E Shtunë, 31 Tetor 2026

ENEL: Marrëveshje Skajola-Ruli për TEC-in me qymyr

Ndërtimi i termocentralit 800 MW me qymyr në afërsi të Durrësit pritet të bëhet realitet këtë javë, kur dy ministrat përgjegjës për Ekonominë, Klaudio Skajola dhe Genc Ruli do të firmosin marrëveshjen më 10 mars. Lajmin e konfirmon zyra e shtypit pranë ENEL-it, sipas së cilës, më 27 shkurt ka përfunduar i gjithë projekti për ndërtimin e TEC-it dhe i është dorëzuar për miratim Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Italianët shikojnë si problem hezitimin e Ministrisë së Mjedisit, e cila nuk e ka dhënë ende miratimin, edhe pse janë marrë të gjitha masat që impakti në mjedis të jetë minimal. Mësohet gjithashtu se dy ministrat do të firmosin një marrëveshje të përbashkët zhvillimi energjetik, duke i hapur rrugë fillimit të punimeve për TEC-in 800 MW, si dhe ndërtimit të linjës nënujore 500 MW, e cila do të shërbejë për kalimin e energjisë elektrike nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas njoftimit të ENEL, marrëveshja për TEC-in do të krijojë stabilitet të qëndrueshëm për Shqipërinë, duke i dhënë mundësi të rrisë eksportin e energjisë elektrike. Ardhja e Skajolës në Shqipëri i dedikohet marrëveshjes së firmosur në dhjetor të vitit 2007 mes ministrit Ruli dhe ENEL, ku deri më sot, është ecur me hapa konkretë drejt realizimit të projektit.

Drejtuesit e kompanisë italiane janë shprehur kohë më parë se nga e gjithë energjia që do të prodhojë termocentrali, 40 për qind e saj do t‘i shitet Shqipërisë me çmimin e kostos, kurse pjesa tjetër do të shkojë në Itali për konsum. Vlera e investimit llogaritet deri në 2 miliardë euro dhe konsiderohet si një ndër projektet më të mëdha në Ballkan, aq sa një pjesë e politikës italiane është shprehur kundër këtij financimi kaq të madh jashtë territorit të tyre. Megjithatë, TEC-i me qymyr që do të ndërtohet pranë Porto Romanos, ka hasur në kundërshtitë e grupeve ambientaliste, të cilat kanë kërkuar zhvillimin e një referendumi në qytetin e Durrësit. Sipas tij, lënda e parë, qymyri, do të japë impakt të lartë negativ për ambientin, por ENEL garanton një pastërti në masën 98 për qind.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›