Farmacistët, ilaçe "psikopatie" pa recetë
Në të gjitha farmacitë mund të blesh barna pa pasur rekomandimin e mjekut. Askush nuk e merr seriozisht shëndetin, askush nuk mendon për efektet anësore. Papërgjegjshmëria e farmacistëve që u errësohen sytë përpara përfitimit monetar, shkon deri atje sa shesin edhe qetësues të familjes së valiumit pa rekomandimin e mjekut. Tashmë është bërë e zakonshme që, nëse ke pagjumësi apo ankth, shkon në farmaci kërkon një qetësues dhe të japin qetësues nga më të ndryshmit, mjafton t‘i qash hallin farmacistit. Për këtë nuk të duhet rekomandimi i mjekut, sepse të gjithë e dinë që, nëse ke pagjumësi për shkak të sezonit të provimeve, duhet të marrësh disa tableta valium, lorazepam, alprazolam, apo në disa raste të tjera edhe medikamente më të forta. Në të gjitha rastet, edhe pse të gjithë përdorin këtë lloj metode, asnjë nuk i mendon pasojat që mund t‘i shkaktohen më pas. "Fiks Fare" kreu një sondazh në shumë farmaci të kryeqytetit. Shkuam në shumicën e farmacive të Tiranës dhe kërkuam me fjalën tonë të na jepnin ndonjë ilaç, sepse kishim shqetësim dhe ankth. Përveç ndonjë rasti që nuk na pranojnë pa recetën e mjekut dhe një tjetër që na jep qetësues nga ata që lejohen, të tjerët japin barna të familjes së valiumit që janë të ndaluara të shiten pa rekomandim nga mjeku. Pra, kushdo blen atë që do, asnjë farmacist nuk e ka problem që t‘u shesë pacientëve medikamentet që duan pa marrë në dorë më parë një recetë. Madje, farmacistët luajnë edhe rolin e mjekut duke të përcaktuar dozën e qetësuesit, që duhet të marrësh për shqetësimin që i ke shprehur. Pra, farmacistët bëjnë rolin e mjekut. Neni 36 i ligjit 9323 dt 25.11.2004 "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik" ndalon shitjen në farmaci ose në agjenci farmaceutike pa recetën e mjekut, me përjashtim të barnave OTC (barnat mbi banak) që janë caktuar sipas një liste të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë. Për të parë nëse qetësuesit që blemë nëpër farmaci pa recetën e mjekut ishin të ndaluara morëm pikërisht këtë listë. Barnat, që i përkasin familjes së valiumit nuk janë në këtë listë. Ndërkohë që ligji parashikon dënim me gjobë prej 50 mijë lekësh për të gjithë farmacistët që shesin barna pa recetë e në rast përsëritje edhe heqje të licencës. Por përgjegjësia e këtyre farmacistëve, që shesin barna të tilla është akoma më e madhe, kur konstaton se pikërisht këto barna klasifikohen si barna narkotike dhe lëndë psikotropealprazolami, diazepami, lorazepami figurojnë në tabelën e këtyre barnave dhe neni 64 i ligjit 7975 "Për barnat dhe lëndët psikotrope" përcakton qartë që përdorimi i këtyre medikamenteve bëhet për arsye terapie dhe vetëm me recetë të lëshuar nga një kategori mjekësh, të cilët përcaktohen me udhëzim të ministrit të Shëndetësisë. Por askush nuk pyet për ligjin. Farmacistët të japin nga 20 tableta dhe të përshkruajnë edhe mënyrën e përdorimit. Për këtë fenomen që nuk çudit më askënd në vendin tonë pyetëm zv/ministrin e Shëndetësisë, Arben Ivanaj, i cili deklaron se Ministria e Shëndetësisë është në dijeni të faktit që shiten barna pa recetë të mjekut. "Po punojmë edhe me masa ndëshkuese, por nuk është masa ndëshkuese gjithçka", shpjegon zv/ministri i Shëndetësisë. Sipas Ivanajt, vetëm këtë vit janë hequr tri licenca farmacish, vetëm për këtë problem.