ENEL, marrëveshje me Konfindustrian
"ENEL Albania" sh.p.k., (një kompani pjesë e "Enel Group") dhe Konfindustria Shqiptare, bashkim i pavarur i biznesit që operon në Shqipëri, nënshkruan dje një memorandum mirëkuptimi për një bashkëpunim më të afërt në kuadrin e zhvillimit të projekteve energjetike në vend. Nëpërmjet këtij memorandumi, "ENEL Albania" dhe Konfindustria Shqiptare bien dakord që t‘i konsiderojnë iniciativat e ENEL-it në Shqipëri dhe veçanërisht zhvillimin e kompleksit energjetik, si strategjike për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të vendit. "ENEL Albania" do të bashkëpunojë me kompani të kualifikuara shqiptare për të nxitur përfshirjen e tyre në implementimin e kompleksit energjetik, në përputhje me dispozitat përkatëse të BE-së dhe legjislacionit kombëtar. Kompleksi energjetik që po zhvillohet nga ENEL, konsiston në ndërtimin e një TEC-i me fuqi 800 MW me qymyr të pastër.