E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria pushon dosjen për pasuritë e Mediut

Autori i Lajmit: red.
Pasuritë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Famir Mediu, në kohën e shpërthimit të depos së demontimit në Gërdec, kanë shpëtuar nga sekuestrimi. Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur dje hetimet për pasurinë e tij. Deputeti dhe ministri aktual i Mjedisit, Fatmir Mediu, ishte duke u hetuar më vete nga dosja e parë “Gërdeci”, ku akuzohej për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës kryer dy herë”, një herë si ushtarak dhe një herë si ministër. Duket se ministri i Mjedisit ka mbylluar çdo hesap me drejtësinë shqiptare, por famijarët e 26 viktimave të tragjedisë së 15 marsit të vitit të shkuar vazhdojnë të këmbëngulin në rinisjen e hetimeve ndaj tij.
Hetimet
Hetimet për pasurinë e Fatmir Mediut u ndanë nga dosja hetimore së bashku me pjesën e trafikut të armëve, për të cilën prokuroria po heton për gjetjen e provave. Prokuroria nisi hetimet e saj për të provuar të gjitha të ardhurat e ministrit, si dhe dyshimet e mundshme për trafikun e armëve mes vendit tonë dhe Afganistanit, akuzë e cila nuk u hetua drejtpërsëdrejti vetë Mediu. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se pushimi i hetimeve u krye pas zgjedhjes së Fatmir Mediut si deputet i Legjislaturës së 18-të të Kuvendit të Shqipërisë.
Dosja në gjykatë
Më 14 shtator 2009, Gjykata e Lartë pushoi procesin gjyqësor në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, duke theksuar se ndjekja e tij penale nuk mund të vazhdojë për shkak të mandatit të ri të tij. Burimet nga organi qendror i akuzës bëjnë të ditur se në lidhje me këtë vendim të marrë nga ana e gjykatës, prokurorja e Përgjithshme gjatë një deklarimi për mediat u shpreh se gjykata është ajo që vendos. “Qëndrimi i gjykatës është një koncept i normave kushtetuese”, - ishte komenti i Ina Ramës që dukshëm përmbante mospajtim me atë vendim që i preu rrugën vazhdimit të hetimeve për Mediun. Dy ditë pas pushimit të çështjes, familjarët e viktimave kanë dorëzuar pranë organit qendror të akuzës një kallëzim të firmosur nga 26 persona, sipas të cilit kërkohet rinisja e hetimeve. Sipas kërkesës së tyre, Prokuroria e Përgjithshme duket t i rikërkojë Parlamentit imunitetin e ministrit dhe të rinisë hetimet në lidhje me tragjedinë. Madje kanë shkuar më larg, duke pohuar se, në rast se drejtësia nuk do të bëjë punën e saj, ata do të kalojnë në vetëgjyqësi.
Ky lajm është publikuar: 20/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›