin përsëri dhimbje koke me Serbinë. Ndërkohë, brenda në Serbi është gjithmonë aktual debati; madje, kjo është një dilemë e vërtetë për serbët, nëse e ardhmja e tyre është në Europë ose Rusi. Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizm-Asociimit ishte si rezultat i një interesi të arritur së bashku: Fuqitë progresiste shihnin në këtë akt një mundësi të rëndësishme për ta shtyrë Serbinë përpara, ndërsa nacionalistët, në këtë marrëveshje, shihnin mundësinë që ta shfrytëzonin ngjarjen për të dobësuar qeverinë e presidentit Tadiç në elektoratin rural (i cili, gjithashtu, është një bazë e votuesve të partive të ndryshme nacionaliste), e në të njëjtën kohë, një lajkatim për të marrë mbështetje nga Rusia.

Kosova, shumë shpesh, përmendet në debatet e brendshme në Serbi si një shkas për ta drejtuar shikimin më shumë drejt Moskës, sesa drejt Brukselit. A është kjo një lojë e rrezikshme? Në të njëjtën kohë, administrata “Obama” e mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës, njëkohësisht insiston në ruajtjen e të drejtave të njeriut kur flitet për serbët e atjeshëm. Por, çfarë zgjidhje shohin SHBA-të për situatën e krijuar mes Serbisë dhe Kosovës, kur Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit për Sigurim, si anëtare e Grupit të Kontaktit dhe si një fuqi e madhe, nuk arrin të bashkëpunojë me konstruktivitet me pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar, - kur vihet në tryezë pikërisht kjo marrëdhënie mes dy shteteve?

Parë historikisht, rusët gjithmonë kanë qenë aleatë të serbëve. Edhe pse shpesh në dëm të tyre, serbët gjithmonë i janë kthyer Moskës edhe në momentin kur janë gjendur në izolim të thellë. Kjo është një lojë mjaft e rrezikshme për Beogradin, por, me sa duket, ata ende nuk janë të lodhur nga kjo lloj loje.
Që nga koha e luftërave në ish-Jugosllavi, politika e Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve, por edhe e BE-së, me një intensitet më të vogël, ka qenë qëndrueshme, e për të ndaluar formimin e shteteve të reja gjithandej ku ka një grup etnik, religjioz ose racë, zgjedhin rrugën e ndarjes ose rrugën e përjashtimit të tjetrit. Është e pamundur që SHBA-të të lejojnë, madje dhe formalisht, çfarëdo lloj ndarjeje në Kosovë, pa marrë parasysh problemet praktike, të cilat e ndjekin implementimin e kësaj politike. Duket se strategjia qëndron në atë se si t’i bëhet më shumë presion BE-së që një ditë e më parë të pranojnë Kosovën dhe Serbinë në unionin e tyre, duke mundësuar që lëvizjet nacionaliste në Vojvodinë, Mitrovicë etj., të jenë të përfshira në identitetin europian me më prosperitet. Ky, të paktën, duket se është ideali. Ndërkohë, është më se e dukshme se SHBA-të do të vazhdojnë të bëjnë ndikim e presion afirmativ nëpërmjet lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, përderisa BE-ja e qetëson Serbinë e njëkohësisht tenton të bëjë ndërhyrje sforcuese për parandalimin e konflikteve ose destabilitetit në Mitrovicë ose Republikën Srpska. Gjithmonë dhe gjithmonë amerikanët duhet të mbajnë në mendje e të mos harrojnë se Rusia punon për avancimin ekskluziv, vetëm të interesave të saj. Politikat që bazohen në altruizëm nuk janë, ndoshta, më të arsyeshmet për t’i përdorur kur kemi të bëjmë me Rusinë.

