E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e tërmetit, banorët të pakënaqur me dëmshpërblimin

Banorët e zonave të Qarkut të Dibrës, që u prekën nga tërmeti i 6 shtatorit, kanë mbetur të pakënaqur me shumën e lekëve të caktuara nga qeveria për t‘i dëmshpërblyer. Javën e kaluar nisi plotësimi i dokumentacionit të nevojshëm për të nisur procedurat e lëvrimit të të hollave, të cilat do të tërhiqen të enjten e kësaj jave pranë degës së BKT-së, Peshkopi. Por, edhe pse ende nuk ka nisur marrja e parave, merret vesh se sasia e dëmshpërblimit që do marrin banorët shkon nga 50 deri në 100 mijë lekë, shumë kjo që sipas këtyre banorëve është fare e vogël krahasuar me vlerën e dëmit që kanë pësuar shtëpitë e tyre. "Shuma e lekëve që na është caktuar nuk mjafton as për të paguar ustallarët dhe jo më për të riparuar shtëpitë, të cilat janë krejt të shkatërruara dhe të pasigurta për banim", shprehen të indinjuar banorët.

Ndërkaq, një tjetër problem me të cilin janë përballur banorët e komunave të Gjoricës, Ostrenit, Shupenzës, Zerqanit, Fushë-Bulqizës etj., është mungesa e përfshirjes së emrave në listat e ardhura nga qeveria për mjaft prej tyre. Mësohet se numri i përgjithshëm i familjeve që janë paraqitur për të tërhequr dëmshpërblimin për rregullimin e shtëpive të dëmtuara, është 957, ndërkohë që ky numër, sipas drejtuesve të qeverisjes vendore, është shumë herë më i madh nga ai që deklarohet. Kështu, vetëm në Komunën e Gjoricës, nga komisioni i qeverisjes vendore, janë regjistruar rreth 1600 shtëpi me dëmtime të rënda, të mesme dhe të lehta, që kërkojnë ndërhyrje për t‘u riparuar për banim. Banorët nuk kanë kursyer akuzat ndaj drejtuesve vendorë, sipas të cilëve kanë anashkaluar me qëllim banesat e disa banorëve. Kështu, Shpëtim Kaja, nga Komuna Gjoricë, thotë se nuk është i përfshirë në listë për të marrë dëmshpërblim, për arsye politike. "Unë nuk jam kriminel që të veçohem nga fshati, ku megjithëse i lajmërova drejtuesit e komunës që të vijë grupi i punës për verifikimin e dëmeve, kjo nuk ndodhi. Pavarësisht se fatmirësisht nuk kam dëmtime të rënda, dyshoj se jam veçuar politikisht nga kryetari i komunës, Xhelal Mera, pasi jam vëllai i ish-deputetit socialist Ardit Kaja, aktualisht koordinator i PS-së për Qarkun e Dibrës", thotë ai. Më tej, ai vijon se në lista janë të përfshirë me dhjetëra persona me dëmtime më të pakta nga të banesës së tij, vetëm pse janë të afërt të kryetarit apo militantë të PD-së. "Në listat e dëmshpërblimit është përfshirë edhe Esat Mera, vëllai i kryetarit të komunës, edhe pse ai ka ikur nga shtëpia para shtatë muajve, pasi ajo ka qenë e pabanueshme", vijon të tregojë Kaja, duke theksuar se nuk është "ndëshkuar" vetëm ai, por i gjithë fisi i tij. Pasi nga 50 shtëpi të Kajajve, vetëm 5 shtëpi kanë përfituar dëmshpërblim dhe e gjitha kjo sipas Arditit ka ndodhur vetëm e vetëm se fisi i tij voton majtas. Ndërkohë, rasti në Komunën e Gjoricës nuk është i vetëm, pasi ka edhe mjaft banorë të tjerë që ankohen për mospërfshirje në listat e dëmshpërblimit. Kështu, Halil Kurti, banor i Komunës Shupenzë dhe ndër familjet më të goditura që ende vazhdojnë të banojnë familjarisht në çadër, thotë se nuk e ka gjetur emrin e tij në listat e ardhura nga Tirana për t‘u dëmshpërblyer. "Jam ankuar në Prefekturën e Qarkut Dibër, ku më kanë thënë se ndoshta të kanë harruar, prandaj duhet të shkosh në Tiranë për zgjidhjen e këtij problemi", thotë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›