E Shtunë, 31 Tetor 2026

Private apo zyrtare?

Autori i Lajmit: red.
ANKARA, - Kryeministri grek i sapozgjedhur, Jorgos Papandreu, do të mbërrijë ditën e sotme për një vizitë në Turqi, njoftoi televizioni privat "NTV", pa bërë të ditur nëse vizita do të jetë private apo zyrtare. Në shumë qarqe politiko-shoqërore turke është mirëpritur fitorja në zgjedhje e Papandreut, pasi gjithmonë është diskutuar se ai mund të përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet Athinës dhe Ankarasë.
Nuk ndalet shitja
Agjencia e lajmeve INA bën të ditur se për momentin ajo është bërë materiali më i kërkuar dhe më i preferuar tek qarqet intelektuale, studentët dhe nxënësit maqedonas
Enciklopedia maqedonase shpërndahet në DVD dhe CD
Shkup - “Enciklopedia Maqedonase” që shprehet kundër shqiptarëve, po shpërndahet dhe po shitet me anë të DVD dhe CD-ve në mbarë Maqedoninë. Agjencia e lajmeve INA bën të ditur se për momentin ajo është bërë materiali më i kërkuar dhe më i preferuar tek qarqet intelektuale, studentët dhe nxënësit maqedonas, të cilët janë kureshtarë dhe duan të kenë këtë material që mes të tjerash përmban shumë pohime fyese për shqiptarët. Agjencia e lajmeve INA ka blerë një nga kopjet e materialit në DVD, për vetëm 50 dinarë ku lexohet plotësisht teksti i “Enciklopedia Maqedonase”. Lidhur me këtë, sekretariati për informim dhe teknik i Akademisë, në prononcimin për agjencinë e lajmeve INA, ka theksuar se ka informacione për këtë, por theksojnë se për këtë vepër kriminale piraterie kanë lajmëruar organet përkatëse të MPB-së. “Po shqyrtojmë veprimin se si ka dalë materiali nga ASHAM dhe pëgjegjësit që e publikuan në këtë mënyrë. Por, kjo është çështje e organeve më të larta akademike. Përveç kësaj, si sekretari kemi reaguar tek organet përkatëse të MPB-së për vjedhjen e këtij materiali dhe shpërndarjen në tregun e zi. Me këtë shkelen të drejtat e autorit”,- kanë theksuar nga shërbimi për informim, duke mos pranuar për t u identifikuar me emra. Një nga shitësit e disqeve pirate në sheshin “Maqedonia” thekson se ka arritur që ta marrë nga disa miq të tij kopjen e DVD-së, që më pas e ka shumëfishuar. “Po shkon mirë dhe shumë e kërkojnë. Ka edhe nga të huajt që e blejnë, pasi shohin që është e shkruar se ka përmbajtjen e enciklopedisë. E kërkojnë të gjithë dhe jemi të habitur se si për herë të parë këto disqe kërkohen, edhe më shumë se filmat e rinj që kanë hyrë në treg. Pavarësisht zërave për tërheqjen e botimit të kësaj vepre, deri tani janë shpërndarë me qindra mijëra kopje përmes disqeve. Encklopedia Maqedonase hapi një debat të madh në radhët e akademikëve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Sipas shqiptarëve, botimi fyente shqiptarët të cilët i cilësonte si barbarë dhe racë e ardhur në Ballkan, ndërkohë që historia ka vërtetuar se shqiptarët janë autoktonë në gadishull.
“The Uashington Post”
Plani B për Afganistanin
SHBA - Presidenti Barak Obama nisi takimet për rishikimin e strategjisë në Afganistan, duke parashtruar pyetjen në televizionin kombëtar nëse Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin qeverinë dhe armatën afgane. Por, alternativat që po shqyrton presidenti, duket se nuk dallojnë shumë nga plani i gjeneralit Stenli Mekristall. Zoti Obama u tha të martën udhëheqësve në Kongres se ai nuk ka ndërmend ta reduktojë numrin e trupave amerikane ose t i kufizojë sulmet me aeroplanë pa pilot ndaj Al Kaidës. Madje, sipas këshilltarit të tij për siguri kombëtare, nuk do të heqë dorë as nga ndërtimi i qeverisë dhe armatës afgane. Plani B i Shtëpisë së Bardhë, ndoshta, edhe mund të refuzojë kërkesën e gjeneralit Mekristall për trupa shtesë. Në vend të kësaj, mund të dalë ideja për ndërtimin e armatës afgane, në mënyrë që ajo t i marrë përsipër luftimet, ndërsa veprimet e Shteteve të Bashkuara të fokusohen në mundjen e Al Kaidës në Pakistan. Por, një vendim i tillë mund të përsërisë gabimet e administratës Bush , gabime që e lanë administratën e re me ngatërresat që po përballet në Afganistan, kurse tre vjet më parë Irakun e sollën buzë katastrofës. Në Irak, zoti Bush dhe sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, gjithashtu vendosën ta minimizojnë nivelin e trupave amerikane. Ata ndërmorën një përpjekje ambicioze për të stërvitur trupat e reja irakiane, duke vënë theksin në sulmet kundër Al Kaidës dhe liderëve të kryengritjes. Por, forcat e reja të Irakut nuk mundën ta bëjnë punën vet. Kryengritja u fuqizua edhe më shumë, ndërsa konfliktet sektare shpërthyen në Bagdad dhe zona të tjera. Vetëm kur zoti Bush i shtoi trupat, spiralja e dhunës mori tatëpjetën. Komandantët amerikanë e nxorën mësimin, prandaj kjo është arsyeja që gjenerali Mekristall dhe pothuaj çdo komandant tjetër amerikan në rajon favorizon planin e shtimit të trupave edhe në Afganistan. Në rishikimin e fundit për situatën në Afganistan, gjenerali Mekristall doli në përfundimin se “dështimi në marrjen e iniciativës dhe rikthimin e trajektores së kryengritjes, rrezikon të ketë një epilog ku nuk do të ishte më e mundur disfata e kryengritjes”. Duket se zoti Obama fillimisht kishte dilema nëse duhet të munden talebanët. Por, duke vendosur që ta mbajë numrin e trupave siç është, ai zgjodhi vazhdimin e luftës. Pyetja që kërkon përgjigje është se përse zoti Obama do të preferonte rrezikun e disfatës, të cilin e nënvizoi gjenerali, në kurriz të shpenzimeve për dërgimin e mijëra forcave të tjera amerikane. Kursi i ri nuk garanton sukses në asnjë mënyrë, por ai i mëparshmi ishte humbës.
Ky lajm është publikuar: 09/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›