Turqia shihet si në një shoqëri ku ekzistojnë tensionime të larta politike mes dy vizioneve konkurruese në shtet. Është mëse e dukshme ndarja; në njërën anë, mes sekularistëve, veçanërisht sekularistëve ekstremistë, krahasuar me sekularistët liberalë, e në anën tjetër, mes demokratëve myslimanë më shumë, shumë nga të cilët janë post-islamistë të reformuar. Obama thotë se është mëse i nevojshëm restaurimi i partneritetit strategjik me Turqinë. Ai madje e vizitoi Turqinë në një moment kur analizat nga matja e opinionit publik tregonin një simpati të turqve ndaj SHBA-ve me 12 për qind më pak. Si do ta mbështesin demokracinë, të drejtat e njeriut dhe lirinë e të shprehurit në Turqi dyshja Obama-Biden, e njëkohësisht aspirimin e Turqisë për në BE?

Do ta përsëris edhe një herë; kjo administratë beson në fuqinë e institucioneve ndërkombëtare dhe në dialog. Unë besoj dhe pres që SHBA-të do të insistojnë që ta angazhojnë Turqinë me Perëndimin në sa më shumë nivele të ndryshme e të rëndësishme për vendimmarrje; në sa më shumë prani të përbashkëta nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare. Mund të pritet edhe një presion më i madh i BE-së për pranimin e Turqisë në të. Njëkohësisht mund të pritet dhe një rol lehtësues i rëndësishëm për mundësimin e dialogut, afirmimit dhe shprehjes së tolerancës në Turqi. Prosperiteti është kyç në Turqi, ashtu si dhe në vende të tjera. Por, kombinimi i një tradite ekonomike dhe lejimi i një kulture për pranimin e një prosperiteti të tillë ekonomik i ka mundësuar Turqisë që të tejkalojë ndarjet në shoqëri. Unë besoj se kjo çështje nuk është anashkaluar nga ana e administratës amerikane, kështu që ndihma ekonomike amerikane ndaj Turqisë, si në para, ashtu dhe në teknologji, do të intensifikohet edhe më shumë.

A është e mundur që Shqipëria të perceptohet si një anëtare e re, e fuqishme, e si aleate e NATO-s, ashtu siç zakonisht shihet Turqia? E them këtë nga fakti se 99 për qind e shqiptarëve janë të orientuar pro Perëndimit dhe integrimeve, pro rolit ndikues, madje në këtë hapësirë civilizimi e oferte politike...

Shqipëria është e perceptuar si aleate e fuqishme e Amerikës nga ana e shqiptarëve dhe europianëve. Fatkeqësisht, ky fakt nuk është edhe aq i pranuar dhe i njohur nga ana e amerikanëve. Por, perceptimi për peshën e marrëdhënieve me NATO-n varet nga hapat ose zmbrapsjet që shqiptarët vetë duhet t’i bëjnë ose nuk i bëjnë. Turqia ka treguar një histori mbështetjeje ndaj NATO-s që në kohën e Luftës së Ftohtë, kur edhe ishte fronti kyç dhe muri i fortë që e ndante këtë botë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Nëpërmjet pjesëmarrjes nëpër misionet kyçe të NATO-s, nëpërmjet gatishmërinë në ofrimin e logjistikës dhe bashkëpunimit të ngushtë, në aktivitetet në rajonin ku vepron NATO, Shqipëria mund të zhvillojë e fitojë reputacionin e një aleateje të besueshme me shpejtësi, shtet anëtar i NATO-s, tek i cili gjithmonë mund të kërkosh e gjesh mbështetje. Shqipëria duhet të dijë të afirmojë e të shfrytëzojë karakteristikat e saj që flasin për traditë të fuqishme luftarake, larmishmërinë harmonizuese të të tri feve; e këtu, edhe tradita e matur islame, për të ofruar alternativa të reja dhe kapacitete jokonvencionale për Aleancën, për të bashkëpunuar nëpër zona konfliktesh, të cilat tani janë të përqendruara në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.

Sa duhet parë si indikativ takimi i presidentit Obama me patriarkun e Kishës Greke? Jo më larg se 2007-a, Obama ishte një nga mbështetësit e Rezolutës me numër 300 të Senatit përmes së cilës iu dha mbështetje pozicionimit grek, kur flitet për konfliktin mbi çështjet e emrit të Maqedonisë. Madje, ky akt ndodhi menjëherë pasi administrata “Bush” pranoi Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.

