E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE: Ulje e kufirit të konsumit për familjarët

Autori i Lajmit: red.
Enti Rregullator i Energjisë paralajmëron se do të rishikojë blloqet e konsumit të energjisë për familjarët, për efekt të vendosjes së çmimeve. Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që konsumojnë deri 300 kilovatë orë në muaj e paguajnë energjinë elektrike me 7 lekë për kilovat pa TVSH-në, ndërsa familjet mbi këtë nivel konsumi e paguajnë energjinë 41 për qind më shtrenjtë, ose 12 lekë për kilovat orë.
Studimi i ERE-s
Por, në një studim të publikuar së fundmi, ERE thotë se kufiri ndarës prej 300 kilovatorë konsumi mujor është i ekzagjeruar, pasi ai mbulon mbi 76 për qind të numrit të familjeve dhe nuk përligj qëllimin kryesor mbi të cilin është ngritur, atë të mbrojtjes vetëm të familjeve më të varfëra. Enti paralajmëron zyrtarisht në raport se do të rishikojë sasinë e energjisë pëer bllokun e parë me tendencë uljen e saj. Edhe pse nuk ka ende një shifër zyrtare se cili do të jetë kufiri i ri ndarës i konsumit për përcaktimin e çmimeve, në një studim të publikuar vetëm pak kohë më parë, ERE ka gjetur si nivelin e përshtatshëm të konsumit për bllokun e parë atë të 210 kilovatë orëve në muaj.
Kërkesa e OSSH-së
Pas kërkesës së OSSH-së për rritjen e çmimit mesatar të energjisë me rreth 23 për qind, ekspertët e Entit kanë filluar punën për përcaktimin e çmimeve të reja, të cilat do të hyjnë në fuqi nga janari i 2010. Burime konfidenciale nga Enti pranojnë se një nga elementët e rritjes së çmimit mund të jetë edhe rishikimi i blloqeve të konsumit të energjisë, i cili nëse do të zbresë në kufirin 210 kilovat orë, vetëm nga ky fakt, do të rriste fort me mbi 41 për qind çmimin e energjisë për rreth 16 për qind të familjeve shqiptare.
Kërkesa për rritjen e çmimit
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes i ka dorëzuar vetëm pak kohë më parë, zyrtarisht Entit Rregullator të Energjisë kërkesën për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, të cilat shqiptarët do të duhet të fillojnë t i paguajnë që nga janari i vitit të ardhshëm. Ndonëse tarifat mbahen konfidenciale nga ERE, mësohet se çekët e kompanisë CEZ kanë kërkuar në aplikimin e tyre një rritje të çmimit mesatar të energjisë elektrike prej rreth 20 deri në 23 për qind. OSSH e argumenton kërkesën e saj për rritjen e çmimeve me nevojën për të përafruar çmimet e shitjes së energjisë elektrike me kostot e tyre. Megjithatë, do të jetë Enti Rregullator ai që në fund do të vendosë nëse do ta rrisë apo jo çmimin e energjisë elektrike. Sipas ligjit, Enti tashmë ka 12 ditë kohë për të vlerësuar nëse kërkesa e bërë nga OSSH-ja është e vlefshme dhe përmbush kushtet ligjore dhe ato teknike.
Ky lajm është publikuar: 20/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›