E Diel, 1 Nëntor 2026

Shamku: Ministria e Arsimit deformoi Kartën e Bolonjës

Kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare pranë PS-së, Ledi Shamku, ka reaguar për diplomat e studentëve të mësuesisë, duke deklaruar se brezi i parë i të diplomuarve në mësuesi gjendet pa rrugëdalje. "Aplikimi i deformuar i Kartës së Bolonjës po godet perspektivat për mësuesi cilësore në Shqipëri dhe po e shkallmon më tej këtë profesion tashmë në braktisje", u shpreh Shamku. Sipas saj, standardet e parashkruara nga Karta e Bolonjës saktësojnë se çdo student që pas katër vitesh shkollimi diplomohet mësues, e ka patjetër rrugën të hapur të vijojë më tej studimet në shkallët master e doktoraturë. Megjithatë, sipas Shamkut, është rregullorja e hartuar nga Ministria e Arsimit, ku thuhet se një i sapodiplomuar për mësuesi duhet të ndjekë çdo lloj "specializimi", me përjashtim të degës ku ka studiuar, që i pengon ata. "Pra, karriera e tij profesionale, por edhe ëndrra e të gjithë atyre që duan të bëhen mësues, shuhet, sepse kështu do MASH-i", u shpreh Shamku. Kryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare ka theksuar se "nëse ministria do vijojë ta injorojë problemin, pas 4 muajsh brezi i parë i të diplomuarve në mësuesi do gjendet edhe ai pa rrugëdalje. Ndaj sot i kërkojmë MASH-it të marrë parasysh kërkesën legjitime të universiteteve, e të mos mbajë kështu peng aspiratat e brezit të ri". Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka sqaruar se që nga muaji gusht, kur kanë mbërritur në MASH propozimet e universiteteve, deri në fund të muajit nëntor 2008 janë miratuar 48 programe Master i Nivelit të Parë për Mësuesi në 6 universitetet publike, me 2480 kuota studentësh, në fushat e Gjuhëve të Huaja, Shkencat Sociale, Gjuhë-Letërsi, Histori, Gjeografi, Matematikë-Informatikë dhe shkenca të tjera ekzakte.

MASH ka ftuar Partinë Socialiste të lexojë Ligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë dhe udhëzimet përkatëse për diplomimin e mësuesve, të diskutuar e hartuar në bashkëpunim me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe të Shkencës, stafet drejtuese dhe specialistët e fakulteteve të mësuesisë. "Pas përfundimit të studimeve të ciklit të parë, kualifikimi profesional si mësues gjatë punës do të orientohet nga Instituti i Kualifikimit dhe Trajnimit", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të MASH-it.

Sipas tyre, të gjithë të diplomuarit e ciklit të parë të fakulteteve të Mësuesisë, nëse dëshirojnë, mund të vijojnë studimet e thelluara në ciklin e dytë a të tretë dhe të marrin një diplomë të nivelit të dytë, master të nivelit të dytë apo doktoraturë, sipas fushës së studimit të ndjekur dhe përzgjedhjes së tyre.

Por, pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit, masterat e nivelit të dytë janë ende të bllokuara për të gjithë universitetet publike në vend. Këto janë studime të vlefshme për të gjithë ata që kanë përfunduar arsimimin e lartë në përputhje me sistemin rus.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›