Sekretarja e Shtetit, zonja Hilari Klinton, para ca kohësh shfaqi mbështetje të madhe ndaj Greqisë, si dhe foli për dëshirën dhe vullnetin e kësaj administrate për bashkëpunim me Greqinë. Duket hapur se në kuadër të dëshirës së SHBA-ve të jetë e përfshirë në kontestimin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë; pragmatizmi do të paraqesë faktorë përcaktues. Nuk jam i sigurt nëse dilema “tani” ose “kurdo” ka të garantuar ndonjë trajtim të dëmshëm ose sanksionues ndaj cilësdo palë. Nëse rrethi i radhës së negociatave do të pengohet përsëri nga mungesa e kompromisit, i cilësdo palë qoftë, unë pres e gjykoj se kjo administratë amerikane do të këmbëngulë që një pjesë të përgjegjësisë për mundësitë e gjetjes së zgjidhjes eventuale t’ua lërë organizatave, të cilat kanë më shumë brengë e vuajtje nga kjo situatë, për shembull NATO-s dhe BE-së.

Si ecën paqja në këtë regjion? Obama thotë “nëpërmjet konsolidimit të procesit të paqes në Ballkan”. Kur do të fillojnë SHBA-të të koncentrojë vëmendjen edhe në regjionin e Europës Juglindore?!

Kjo administratë, dhe në përgjithësi SHBA-të, preferojnë që shumë prej këtyre çështjeve zgjidhje nga strukturat europiane. Unë besoj se shumica e administratës ka ndjenjën se vendi i Europës Juglindore është në BE. Kështu që, mendimi im është se duhet të bëhet më shumë përpjekje nga ana e Amerikës që ta shtyjë Europën më seriozisht për t’u angazhuar me Europën Juglindore. Ky tundim apo ky angazhim do të nënkuptojë “hedhje” të shumë detyrimeve e përgjegjësive nga shpina e Amerikës ose institucioneve shumëpalëshe (të cilat, në fakt udhëhiqen nga Amerika) në drejtim të mekanizmave dhe institucioneve të BE-së. Angazhimi i SHBA-ve do të tregohet në rritjen e tundimeve e gjetjeve për zhvillim ekonomik dhe mbështetjen për zhvillimin e shoqërisë civile.

Si duket, ende jemi të perceptuar si shtete problematike, siç u shpreh Ahtisari në një rast, kur tha: “Nuk do të doja të përfshihem në problemin që ka të bëjë me kufirin mes Kroacisë dhe Sllovenisë, por megjithatë ende ndiej nostalgji ndaj misioneve të mia në Afrikë...”.

Po, ose ashtu siç është shprehur Çurçilli: “Ju, në Ballkan, prodhoni më shumë histori sesa mund të shpenzoni”. Përderisa vendimet të jenë të bazuara nën stigmën apo precedencën e ekskluzivitetit, duke iu kundërvënë dialektikës historike, është shumë e vogël mundësia për zgjidhje të vërtetë. Zhvillimi dhe zgjidhjet vijnë si rezultat i vullnetit dhe dëshirës për prosperitet në të ardhmen, e jo përmes restaurimit të famës së të kaluarës. Këtyre ditëve pamë se një mendje politike jo-ekskluzive (pra jo-egoiste) di të gjejë kompromis, kur ekzistojnë në mendje sinergjie të dyanshme. Gjithsesi, kroatët dhe sllovenët po tregojnë kulturë demokratike dhe integruese. Kjo është për t’u përshëndetur veçanërisht.

Nëse vëmë në dilemë procesin e idesë së vetëvendosjes (Uillsonin), atëherë shpresa më e madhe për të ardhmen ka të bëjë me pyetjet: Çfarë duhet të determinohet (përcaktohet), “Si” është determinuar (përcaktuar) dhe “Kush” është determinuesi (përcaktuesi). A është kjo ideja e multilateralizmit funksional të Presidentit Obama përkundrejt unilateralizmit tipik të Bushit?

