E Shtunë, 31 Tetor 2026

AH1N1, konfirmohen 34 të prekur

Deri në datën 12 shtator, Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar 34 persona të prekur nga gripi i derrit, AH1N1.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik vihet re që nuk kemi ende shpërthim epidemik të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes apo sëmundjeve të ngjashme me gripin. "Duhet të theksojmë se edhe në

vendet ku ka pasur shpërthime epidemike, si dhe një numër të madh rastesh nga gripi pandemik A(H1N1) nuk vihet re kapërcimi i pragut epidemik. Numri i mostrave të mbledhura deri në datën 11 tetor ka qenë mbi 857, ndërkohë që rastet më të shumta janë nga Tirana.

Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç, ku vihet re numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Vetëm 20% e mostrave janë të moshës pediatrike. Duke pasur parasysh që numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet më i lartë në grupmoshën pediatrike, sërish vihet re një numër më i vogël mostrash të marra në këtë grupmoshë.

Sipas ISHP-së, raste të konfirmuara janë ato të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A(H1N1) në

laboratorin e referencës për Europën Juglindore në Bukuresht, Rumani. "Raste të mundshme janë të gjitha rastet të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit A në laboratorin e virologjisë

pranë ISHP, Tiranë, ndërsa raste të dyshimta janë të gjitha rastet që plotësojnë ‘përkufizimin e rastit‘", sqaron ISHP.

Për 34 rastet e konfirmuara: 3 prej rasteve janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (Spitali Rajonal - Durrës) të

cilët tashmë janë larguar nga vendi. 6 raste janë të lidhura me udhëtimin kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar. Për raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit. Rastet janë kryesisht në Tiranë dhe gjashtë raste në Durrës, tre marinarë të huaj, dy raste në Gjirokastër, dy në Berat, 1 rast në Sarandë dhe 1 në Devoll.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›