Kornizat multilaterale funksionojnë vetëm atëherë kur ata, të cilët janë në konflikt merren vesh për konstruktivitetin dhe pjesëmarrjen në kuadrin e atyre kornizave. Nëse një gjë e tillë nuk ekziston, aktet dhe ndërmarrjet unilaterale mund të bëhen të nevojshme, me qëllim që të mbrohen interesat vetjake. Në mbështetje të multilateralizmit, presidenti Obama e ofron mundësinë për zgjidhje të konflikteve në kornizat e konstruksionit multilateral (shumëpalësh). Kjo e forcon besimin e pjesëmarrësve potencialë në proces dhe mundëson një kapacitet më të madh për mbështetjen e tyre, si në pjesën e negocimit, ashtu dhe në pjesën e zgjidhjes së kontestit. Vetëvendosja nuk është e njëjtë me vetëpërcaktimin. Në përgjithësi është pranuar se ish-Jugosllavia funksiononte si një lloj shteti unitar: Besohet se kjo ishte e mundur ngase rrethanat dhe mekanizmat e vëna aty nuk lejonin rritje të nacionalizmit, dhe si i tillë, nacionalizmi paraqiste një kërcënim për të gjitha ato shtresa që jetonin në komfort e prosperitet. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, mundësitë e humbura ekonomike dhe keqpërdorimi i pushtetit u bënë shkaqet e rënies së propseritetit. Kur ra standardi i të jetuarit mirë dhe kur resurset u zhdukën, nacionalizmi arriti të rrënjoset tek popujt që kërkonin sqarim dhe shpëtim. Vërtetë, serbët, sllovenët, kroatët, boshnjakët, maqedonasit dhe shqiptarët vendosën se nuk mund të jetojnë më së bashku, apo, vetëm kërkuan të restaurohet prosperiteti? Ky është ndoshta përshkrimi më i thjeshtësuar, por, besoj se thelbi është i qartë: Vetëvendosja nuk është proces fiks dhe rëndësia e saj është e diskutueshme.
Në dukje, pritet që kjo administratë do të insistojë që të rikthejë vetëbesimin në institucionet multilaterale dhe të promovojë idenë që debati rreth dhe për vetëvendosje, të jetë rezultat i negociatave dhe marrëveshjeve, por gjithmonë në kuadër të kornizës multilaterale. Gjithashtu, besoj se politika amerikane do jetë e tillë që do lejojë fleksibilitet gjatë procesit të mbarëvajtjes dhe kanalizimit të negociatave drejt zgjidhjes së konfliktit potenciale dhe nuk do të imponojë rezultate përmes mekanizmash direkte ose indirekte. Përmes këtij synimi, pra që të rikthehet guximi për të shpresuar dhe besimi në mekanizmin e negociatave si dhe të kombinimit të fuqisë së butë dhe asaj të fortë, të përdorshme si mjete për të ulur palët në të njëjtën tavolinë negocimit, kjo qasje e kësaj administrate ka shansin real të zgjidhë shumë nga konfliktet nacionale (etnike) dhe të kërkojë rezoluta reale nëpërmjet negocimit dhe dialogut.

Keni punuar në rajon; madje, edhe hartues strategjish për parti politike të ndryshme në Ballkan dhe njihni në një shkallë të caktuar zhvillimin e deritanishëm të mentalitetit politik. Njihni për së afërmi shumë nga liderët politikë të shqiptarëve në rajon gjithashtu, prandaj po ju parashtroj një pyetje pak a shumë të klisheizuar: Çfarë duhet të bënin më mirë shqiptarët për të zhvilluar bashkëpunim më të mirë me SHBA në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve më efektive të çështjeve të hapura që kanë të bëjnë, për shembull me Kosovën, me fenomenin e një korrupsionit endemik në Shqipëri, apo me politikat jo-efektive të lidershipit shqiptar në Maqedoni?

Shqiptarët do bashkëpunonin më së miri me SHBA-të dhe komunitetin ndërkombëtar duke zgjedhur liderë efektivë e të zellshëm për bashkëpunim me ne dhe BE-në. Ky bashkëpunim do i siguronte dhe garantonte votuesit shqiptar se kërkesat e tyre janë të dëgjueshme, të negociueshme, të mbështetshme, të zgjidhshme; e që pastaj, të bëhen të pranuara dhe të respektuara. Liderët duhet të dinë të japin llogari në mes periudhës së zgjedhjeve elektorale, gjithmonë përmes aktiviteteve politike me qytetarë, përfshirë këtu interesimin e tyre të dukshëm ndaj shoqërisë civile si dhe mbështetjen që ata duhet t’i japin asaj. Në përvojën dhe kujtesën time do veçoja të ndjerin zotin Ibrahim Rugova, emri dhe misioni i të cilit arriti të afirmohet ndërkombëtarisht; Pastaj, do të veçoja Presidentin e Shqipërisë Z. Bamir Topi, liderin e shqiptarëve të Maqedonisë, Zotin Menduh Thaçi, që për mua ishin, janë dhe uroj të mbeten shembuj për liderë efektivë, të cilët kanë zhvilluar marrëdhënie pozitive edhe me komunitetin ndërkombëtar, edhe në momente krizash. Do kisha dashur të njoh e të punoj për së afërmi me liderë të tjerë. Veçanërisht, Kosova, për mua dhe miqtë e mi, është një vend ku proceset elektorale, fituesit dhe humbësit duhen ndjekur me shumë kujdes, pasi nga ata dhe nga cilësitë e tyre varet se çfarë demokracie do ndërtojë Kosova dhe si do reflektojë ajo në rajon. Unë e mbaj mend Kosovën si vendin e Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit, kjo simbolikë është historia e re e Kosovës. Puna jonë është të këshillojmë liderët me shembujt e suksesit të demokracisë së liderëve amerikanë. Do ishte sfidë e vërtetë për mua një bashkëpunim me liderët në Kosovë përsëri, pasi ndër ta, nuk do kërkoja Rugovën dhe misionin e tij, por do të shihja e ndihmoja si të afirmojmë produktin e atij misioni; Kosovën e pavarur, liderët e saj dhe verdiktin e shqiptarëve të atjeshëm. Këto emra që i përmenda janë pak kur i vë në peshore me numrin e madh të atyre liderëve, të cilët, përmes korrupsionit, papërgjegjësisë dhe egoizmit kanë krijuar një barrierë rrugës për të arritur progresin dhe relacionin e vërtetë me komunitetin ndërkombëtar. Shqiptarët meritojnë më shumë, më mirë.

Portreti i Henri Xhons (Hanry Jones)

Henri Xhons është president i kompanisë lobiste dhe strategjiste “The Laurus Group” me seli në Uashington dhe me përvojë të pjekur analitike për rrethanat politike në Ballkan, shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, Europë dhe Afrikë. Ai njihet si ish-drejtor i IRI–it në Maqedoni gjatë viteve 1998-2002, si i angazhuar në zgjedhjet elektorale në Shqipëri nga kompania lobuese e kontraverse “BG&R” (ku dhe fitoi zgjedhjet Partia Demokratike e Shqipërisë). Ka qenë mik i ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe si dhe ka bashkëpunuar me kompaninë me reputacion të jashtëzakonshëm në Uashington, “Quinn-Gillespie”, e cila është e porositur nga kryeministri italian Berluskoni në strategjitë zgjedhore etje. Z. Xhons është babai i katër fëmijëve. Ai është me përvojë 20-vjeçare në fushatat politike, kryesisht të partive me orientim ideologjik të qendrës së djathtë. Më kompaninë e tij, Think Tank “RET”, me seli në Shkup, ka nënshkruar partneritet bashkëpunimi e që aktualisht punojnë për përgatitjen e një studimi për fituesin e mundshëm të zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni.

19 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›